Kosova vazhdon të mbetet jashtë prioriteteve konkrete të zgjerimit të Bashkimit Evropian, edhe pas marrjes së Presidencës së Këshillit të BE-së nga Irlanda. Edhe pse Dublini e ka vendosur zgjerimin mes objektivave kryesore të mandatit gjashtëmujor, në programin e tij nuk ka asnjë referencë të veçantë për Kosovën. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Presidenca irlandeze ritheksoi mbështetjen për përparimin e të gjitha vendeve kandidate dhe kandidate potenciale, përfshirë Kosovën, por theksoi se çdo avancim do të varet nga përmbushja e kushteve dhe zbatimi i reformave të nevojshme. Njohësit e procesit të integrimit evropian vlerësojnë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit mes vendeve anëtare të BE-së, veçanërisht pesë shteteve që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Sipas analistëve, përveç mungesës së pajtimit brenda BE-së, pengesë mbetet edhe stagnimi i dialogut me Serbinë, si dhe kriza politike e brendshme në Kosovë. Ata vlerësojnë se Irlanda ka hapësirë të kufizuar për të ndryshuar këtë situatë gjatë presidencës së saj. Ndërkohë, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Mali i Zi dhe Shqipëria, kanë shënuar përparim në procesin e negociatave me BE-në, ndërsa Kosova mbetet i vetmi shtet i rajonit që ende nuk ka fituar statusin e vendit kandidat.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
