Brickos

Labinot Gjini

Labinot Gjini: Forca politike e Hashim Thaçit qëndron te e vërteta se ai është çelës-guri i regjimit UNMIKO-AHTISARIAN

Mbrëmë ishin mbledhur ca “analistë” dhe sikur po vinin në përfundim të shpjegimit se Hashim Thaçi mbeti për këto vite në pushtet sepse na i paska kundërshtarët e dobët. Anasjelltas, ky përfundim i tyre donte të thoshte se Hashim Thaçi na qenka lojëtari më i mirë në fushën politike nga sa mund të jenë të tjerët. Por, siç e kam shprehur edhe më herët, këta “analistët” tanë e kanë një problem të thellë me analizën sepse analiza e tyre politike gjithëmon ngatërrohet me imagjinatën popullore (mitin) dhe me sportin. Politikologu i njohur Daniel Gaxie, qysh në vitet 70-ta, n’a e ka dëshmuar në mënyrë të pakontestueshëme se varësia e distancës politike, gjinia, mosha, niveli i shkollimit, profesioni janë variable të rënda përsa i përketë interpretimit të ngjarjëve dhe diskursëve politike. Rezultatët e tij të bazuara mbi një metodë të dyfisht, anketa sasiore (kantitative) dhe cilësore (intervista), tregojn qartazi se, në përgjithësi, sa më e madhe të jetë distanca me politikën e krijuar nga variablët në fjalë, aq më shumë bota politike do të interpretohet sikurse një lojë e sportit dhe, veçanërisht, si një sport luftarak ku shembulli më tipik është ai i boksit. Që këto interpretime të fuqizohen në ndërgjegjjen publike shqiptare dhe jo të tjerat, më analitike dhe më të përafërta me të vërtetën dhe realitetin e fushës politike, në mënyrë të veçant, ka kontribuar media jonë e cila në çdo të dytin artikull përdor fjalën “goditje”. Pra, e goditi filan politikani filan tjetrin, e goditi ai këtë e ky atë. Apo filani ka bërë një lëvizje shumë të papritur e të fortë, kurse ky tjetri një lëvizje të dobët etj…

 Këtyre interpretimëve banale të disa medieve tona i janë bashkangjitur me të madhe edhe “analistët” të cilët, në mungesë të kapacitetit për analizuar ngjarjet në mënyrë të mirëfillët, detyrohen të sjellin interpretime popullore të ngjarjëve politike. Kështu, brenda këtij trendi të përgjithshëm ku analisti është popull e populli analist, edhe këta “analistët” mbrëmë e interpretonin Thaçin si një njeri më i fortë se kundërshtarët e tij. Por, më i fortë në çka nga kundërshtarët e tij do të pyeste një analist i mirëfillët ? Më i fortë në diskurse, debate, argumentim, në të njohur dhe të të bërit politika publike, në kapacitetin për të menaxhuar paranë publike, në kapacitetin për të ofruar politika adekuate me problemet të cilat po përballët vendi apo në çka tjetër ? Të gjithë jemi në pozicion ta dimë se këto cilësi nuk i ka Hashim Thaçi më të thekësuar se sa liderët e tjerë të skenës sonë politike. Bile, afër Albinit, ai nuk vjen fare në pyetje me këso krahasimësh. Apo e kanë fjalë se ai është më i fortë se kundërshtarët e tij politikë për të vetmin fakt se ai po arrinë të qëndrojë në pushtet edhe pas faktit të të gjitha të palarave të tij duke përfshirë tradhëtinë kombëtare, shkeljen e kushtetutës, faljen e tokës Malit të Zi, negociimin e sovranitetit të vendit me Serbinë, faktorizimin e Serbisë në çdo sferë të jetës politike të Kosovës, mbajtjen peng të ushtrisë së Kosovës etj…. ? Në realitet, është kjo e dyta ajo që kanë në mendje këta far analistash e të cilën e cilësojnë si “forcë” të Hashim Thaçit. Mirëpo, a është në të vërtetë kjo forcë e Hashim Thaçit apo forcë e një sistemi të tërë ku Hashim Thaçin e kanë vënë si çelësgur të tij ?

 Ndër vite me radhë, në një ndërveprim në mes ndërkombëtarëve, Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës është ngritur një sistem politik në të cilin dal nga dal raporti i forcave në terren ka shkuar gjithëmon duke e favorizuar rilegjitimimin e Serbisë në Kosovë dhe deligjitimimin e synimëve të shqiptarëve për një shtet të pavarur e sovran kundrejt Serbisë dhe me synime afatëgjate për një ribashkim me Rep. e Shqipërisë. Këto ndërveprime kanë dhënë këto rezultate të cilat i njohim sot ku Serbia është bërë ortake reale në Kosovë nga fakti sepse i “forti” i Kosovës, Hashim Thaçi, rregullisht ka negociuar Kosovën për për pozicionin e tij në pushtet gjerësa udhëheqësit e Serbisë nuk kishin pse ta bënin këtë ndaj ndërkombëtarëve.

