Labinot Dervishaj: Kush nuk e pranon shtatoren e Adem Jasharit, në Prishtinë?

Labinot Dervishaj: Kush nuk e pranon shtatoren e Adem Jasharit, në Prishtinë?

Të shkruash për Adem Jasharin, komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është punë e thjeshtë, ngase duhet menduar shumë herë para se ta vendosesh një fjalë apo një tekst për këtë hero. Pasi që vepra dhe sakrifica e tij sublime është unikate në gjithë historinë botërore dhe i kalon përmasat e thjeshtësisë njerëzore. Kushtrimi i pushkës së Adem Jasharit dhe i fisit tij e ngriti në këmbë gjithë Kosovën dhe e bashkoi rreth një ideali që më shumë ndershmëri dhe krenari e udhëhoqi Ushtria Çlirimtare e Kosovës deri në sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar dhe ndërhyrjen e NATO-s për ta parandaluar spastrimin etnik dhe krimet makabre që po i bënte Serbia ndaj popullatës civile shqiptare. Jehona e pushkës së tij me gjithë ngjarjet e tjera që e pasuan e mori epilogun racional në qershor të vitit 1999, Kosova u çlirua përfundimisht nga kthetrat sllave dhe do të frymojë  e lirë për jetë të jetëve e lirë.

 Me krijimin e rrethanave të reja të jetës dhe sistemit politikë në vend të filluara nga pika zero nuk mund të themi së nuk është punuar asgjë, por mund të theksojmë me bindje të plotë nuk është bërë sa duhet. Është fat i mirë që në dy dekada e më shumë Prekazi është vendi me i vizituar jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Njerëz të thjeshtë dhe personalitete të shquara ndër ta edhe ndërkombëtar kanë bërë nderime para veprës dhe sakrificës sublime të Adem Jasharit. Janë shkruar fjalë të mëdha dhe libra për Adem Jasharin, janë emetuar shumë shkolla e rrugë me emrin e kryetrimit legjendar. Në shumë sheshe e qytete janë ngritur shtatore për këtë hero duke filluar në Skenderaj, Vushtrri, Malishevë, Lipjan, Tiranë, Shkup e shumë vende të tjera.

 Por 23 vite nga epopeja e UÇK-së e plotë 13 vite nga krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës vazhdon të mungoj shtatorja e Adem Jasharit në Prishtinë. Kjo është një papërgjegjësi e madhe e të gjitha partive politike dhe e gjithë kryetarëve të një pas njëshëm të Prishtinës që nga viti 2000 e deri me sot. Është papërgjegjësi dhe turp i madh për të gjithë liderët politikë në vend për mungesë të iniciativës dhe vullnetit për ta vendosur shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë. Në asnjë mënyrë nuk kontestohen shtatorët e figurave të tjera historike të vendosura në sheshet e kryeqytetit por do të duhej që në mes të tyre të ishte me e theksuara dhe kryesorja shtatorja e Adem Jasharit.

Por për ironinë më të madhe e gjithë spektri politikë në çdo përvjetor ka qenë i kamufluar dhe aspak i sinqertë vetëm me deklarime e postime të shkurta formalitet fare dhe asnjeri nga ta nuk e ka ngritur shqetësimin për shtatoren që i mungon në Prishtinës tash e sa vite.

Po kush nuk po e donë shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë? Kënd po e pengon shtatorja krye-heroit Kosovës në kryeqytet? Pse po ndodh më vite e dekada kjo zvarritje për vendosjen e shtatores së komandantit legjendar? Janë pyetje hipotetike sot në vendin tonë që askush nuk mund t’u jep përgjigjën e saktë. Por një gjë dihet fare mirë së kjo është padrejtësi e paskrupullt, shprehje e mos respektit dhe nderimit për veprën kolosale dhe sakrificën sublime të Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Ata që nuk e duanë shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë janë në mendje te cektë, dhe në këtë formë po tregojnë së janë edhe kundër idealit të Adem Jasharit dhe kundër lirisë së atdheut për të cilën ai luftoi. Ata që nuk e duanë shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë dhe në vend të saj parapëlqejnë që në kryeqytet të qëndrojnë figura të ish-Jugosllavisë, të vëllazërim-bashkimit gjithçka mund të jenë veç shqiptar jo.

Kjo indiferencë dhe neglizhencë e paradoksale e institucioneve të Kosovës dhe veçanërisht e komunës në Prishtinas ndër të tjera po nxjerr në pah diçka tjetër. Më këtë veprim vetëm sa po vërtetohet ai supozimi se shumë njerëz në Prishtinë nuk e kanë dashur luftën çlirimtare, ashtu siç është urryer gjithçka që i përkiste luftës çlirimtare që nga pas lufta e deri më tani nga individ dhe qarqe të caktuara në Prishtinë.

E keqja nuk e përmbledh vetëm këtë, por edhe kompleksi Memorial në Prekaz ka mbet në mëshirën e kohës dhe shumë shpejt rrezikon të shembet si shkak i mos konservimit të tij. Se fundi është raportuar edhe për dëmtimin e varrezave dhe memorialëve të dëshmorëve si nga natyra por edhe nga dora e njeriut, siç është rasti i fundit më shtatoren e heroit tjetër të kombit Ali Ajetit. Shteti i Kosovës duhet që orë më parë ta merr më seriozisht këtë punë dhe t’i kushtohet fokus i veçantë dhe përkujdesje të merituar shtatorëve të heronjve dhe dëshmorëve të kombit

Nuk është nderim vetëm ta kujtosh me një vizitë apo një paragraf fjalësh në ditë përvjetorësh, por nderimi ka edhe dimensione të tjera. Bac për keqardhje ende nuk është kryer amaneti yt, Bac të kemi borxh shumë ne si popull ty edhe si shtet!

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …