Kristo Frashëri: MITROPOLITI I BERATIT, “NON GRATA”

Mitropolit i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Ignati ka qenë i pranishëm në ceremoninë e fronëzimit të peshkopit Irinej si patriark i tanishëm i Kishës Ortodokse të Serbisë, që u zhvillua në datën 6 tetor në Pejë të Kosovës. Në këtë ceremoni Ignati është shprehur i shqetësuar për gjendjen në Kosovë, duke mos nguruar ta quajë shtetin e ri, Jeruzalemin e Serbisë. Historiani i shquar, Kristo Frashëri, në replikë me këtë qëndrim të Mitropolitit të Beratit jep argumentat e tij pse nuk qëndrojnë deklaratat e shprehura nga Ignati. 
Ditët e fundit u krye në Pejë të Kosovës, në selinë mesjetare të Patriarkatit ortodoks të serbëve ceremonia e fronëzimit të peshkopit Irinej si patriark i tanishëm i Kishës Ortodokse të Serbisë. Siç e kërkon dinjiteti patriarkal, ceremonia qe madhështore. Në të morën pjesë rreth 40 përfaqësues të lartë të kishave ortodokse serbe dhe rreth 30 përfaqësues të lartë të kishave ortodokse të huaja. Në radhët e dinjitarëve të huaj bënte pjesë edhe mitropoliti i Beratit, Ignati, me titullin e tij zyrtar “Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë”, i cili e përshëndeti patriarkun serb në emër të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Nuk kemi asnjë kundërshtim për pjesëmarrjen e mitropolitit të Beratit në ceremoninë e Pejës. Kjo për arsye se Kisha Ortodokse Serbe është si dinjitet kishtar motër e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Ajo që na shqetëson është fjala e metropolitit Ignat në lidhje me Kosovën. Sipas gazetës serbe “Blic”, metropoliti Ignat u shpreh i shqetësuar për gjendjen e krijuar në Kosovë, pra për shkëputjen e saj nga Serbia, me fjalë të tjera, për krijimin e Republikës së Kosovës – Kosovë e cila, siç u shpreh ai, është Jeruzalemi i Serbisë. “Tani, – theksoi ai, – po e shoh këtë gjendje në Kosovë. Po ndjehem i shqetësuar. Ne, ortodoksët shqiptarë, kemi ushqyer ndjenja të përbashkëta me popullin dhe kishën serbe gjatë bombardimeve, ja edhe tani këtu në Kosovë. Por, në të njëjtën kohë ndjej një gëzim dhe kënaqësi të madhe këtu në Patrikanë dhe në Kosovë. Kjo e mirë është për serbët dhe Kishën e tyre, e di dhe po e ndjej Jeruzalemin tuaj”. Mendova se me replikën e fundit dhënë Hirësisë së tij, A. Janullatos, nuk do të merresha më me gili-vilit e agjenturës kishtare greke në Shqipëri. Por, djalli nuk të lë të rrish rehat. Çështë ky “Metropolit i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe i gjithë Myzeqesë”, një nga vatrat më të flakta të shqiptarisë, i cili deklaron në emër të KOASh-it se ortodoksët shqiptarë ishin solidarë me popullin dhe kishën serbe gjatë bombardimeve të NATO-s. Harroi ky mitropolit i importuar nga Greqia se për ç’arsye NATO ndërmori fushatën e bombardimeve kundër Serbisë? Si nuk i paska ardhur keq këtij mitropoliti të Kishës shqiptare për ato barbarizmat e shëmtuara që kryen serbët mbi shqiptarët e Kosovës? Po plaçkitjet, djegiet, përdhunimet e grave dhe vajzave shqiptare nga ushtarakët ortodoksë serbë i harroi ky prelat, siç duket i çoroditur nga ndërgjegjja? Cili është ai prelat kishtar, i cili nuk e ngre zërin të mbrojë ashtu siç mëson Krishti në katër Ungjijtë e vet, jetën e njerëzve të çfarëdo race, kombi dhe gjuhe kur këta përdhunohen, torturohen dhe masakrohen nga kushdoqoftë? Ç’tregon ky qëndrim i çoroditur i metropilitit Ignat? Pavarësisht se drejton dioqezën e “Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë”, mitropoliti Ignat është një peshkop i droguar grek, një mercenar i politikës shoviniste të Greqisë, i cili ashtu si dhe mercenarët e tjerë që veprojnë në Shqipëri, si deputeti Vangjel Dule, kryebashkiaku Vasil Bollano dhe kryepeshkopi Anastas Janullatos, morën urdhër nga Athina të fillojnë sulmin kundër Shqipërisë. Dëshmia më e patundshme e këtij mercenarizmi është fjala që ai mbajti në Pejë, e cila përputhet pikë për pikë me politikën që ndjek qeveria greke ndaj Kosovës, si aleate e ngushtë e qeverisë së Serbisë. Mitropoliti Ignat duket se harron që është një prelat i Kishës Ortodokse Shqiptare dhe si i tillë, është i detyruar të respektojë politikën e shtetit ku ai vepron, Shqipërisë dhe kur nuk është dakord të paktën ta qepë gojën, por jo të dalë kundër saj. Sigurisht, ai e di që në themelet e betonuara të politikës së Shqipërisë është pavarësia e Kosovës, është respekti i të drejtave të shqiptarëve të saj. Kisha Ortodokse Shqiptare ka në thememlet e betonuara të saj respektimin e interesave kombëtare të Shqipërisë dhe jo të Greqisë, as të Serbisë. Çfarë respekti do të kenë ortodoksët e Beratit, Vlorës, Kaninës dhe Myzeqesë kur në kishat e tyre në fronin e dhespotit shohin një agjent grek, një prelat që vuan kur mendon se serbët u bombarduan nga aeroplanët e NATO-s dhe kur nuk nxjerr një fjalë ngushëllimi për shqiptarët? Mitropoliti Ignati e quan Pejën, Jeruzalemin serb. Por, a e di Ignati se Jeruzalemi serb nuk është si Jeruzalemi i Krishtit, që shpërndan paqe, ngushëllim dhe qetësi tek njerëzit, kurse Jeruzalemi serb ka nxitur krime të shëmtuara, të padëgjuara e të përbindshme ndaj shqiptarëve, madje jo vetëm ndaj shqiptarëve myslimanë, por edhe ndaj shqiptarëve ortodoksë të Kishës greke vetëm se nuk pranonin të quheshin ortodoksë të Kishës serbe. Hap Kodikun e Beratit, o dhespot i çoroditur nga shovinizmi grek i tanishëm dhe shiko aty se si ushtarët e krishterë serb të Stefan Dushanit kur pushtuan Beratin më 1345, nxorrën nga varret eshtrat e qytetarëve të vdekur dhe për të zhdukur gjurmët e tyre i hodhën në lumin Osum. Le ta lemë mënjanë të kaluarën. Pyesim se si këtij peshkopi të çoroditur nuk i ka bërë përshtypje Masakra e Tivarit, kur brenda 2-3 ditëve në pranverën e vitit 1945, oficerët e kishës serbe masakruan me plumba dhe me bajoneta 3760 shqiptarë të Kosovës? A thua se këta fatkeqë nuk qenë njerëz? Apo ai, Ignati, kënaqet se qenë shqiptarë, pavarësisht se jo të krishterë? Ku e latë mësimin themeltar të Kishës shqiptare që është e ngritur mbi tolerancën fetare, mbi përparësinë e kombit ndaj fesë? Fjala e mitropolitit Ignat në Pejë nuk duhet anashkaluar edhe për një arësye tjetër. Ai është me origjinë nga Çamëria. Vetë KOASh në disa deklarata zyrtare e prezanton atë si një pasardhës të shqiptarëve të krishterë çamë të Fanariut. Kemi dëgjuar se kryepeshkopi Janullatos mendon se kur të vijë dita që pas tij të zgjidhet një kryepeshkop në përputhje me Kushtetutën e vërtetë të KOASh-it, Ignati do të zerë vendin e tij si një kryepeshkop shqiptar nga kombësia. Vini re cinizmin me të cilin Kisha greke trajton çështjen për minoritetet shqiptare në Çamëri. Kur bëhet fjalë për minoritetet shqiptarë në Çamëri, Athina e mohon kryekëput praninë e tyre. Përkundrazi, tani që ka nevojë të sigurojë në vazhdimësi aneksimin e KOASh-it, pranon se në Çamëri ka elementë shqiptarë ortodoksë. Por këto janë lojëra të pandershme të ngjashme me ato që luajnë matrapazët e Manastiraqit të Athinës. Ka ardhur koha që kjo lojë të marrë fund në Shqipëri. Shqipëria është një shtet i pavarur, sovran, demokratik. Si i tillë ajo ka dinjitetin e saj kombëtar dhe ndërkombëtar. Shqipëria nuk ka pse të mbajë në gjirin e vet një nëpërkë me mantelin e mitropolitit. Duke marrë parasysh rolin e dëmshëm që Kisha luan në edukimin qytetar dhe kombëtar të besimtarëve të krishterë ortodoksë, qeveria shqiptare duhet ta shpallë Ignatin “persona non grata” dhe të kërkojë largimin e tij nga Shqipëria. Tirana nuk ka pse të tutet. Mitropoliti Ignat nuk është shqiptar as nga kombësia, as nga ndërgjegjja, as nga shtetësia. Zyrtarisht, ai nuk është as ambasador, as konsull, as përfaqësues i shtetit grek, pra nuk gëzon imunitet diplomatik. Edhe pse prelat, ai është një qytetar i zakonshëm. Të mos kemi frikë për komplikacione nga shteti fqinj, mbasi Athina nuk ka përse të na verë litarin në grykë. Le të bëhemi njëherë shtetarë me dinjitet të lartë. Nuk do të pësojmë dëm. Përkundrazi!

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …