Kryetari Haliti priti zv.drejtorin e KEDS-it, Avni Alidemaj dhe morën pjesë në përurimin e trafos në Kabash

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim zv.drejtorin e përgjithshëm të KEDS-it, Avni Alidemaj, me të cilin ka diskutuar për nevojat dhe prioritetet e Komunës së Vitisë në fushën e furnizimit me energji elektrike dhe përmirësimit të rrjetit elektrik.

Gjatë takimit, kryetari Haliti ka paraqitur nevojat e Komunës dhe ka kërkuar mbështetjen e KEDS-it për realizimin e investimeve në zonat ku paraqitet nevoja për përmirësimin e infrastrukturës energjetike. Në veçanti, ai ka theksuar nevojën për shtrirjen e rrjetit elektrik në Zonën Ekonomike në Budrikë, e cila paraqet rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve për funksionimin e bizneseve.

Po ashtu, gjatë takimit është diskutuar për disa fshatra të Komunës së Vitisë, të cilat janë identifikuar si prioritete për investime dhe përmirësimin e rrjetit elektrik, me qëllim të krijimit të një furnizimi më të qëndrueshëm dhe cilësor për qytetarët.

Zv.drejtori i përgjithshëm i KEDS-it, Avni Alidemaj, ka theksuar përkushtimin e kompanisë për realizimin e investimeve në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe prioritetet e identifikuara. Ai ka falënderuar institucionet komunale të Vitisë për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe korrekt me KEDS-in, duke vlerësuar gatishmërinë e Komunës për t’iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave që lidhen me realizimin e projekteve të kompanisë.

Në takim, ku kanë marrë pjesë edhe drejtori regjional dhe udhëheqës të sektorëve të KEDS-it, janë prezantuar investimet e realizuara deri më tani në Komunën e Vitisë, si dhe projektet që pritet të realizohen në periudhën e ardhshme. Me këtë rast është theksuar se Komuna e Vitisë mbetet një nga prioritetet e KEDS-it sa i përket investimeve dhe përmirësimit të rrjetit elektrik.

Për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e projekteve në Komunën e Vitisë, kryetari Sokol Haliti e ka nderuar zv.drejtorin e përgjithshëm të KEDS-it, Avni Alidemaj, me mirënjohje.

Pas takimit, drejtuesit e KEDS-it dhe përfaqësuesit e Komunës së Vitisë kanë marrë pjesë në përurimin e trafos së re elektrike në fshatin Kabash.

Ky projekt është vlerësuar i rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në këtë pjesë të komunës, pasi pritet të ndikojë në rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e dukshëm të furnizimit jo vetëm për banorët e Kabashit, por edhe për lokalitetet përreth.

Komuna e Vitisë dhe KEDS-i kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe identifikimin e projekteve të reja që synojnë përmirësimin e infrastrukturës energjetike dhe shërbimeve për qytetarët.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti nderoj me mirënjohje Ilaz Ismajlin dhe Emrush Tafën

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim z. Ilaz Ismajli dhe …