Fuqia e politike e Hashim Thaçit, prej vdekjes së Rugovës e këndej, është një fuqi e cila ka burimin tek ambasadat ndërkombëtare dhe jo tek populli shqiptar. Demokracia dhe vota e popullit shqiptar është një iluzion me të cilin po blihet paqja sociale. Hashim Thaçi ka zëvendësuar Rugovën si çelësgur i regjimit unmikian për ta kryer të njejtin mision i cili ishte dhe mbetët ripajtimi me Serbinë dhe pranimi i një regjimi të llojit bashkim-vllaznim nën një sistem kapitalist. Sepse, për disa qarqe ndërkombëtare problemi në mes Kosovës dhe Serbisë është një problem i një epoke të caktuar millosheviqiane dhe jo si një problem historik i pandërprerë ku kombi shqiptar refuzon pushtimin e çfarëdoqoftë lloji të Serbisë mbi tokat e tij. Pra, për disa qarqe ndërkombëtare, të cilët kanë një njohje tepër të cunguar dhe sipërfaqësore mbi këto çështje, gjithëmon të vjelur nga dokumentacionet dhe interpretimet e Beogradit, koha e Titos demonstron se shqiptarët “mund të jetonin bashkë me serbët” dhe ai sistem mund të “rifunksionojë” si më mirë nëse ka për ndryshim bazën sistemike ekonomike. Këto qarqe ndërkombëtare kanë arritur që interpretimi i tyre i ngjarjeve historike dhe zgjidhja e “konfliktit” (ashtu e kanë quajtur) në mes shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë të jetë një ribashkim-vllaznim gradual përmes negociatave të pafundme ndërmjet palëve gjerësa të krijojn një sistem të dyzuar politiko-administrativ dhe të qëndrueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ku BE-ja do të jetë si mbikqyrëse e përhershëme e tij. Kështu, Prishtina do të mund të vazhdojë ta menaxhojë jetën ekonomike, politike, sociale lokale (Kosovën) siç e mendon vetë, por gjithëmonë në koordinim me Beogradin për çështjet të cilat ai i konsideron si të rëndësishëme për tërësinë e këtij sistemi të dyzuar (bicefal). Kuptohet se kjo do të pamundësonte veprimet unilaterale dhe të dhunshëme të Beogradit kundrejtë shqiptarëve të Kosovës, por, në të njejtën kohë, do t’ja mundësonte Beogradit të jetë sërish qëndra dominante e vendimarrjës dhe kontrollit të kësaj tërësie.

Këtë interpretim të ngjarjeve historike dhe këtë zgjidhje të çështjës së Kosovës, fillimisht të prezentuar në mënyrë krejtë sipërfaqësore nga ndërkombëtarët, Hashim Thaçi e ka pranuar se mund ta realizojë në tavolinën e negociatave (sekrete) me ndërkombëtarët në shkëmbim të ardhjes së tij në pushtet.

Pra, qysh në fillim, ai ka pranuar se mund të jetë shumë fleksibël me idetë dhe vizionin e tij politik para ndërkombëtarëve. Por ai nuk kishte aftësinë për të ditur se deri ku do t’i kërkohej fleksibilitet prej tij. Pasi ka ardhur në pushtet dhe e ka shijuar mirë atë, Hashim Thaçit i janë prezentuar detajet e një pas njëshëme të planit afatgjatë të cilat i ka pranuar njërin pas tjetrit. Këto pranime ishin rrjedh logjike e koherente dhe arsyetonin njëra tjetrën në kokën e Thaçit sepse atij i është prezentuar plani për Kosovën puzzël për puzzël ku njëri kapej për tjetrin. Mirëpo, duke i prezentuar këto puzzëla që ngjiteshin njëri për tjetrin, askush nuk ja kishte treguar atij (Hashimit) se çfarë do të na del nga bashkimi i tërësishëm i tyre. Ai vetë nuk kishte aftësinë për ta kuptuar këtë lojë kaq të komplikuar politiko-diplomatike, në të cilin po luante edhe Serbia. Tërësinë e këtij plani ai e ka kuptuar më vonë, atëherë kur ishte zhytur tanimë në të dhe nga ku nuk kishte kthim të ndershëm nga ai. Nga kjo ai ka zgjedhur që të vazhdojë në këtë rrugë pandershmërie dhe tradhëtie në vend se të largohet prej saj edhe ashtu me kokën ulur. Arroganca e tij e ka shtyrë që të vazhdoj duke e paraqitur këtë rrugë politike tërësisht tradhëtare dhe të pandershëme si rrugë paalternativë, si rrugë të ndershme, si rrugë brenda mundësive. Mirëpo, problemi është se Hashimi e di se kjo rrugë ishte pranuar prej tij prej kohësh dhe se është rruga e dobësive të tij politike, e mungesës së kapacitetit të tij për të luajtur dhe ofruar tjetër rrugë. E di se ai ka gabuar rëndë dikur dhe e di se aftësitë e tij tepër të limituara politike nuk ja mundësojnë që të mund të ndryshojë ndonjë gjë. Bile, ndoshta, njëra prej justifikimëve të tij të përditshëme mund të jetë se “askush nuk do të kishte bërë më mirë nga unë edhe ashtu”.

Dhe ky justifikim duhet të jetë i rregullt në kokën e tij për të qëndruar sikur një i çmendur në një pushtet, i cili po jeton mbi një situatë të jashtëzakonshëme politike, sociale dhe ekonomike. Por ndërgjegjja e Thaçit dhe vullneti i tij për të qëndruar në pushtet kanë pak të bëjnë me fuqinë e tij për të qëndruar aty. Thaçi mund të jetë prej kohësh një skizofren i cili nuk e dallon më realitetin nga iluzioni i tij, por kjo nuk e shpjegon se pse ai arrinë të qëndrojë aty. Edhe po të ishte tërësisht i çmendur dhe i paaftë politikisht dhe, këtë, sikur edhe ta dinin (gjë që edhe e dinë) i gjithë rrethi i tij politikë dhe ndërkombëtarët, ai do të qëndronte aty. Fjalimet e tij të pakontrolluara, tërësisht disproporcionale me realitetin edhe mund të dëshmojnë për çmendurinë reale të këtij njeriu. Mirëpo, ai do qëndrojë në pushtet sepse regjimi politik nuk e lë të bjerë atë. Sepse, atë që duhet kuptuar është se i gjithë regjimi politik, ky që është, është i ngritur mbi figurën e Hashim Thaçit. Rënia e Thaçit do të thoshte rënie e të gjithë regjimit, të cilin e ka ndërtuar për vite të tëra bashkësia ndërkombëtare, Serbia në bashkëpunim me Thaçin. Ndërkohë, pasaardhësi i mundshëm i Thaçit, Albin Kurti, deritani nuk po duket që është i gatshëm ta pranojë këtë regjim dhe të vazhdojë në të njejtën rrugë në të cilën vazhduan paraardhësitë e tij (Rugova dhe Thaçi). Ai po kërkon një shkëputje definitive nga ky sistem, i cili buron tërësisht nga ndërkombëtarët dhe Serbia për t’ja kthyer popullit shqiptar dhe demokracisë. Ide dhe vizione të cilat, domosdo, se nuk janë të pranueshme nga ndërkombëtarët dhe Sërbia. Mirëpo, strategjia e tij politike, ishte qysh në fillim një ngritje masive popullore kundër këtij regjimi duke injektuar në të të vërtetën e tij (të regjimit dhe orientimit politik të tij), në njërën anë, dhe duke bërë dekonstruktimin e propagandës së regjimit i cili po ndihmohet nga ndërkombëtarët dhe Serbia, në tjetrën anë.

