Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi: Kushtetuta është themel i shtetit tonë modern

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi: Kushtetuta është themel i shtetit tonë modern

Kryetari i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në pritjen solemne për shënimin e Ditës së Kushtetutës, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë. Ai ka thënë se një dekadë më parë kemi vendosur të ndërtojmë të ardhmen tonë, si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, që u bë atdhe i të gjithë qytetarëve. Kreu i shtetit theksoi se Kushtetuta e Kosovës është ndër më modernet në Evropën Juglindore dhe mishëron vlerat e të drejtave të njeriut, të qytetarëve të barabartë, duke garantuar liritë qytetare dhe barazinë para ligjit.

Dhjetë vjet më parë, sipas kryetarit Thaçi, u projektua rruga euroatlantike me synimin që shteti i Kosovës të jetë anëtar i BE-së dhe i NATO-s. I pari i vendit ka thënë se në këtë dekadë të funksionimit kanë qenë dhe do të jenë të domosdoshme edhe ndryshimet kushtetuese, si një nevojë për forcimin e institucioneve dhe shtetësisë sonë. Ndër ndryshimet kryesore që, sipas kryetarit i presin qytetarët e Kosovës janë edhe ndryshimet e nevojshme për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, përfshirja e komunitetit kroat dhe atij malazez në Kushtetutën e Kosovës dhe ndryshimet që kërkohen për të përmbyllur reformën elektorale.

Kreu i shtetit i ka falënderuar edhe vendet mike për përkrahjen e pa rezervë dhe i ka uruar të gjithë ata që me punën e tyre e mbrojnë dhe e forcojnë Kushtetutën e Kosovës, themelin e shtetit tonë. Hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i ka dekoruar edhe me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë.

Kontrolloni gjithashtu

Qerkini: Dyshohet për varreza masive edhe në tetë lokacione të tjera

Bajram Qerkinaj ka deklaruar se nuk ka seriozitet të institucioneve të Kosovës, për Personat e Zhdukur

Bajram Qerkinaj, përfaqësues i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, ka shprehur keqardhjen e tij …