Kosova mbetet prapa në fondet e BE-së, Shqipëria kryeson rajonin

Shfrytëzimi i fondeve të Bashkimit Evropian përmes Planit të Rritjes ka nxjerrë në pah dallime të mëdha mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas një analize të publikuar nga “Euractiv”, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë më shumë përparim në përmbushjen e reformave dhe tërheqjen e fondeve, ndërsa Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë përballur me pengesa politike dhe institucionale. Shqipëria kryeson rajonin për fondet e përfituara. Deri në maj të vitit 2026, vendi kishte marrë rreth 212 milionë euro nga mekanizmi i Planit të Rritjes, duke u renditur ndër vendet që kanë avancuar më së shumti në përmbushjen e kushteve të kërkuara nga BE-ja. Në pozitë dukshëm më të pafavorshme është Kosova, e cila deri në maj të këtij viti kishte përfituar vetëm rreth 61 milionë euro. Sipas analizës, kriza politike, zgjedhjet e njëpasnjëshme, mungesa e konsensusit dhe vështirësitë në funksionalizimin e institucioneve kanë ndikuar në aftësinë e Kosovës për të përmbushur reformat dhe kushtet e lidhura me fondet evropiane. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor kap vlerën e 6 miliardë eurove dhe synon të mbështesë reformat dhe zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të rajonit deri në dhjetor të vitit 2027. Deri tani, asnjë prej vendeve të rajonit nuk ka arritur të shfrytëzojë plotësisht shumën e vënë në dispozicion. Shqipëria ka përfituar rreth 23 për qind të fondeve të parapara për të, ndërsa Kosova rreth 7 për qind.

Kontrolloni gjithashtu

PDK-ja me mesazh për VV-në në Kuvend: “Respektoni Kushtetutën, konstituoni Kuvendin”

Deputetët e PDK-së dhe Aleancës janë paraqitur sërish në sallën e Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin …