Adriatik Alimadhi

Kreu i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi ka kërcënuar me likuidim gazetarin e Gazetës, “Dita”, Xhevdet Shehu

Kryetari i Ballit, Alimadhi ka telefonuar Shehun të enjten në mbrëmje pas shkrimit të botuar në Dita mbi Mitat Frashërin dhe fjalimin e Edi Ramës. Biseda është tensionuar deri në pikën e pabesueshme kur Alimadhi i ka thënë Shehut: Ju doni të gjithë plumbin. Kur i është thënë që po regjistrohet, kreu i Ballit ka tentuar të zbusë qëndrim duke thënë se Shehu e provokoi. Më tej, kur gazetari i përmend padinë për kërcënim, Alimadhi thotë se e kishte fjalën për atë që bëri Rama me Mitatin. “Më provokove. Ju në fakt plumbin e morët prej Ramës” – thotë ai. Më poshtë, pjesë nga telefonata e regjistruar mes gazetarit Shehu dhe Alimadhit dhe një koment për atë që ka ndodhur nga vetë gazetari i Ditës:

Alimadhi: (…) unë kam lexuar 1300 e ca dokumente dhe s’kam gjetur një dokument për Ballin e jo për Mit’hatin…

Shehu: Është e kotë të debatojmë në telefon. Unë të dërgoj pyetjet e ti përgjigju si të duash.

Alimadhi:  (…) kanë vrarë katër mijë deri gjashtë mijë shqiptarë në vitet 43-45, i kanë therur, u kanë nxjerrë zorrët ballistëve. E kanë bërë Mit’hat Frashërin tradhtar (…)

Shehu: Hajde o burrë i dheut e fol, edhe ti, edhe Urani e kushdo, ne jemi të hapur…

Alimadhi: (…) Ore e di çfarë keni bërë ju. E tha edhe Kryeministri dje që ai ka bërë gabime, po ju kini vrarë njerëz…

Shehu: Tiku mos e zgjat më tej se kam punë. Unë të jap mundësinë të shprehesh si kryetar (…) Kundërshtoje ti këtë tezën time…

Alimadhi: Po ça jeni për t’u kundërshtuar ju! Ju doni të tërë plumbin ore, me ju heq qafe. Të tërë plumbin doni…

Shehu: Po qe puna për pushkë kjo është provuar në kohën e luftës. Ti të më kërcënosh mua? (…) I ke me zërin tënd këto që po thua pasi unë po të regjistroj… Dhe unë të hap procedim penal për këtë.

Alimadhi: Nuk të kërcënova… Mos më ndërpre e mos më provoko. Po më regjistron? Po punë e madhe se po më regjistron (…)  Kur thashë për plumbin ju në fakt plumbin e morët prej Ramës…

(Botohet me shkurtime. Biseda e plotë e cila ka zgjatur 8 minuta e 55 sekonda ndodhet e regjistruar në redaksi dhe do të paraqitet në Prokurori)

 *****

Pse u trimërua Adriatiku?

Për shkrimin e botuar të enjten në me titullin “Ndaje mendjen zoti Kryeministër: O me Luftën, o me kolaboracionistët” kam marrë shumë reagime. Shumica pozitive, ndonjë edhe kontestues. Një nga këta të fundit ishte reagimi i Kryetarit të Ballit Kombëtar, zotit Adriatik Alimadhi i cili më telefonoi dhe bisedën që bëra me ta po e botoj sot të pjesshme në gazetë. Ishte një bisedë e tensionuar, sikurse mund ta kuptoni nga fragmenti që po botojmë. Të plotë do ta çoj diku tjetër.

Në të vërtetë, duke e njohur prej vitesh zotin Alimadhi dhe falë një bashkëpunimi të herëpashershëm edhe në gazetën DITA, nuk desha fare të bëhej publike kjo bisedë me të. Mirëpo biseda u bë në mjediset e redaksisë në prani të kolegëve dhe ata u indinjuan nga gjuha që përdori kryeballisti.

“Ju doni plumbin? Kjo nuk është shaka!…”, më thanë ata.

Kështu vendosëm së toku që të bëhet publike. Me këtë rast unë sqaroj edhe njëherë idenë e shkrimit tim të pardjeshëm: Nuk e kisha me ballistët dhe as me Mit’hatin, pasi të vërtetat për ta i kemi thënë prej kohësh si bashkëpunëtorë të pushtuesve nazi-fashistë gjatë luftës dhe për rolin e Mit’hatit si kryetar i Ballit në atë kohë. Është e drejta e tyre ta nderojnë idhullin, ish-kryetarin e parë. Mit’hati le të prehej në Shqipëri. Debati i këtyre ditëve ka patur dhe ka tjetër gjë në thelbin e tij: Pse ish-kryetari kolaboracionist i Ballit u nderua me një ceremoni shtetërore nga një kryeministër i majtë, nga kryetari aktual i socialistëve dhe pse u vendos të prehej atje midis tre vëllezërve famëmëdhenj Frashërllinj.

PS ka patur dhe ka në programin e saj mbrojtjen e vlerave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kurrsesi të Ballit Kombëtar e bashkëpunëtorëve të pushtuesve. Ndërsa kryetari i socialistëve dhe Kryeministri aktual e mbajti fjalimin e tij himnizues për Mit’hatin para një turme ballistësh të përzgjedhur.

Nuk e di ende se si janë ndjerë veteranët dhe socialistët nga ky gjest sfidues i zotit Rama. Mendja ma merr se janë ndjerë të fyer dhe të poshtëruar.

Sidoqoftë, le të kthehem sërish te biseda me Kryetarin aktual të Ballit. Nuk më frikëson aspak kërcënimi i tij, ndërkohë që bëj me qetësi dhe përgjegjësi detyrën time si gazetar. Nuk është i pari Adriatiku që më kërcënon. Nja 25 vjet më përpara kur transmetoja për Zërin e Amerikës, më kërcënonin ish-komunistët  dhe më quanin “tradhtar dhe agjent të CIA-s.”

Tani kërcënimi më vjen djathtas, nga një ballist duke më quajtur komunist dhe më sugjeron të ndryshoj qëndrim. Pavarësisht se dëgjoj me vëmendje çdo sugjerim që më bëhet, nuk besoj se këshilla e Adriatikut do të më hyjë në punë. Është tepër vonë të ndikojë mbi mendimet dhe qëndrimin tim edhe fjala poetike e kryeministrit…

Nuk më shqetëson aspak dhe nuk ndihem i frikësuar nga kërcënimi i Alimadhit. Megjithatë, pyes: Pse? Pse janë trimëruar ballistët deri në kërcënime me plumba?

Tikun e njoh që para shumë vjetësh, që kur ishte në pushtet Sali Berisha dhe Tiku ishte një nga aleatët më të ngushtë të tij. Për ato që kam shkruar për historinë e bashkëpunimit të Ballit me pushtuesit, është përpjekur gjithnjë me butësi të më mbushë mendjen për të kundërtën, por pa më kërcënuar.

Pse më kërcënoi mua dhe kolegët e mi Tiku këtë radhë? Të ketë marrë zemër nga kthimi në atdhe i Mit’hatit? Nuk e besoj. Se Mit’hati nuk ngjallet dhe t’u prijë ballistëve në betejat e reja. Me sa kuptova nga biseda e djeshme në telefon me Tikun, besoj se kurajoja më madhe atyre u ka ardhur se ndjejnë që kanë Kryeministrin aktual me vete. Fjalët përdëllyese të tij në rivarrimin e eshtrave të Mit’hatit e mbartnin këtë domethënë. Këtë fjalim Kryeministri socialist e mbajti para ballistëve, jo para veteranëve të luftës antifashiste. Ky ishte paradoksi. Veteranët e luftës janë ndjerë tejet të indinjuar nga gjesti i atij që kanë votuar. Edhe elektorati tjetër socialist nga kryetari i PS-së.

Zoti Alimadhi tha se “na kini vrarë para 70 vjetësh, tani ka ardhur koha të vrasim ne”, më pas shtoi se plumbin e morët prej Ramës.

Kjo mbart një të vërtetë domethënëse. Në ceremoninë për rivarrimin e eshtrave të Mit’hatit, zoti Alimadhi është takuar me Kryeministrin dhe bashkë me ballistët e tjerë morën një mesazh të drejtpërdrejtë. Me sa duket, edhe garanci.

“Plumbin e keni prej Edi Ramës”?? Këtu mbase fshihet e vërteta për trimërimin e ballistëve. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti flet nga Shipkovica: Është koha të përcaktohemi me platformë, më 8 maj rrethojmë numrin 4

Kryetari i BDI-ë,  Ali Ahmeti në kuadër të takimeve me qytetarë në fushatën parazgjedhore për …