leoni

Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar unitet dhe jo tërheqje përballë ballafaqimit me Serbinë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar unitet dhe jo tërheqje përballë ballafaqimit me Serbinë. Qeveria Kurti nuk e ka komoditetin të mendojë tërheqjen eventuale të ballafaqimit me Serbinë. Kosova sot nuk e ka komoditetin  për dorëheqje e as për zgjedhje të reja. Qeveria e shumicës duhet t’i marrë përgjegjësitë e zgjidhjes së çështjeve të hapura. Për beteja të brendshme politike kurrë nuk është vonë”.

Informatat për situatën e sigurisë në Ballkan, kurrë nuk kanë qenë më shqetësuese në këto njëzet e sa vjet. Kosova sot është përballë sfidave të mëdha që kanë të bëjnë me të ardhmen e saj. Natyrisht sfida më e madhe është marrëveshja finale me Serbinë, e cila ka të ngjarë të hyjë në fazën e vet përfundimtare. Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj Albin Kurti, e kanë marrë përgjegjësinë por edhe besimin e elektoratit, për t’i adresuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përmbylljen e shtetësisë së Kosovës. Kjo qeveri dhe ky kryeministër e kanë kërkuar dhe e kanë marrë mbështetjen e popullit, 50 plus për qind, për t’i zgjidhur temat e mëdha dhe sot nuk e kanë komoditetin që as ta mendojnë tërheqjen eventuale nga kjo betejë. Në të kundërtën kjo do të konsiderohej dezertim në raport me interesin shtetëror e kombëtar të Kosovës. Kosova sot, më shumë se kurrë ka nevojë për unitet politik, në mënyrë që njëzëri ta mbrojë interesin e vet.

Unë dhe partia ime si dhe grupi parlamentar i AAK-së, jemi të gatshëm që në çdo kohë e në çdo situatë të jemi aleatë të kësaj qeverie e të këtij kryeministri, që në betejën politike me Serbinë, ta mbrojmë Kushtetutën, integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kjo duke mos rrezikuar për asnjë moment të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Kosova sot nuk e ka komoditetin e debateve as për tërheqje, as për dorëheqje e as për zgjedhje të reja. Qeveria e shumicës duhet t’i marrë përgjegjësitë e zgjidhjes së çështjeve të hapura. Për beteja të brendshme politike kurrë nuk është vonë.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …