Kryeministri bullgar, Boyko Borisov, ka thënë se Serbia dhe Kosova duhet të ulen dhe të merren vesh për disa çështje

Kryeministri bullgar, Boyko Borisov, ka thënë se Serbia dhe Kosova duhet të ulen dhe të merren vesh për disa çështje

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, ka thënë se Serbia dhe Kosova duhet të ulen dhe të merren vesh për disa çështje. Ai i ka bërë këto komente në kuadër të samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që po mbahet në Bosnje. Borisovi ka thënë se taksa, të cilën Kosova e ka vendosur ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është duke i komplikuar gjërat, por ka theksuar se edhe Bullgaria me Turqinë kanë probleme të caktuara, por që përfaqësuesit e të dyjave vendeve mbajnë takime. Kryeministri i Bullgarisë, ka thënë gjithashtu se, nuk i ka të qarta kritikat të cilat ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i kishte bërë në drejtim të tij. Ditë më parë, kryeministri bullgar kishte thënë se ministri i Jashtëm i Spanjës, Josep Borrell, i emëruar si shef i politikës së Jashtme të BE-së, duhet të përfaqësojë qëndrimin e të gjithë bllokut, pavarësisht se Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ndaj këtij vlerësimi, pati reaguar Daçiq, duke thënë se deklarata e kryeministrit bullgar është “paturpësi”. Pas kësaj përplasjeje, të dyja vendet ftuan ambasadorët përkatës në bisedime. Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka njoftuar se ambasadori serb në Sofje është ftuar në një takim për shkak të komenteve të ministrit Daçiq. Disa orë më pas, edhe Serbia ka ftuar të ngarkuarin me punë të Bullgarisë në Beograd, për bisedime në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …