Brickos

Enver Hoxha

Komunistët jugosllavë dhe ithtarët e tyre kishin planifikuar vrasjen e Enver Hoxhës përpara Plenumit të Beratit

Fundi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri është shoqëruar me një betejë të fortë politike në prapaskenë për pushtetin e pas luftës, sa midis partizanëve komunistë në njërin krah, aq dhe midis ballistëve dhe zogistëve në krahun tjetër. Por edhe aleatët dhe fqinjët ishin të shqetësuar se kush do ta sundonte Shqipërinë më pas. Në një intervistë të gazetarit Xhevdet Shehu me historianen angleze Miranda Vickers botuar në DITA citohen disa dokumente të pabotuar më parë mbi atë periudhë. “Kongresi i Përmetit më 24 maj 1944 u mblodh sipas modelit të AVNOJ-it, Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë. Konferenca e Pezës sa i skicoi themelet e pushtetit të ri; Konferenca e Labinotit autorizoi dhe e qendërsoi këtë pushtet, Kongresi i Përmetit hodhi bazat kushtetuese të shtetit shqiptar të pasluftës – thotë Vickers. Ajo thotë se ka pasur një komplot jugosllav për eliminimin e Enver Hoxhës para se të mbaronte lufta.

Ka ekzistuar dhe unë kam dokumente për këtë. Jugosllavët ishin gjithashtu të interesuar mbi planet e Aleatëve për të ardhmen e Shqipërisë. Që nga 1944-a trysnia e madhe e jugosllavëve mbi LNÇ-në u shtua në mënyrë të konsiderueshme. Nga fundi i gushtit, jugosllavët caktuan një shef të ri të misionit të tyre ushtarak pranë shtabit të Hoxhës. Ai ishte koloneli, Velimir Stojniç. Miladin Popoviqi (i cili më vonë do të vdiste parakohe në mënyrë të dyshimtë) ishte tërhequr, pasi ishte konsideruar si tepër miqësor me Hoxhën…, ndërsa udhëzimet e Titos ishin që Shqipëria të bashkohej me Jugosllavinë.

Delegacioni jugosllav i kryesuar nga Velimir Stojniçi veproi sipas udhëzimeve të Titos, duke argumentuar se Shqipëria ishte mjaft e vogël dhe e dobët për të mbetur e pavarur pas luftës. Ndaj, sipas tij, e ardhmja e Shqipërisë do të ishte më e sigurt të bashkohej me Jugosllavinë, duke u bërë republikë e shtatë e saj. Hoxha nuk e duronte fare qëndrimin arrogant të jugosllavëve. Ndihmësi kryesor i Stojniçit, Nijaz Dizdareviqi, u soll jo vetëm si një udhëheqës organizativ ndaj PKSH-së, por ndërsa lufta po shkonte drejt fundit të saj, edhe punonte për përfshirjen e Shqipërisë në Jugosllavi.

Në vjeshtë të vitit 1944. jugosllavët për pak ia dolën që t’ ia merrnin pushtetin Hoxhës. Bëhet fjalë për plenumin e PKSH-së në Berat. Vickers tregon: Në nëntor 1944, pak javë para tërheqjes së përgjithshme të gjermanëve nga Shqipëria, Komiteti Qendror i PKSH mbajti një plenum në Berat. Në plenumin e Beratit, përfaqësuesi jugosllav, Kolonel Velimir Stojniçi, i mbështetur nga Koçi Xoxe dhe të tjerë, kritikoi udhëheqjen e Hoxhës dhe bënë një përpjekje serioze për ta hequr Hoxhën. Vetëm pas një autokritike të imponuar, Enver Hoxha u lejua të mbetej udhëheqës formal i partisë, ndërsa pushteti real tashmë iu ngarkua, Koçi Xoxes. Megjithëse Hoxha u ndje i tradhtuar, në atë kohë ai nuk ishte i vetëdijshëm për ndonjë komplot të organizuar kundër tij. Më vonë ai besoi që jugosllavët, nëpërmjet Dushan Mugoshës, kishin përdorur nxënësen e tij, Liri Gega si agjente të tyre… Ndihmësi i Stojniçit, Dizdareviçi thoshte për Hoxhën: “Para Plenumit të Beratit, Nako Spiru dhe një grup donin ta eliminonin Hoxhën, por misioni ynë e kundërshtoi këtë mendim dhe arriti ta mbronte atë. Ne e shpëtuam, por nuk duhet të mburremi tani për këtë veprim. në Plenumin e Beratit, qëndrimi i Enverit ka qenë krejt tjetër.  (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …