Komuna e Hanit të Elezit pa raste të virusit COVID-19

Këshilli komunal në Han të Elezit për zbatimin e masave parandaluese kundër COVID-19 mbajti takimin e rregullt për të vlerësuar gjendjen momentale. Takimin e hapi Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma, i cili njëherit është edhe kryesues i këtij këshilli për të konstatuar se për momentin në komunën e Hanit të Elezit nuk ka as një rast të infektuar me virusin COVID-19. Ai tha se komuna e Hanit të Elezit përkatësisht të gjithë sektorët e obliguar për zbatimin e masave parandaluese kundër COVID-19 janë në koordinim të plotë me Vendimet e Qeverisë së Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHP-së. Sipas Kryetarit Suma, këto masa janë duke u zbatuar në tërësi dhe në baza ditore janë duke u monitoruar zbatimi i tyre. Ai me këtë rast falënderoi të gjithë banorët e komunës dhe subjektet afariste për mirëkuptimin dhe angazhimin e secilit prej tyre për të kontribuar në tejkalimin e kësaj situate emergjente. Ndërsa Nejazi Luma, Drejtori i QKMF-së “Dr.Menduh Kaloshi” në raportin e tij tha se të gjitha kapacitetet e kësaj qendre mjekësore janë angazhuar që të jenë në shërbimin e situatës së krijuar. Sipas tij përkundër vullnetit, kjo qendër ka numër shumë të kufizuar të personelit, për të mbuluar të gjitha kërkesat aktuale, e në veçanti të mbulimit të shërbimeve edhe në vendkalimin kufitarë. Për këtë kemi marrë ndihmë nga qendrat simotra të komunave fqinje si Kaçaniku, Vitia, Ferizaj e qendra tjera. Vetëm gjatë vikendit ka pas 352 hyrje në vendkalimin kufitarë prej të cilëve 346 ngasës të makinave transportuese të mallrave ndërsa 6 raste udhëtarë të cilët duhet të monitorohen dhe plotësojnë formularët e deklarimit. Drejtori Luma kërkoi koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve sidomos për transportin e rasteve për qendrën e karantinës në Prishtinë. Ai iu referua edhe rasteve të banorëve të komunës së Hanit të Elezit të cilët janë në vetizolim. Sipas tij nga gjithsej 10 raste, dy nga ata tashmë kanë kaluar periudhë prej 14 ditësh dhe nuk kanë rezultuar të infektuar, ndërsa të tjerët janë duke respektuar obligimet e vetizolimit. Edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, nga Stacioni Policorë në Han të Elezit, Policisë së Vendkalimit kufitar dhe vijës së gjelbër u deklaruan se janë në koordinim të plotë me vendimet e ministrive përkatëse. Sipas tyre janë shtuar kapacitetet e vijës së gjelbër për të parandaluar tentimet për kalimet ilegale të kufirit. Nga takimi i Këshillit komunal për zbatimin e masave parandaluese kundër COVID-19 edhe një herë iu bë apel të gjithë banorëve që si masë më e mirë parandaluese është qëndrimi në shtëpitë e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

692 mijë euro për fasadimin e objekteve të banimit social!

Kryetari i Komunës, Fadil Nura, ka nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancim me Fondin e Kosovës për …