Bashkimi i opozitës ishte rezultati më i lartë i kësaj strategjie të qartë e cila, për herë të parë, i solli ndërkombëtarët, Serbinë dhe marionetat e tyre në një defensivë të paparë. Për herë të parë u pa hezitimi i ndërkombëtarëve përsa i përketë planit të tyre afatëgjatë për të kirjuar një sistem të dyzuar ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ata hezituan vërtetë dhe tanimë nuk janë shumë të sigurtë nëse ky plan do të funksionoi apo jo. Mirëpo, shpresa nuk ju ka humbur sepse Hashim Thaçi i risiguroi ata se dialogu do të vazhdoj me Serbinë. Cka do të thotë se ai po ribëhet garant i një qëndrueshmërie të këtij regjimi nëse do të ketë përkrahjen e tyre. Mirëpo, pasi Hashim Thaçi ishte një çelësgur i këtij regjimi të çuditshëm të Kosovës, ndërkombëtarët e kanë kuptuar se ai nuk e mban dot më në këmb këtë regjim. Po të mos ishin ata dhe intervenimi kaq direkt dhe publik i tyre, Hashim Thaçi dhe regjimi do të bienin njëherësh. Këtë e dinë mirë ! Prandaj, ata i gjetën (pranuan) zgjidhje Hashimit në një post simbolik dhe tani janë në kërkim të një lideri tjetër i cili do të mund ta zëvendësoj atë si çelësgur të regjimit. Këtu fillojm të kuptojm edhe përçarjen e opozitës. Nuk është oferta e PDK-së apo e LDK-së për Ramushin që ka bërë që opozita të përçahet, por është oferta e ndërkombëtarëve (kupto mbrapa edhe Serbinë) ndaj Ramushit për tu bërë çelësguri i këtij regjimi. Pse Ramushit ? Sepse duke tërhequr Ramushin, ata ndalojn Albinin i cili, edhe kur luftonte Thaçin, e kishte të qartë se është ka sjell mbi çelësgurin e regjimit, pra mbi regjimin. Cka do të thotë se ai luftonte dhe po lufton një regjim të tërë dhe jo një pjesë të tij. Kurse ndërkombëtarët dhe Serbia kanê hallë se si të mbajn gjallë këtë regjim dhe jo filan individin apo filan tjetrin. Këtë e di edhe Hashimi, prandaj edhe në çdo paraqitje të tij ai bënë ç’mos që të tregohet si njeri besnik i regjimit. Pra, deri edhe të largoj flamurin e vetem kuq e zi në sheshin Skenderbe. Pra, kështu, duke tërhequr Ramushin, ndërkombëtarët po tentojn të stopojn një revolucion real i cili po e vinte në pikëpyetje të gjithë regjimin e ngritur nga ata dhe të gjithë rrjedhën e planifikuar të tij në të ardhmën. Ramushin sepse Ramushi po lufton pushtetin. Jo Albinit i cili po lufton regjimin dhe i cili po mundohet të vijë në pushtet jo përmes ambasadave dhe pajtimit të Serbisë, por përmes mbështetjës popullore. Ramushin sepse Ramushi ka kapacitetin të sheh vetëm puzzëlit politik të prezentuar dhe të përpiqet për apo kundër tyre, por asnjëherë të kuptoj, në kohën e duhur, lojën politiko-diplomatike në tërësinë e saj. Prandaj edhe ai (Ramushi) është zvarritur dhe po zvarritët nga politike edhe kur nuk pranon të zvarritët fizikisht si Visar Ymeri. Gjerësa, në të njejtën kohë, ndërmjet Albinit dhe ndërkombëtarëve është duke u luajtuar mbi çdo puzzël të politikës si pjesë e një vizioni global të saj ku të dy palët kanë ndërgjegjje për tërësinë.

E gjithë kjo nuk e bënë Hashim Thaçi një lojëtar të fortë të regjimit po aq sa nuk ka për ta bërë ndonjëherë një lojëtar të fortë Ramushin nëse arrinë të vijë në majat e pushtetit. Forca dhe kapaciteti politik i një politikani matët në atë se si vjen në pushtet dhe çfarë bënë me të. Mund të qëndrosh në pushtet po ashtu siç po qëndron edhe Butefikla në Algjeri i kapluar nga sëmundja, i paaftë edhe të flasë, një mumje e gjallë, ja ashtu vetem si imazh sepse mbi të është ngritur regjimi dhe regjimi e mban sepse ka nevojë për të. Kjo nuk e shpjegon aftësinë tënde politike mbi atë të kundërshtarëve, por e shpjegon se si je shëndërrua në një kukullë të një regjimi mbi të cilin nuk ke kontroll, në realitet. Kështu është edhe puna me Thaçin. Është ndoshta ndër politikanët më mediokër shqiptarë që ka njohur historia politike e Shqipërisë, por ishte njeriu më i përshtatshëm pas Rugovës për të qenë kukulla e këtij regjimi. Pra, aty ku një banalist sheh fuqi e kapacitet, po aty, një analistë i mirëfillët sheh paaftësi personale dhe e kupton se burimi i fuqisë së tij qëndron diku tjetër : pra tek mbështetja e Serbisë dhe e ndërkombëtarëve në rastin në fjalë.

Serbia dhe ndërkombëtarët po bëjnë ç’mos që të frenojn marrjen e pushtetit nga një opozitë e bashkuar e cila do të ishte e mbështetur nga një popull i revoltuar. Ky do të ishte një fund i vërtetë i Serbisë në Kosovë dhe një rrotullim i marrëdhënieve me ndërkombëtarët i cili do të shëndërrohej nga marrëdhënie paternaliste në marrëdhënie partneriteti. Serbia e dinte se gjendja ishte e rëndë dhe se plani i elaboruar me ndërkombëtarët për një Kosovë përgjithnjë të lidhur me Serbinë ishte keq i rrezikuar kohëve të fundit. Për ta ruajtur këtë regjim i cili i ruante interesat e saj afatëshkurtëra dhe afatëgjata, ajo pranoj t’ja mundësoi Hashimit presidencën e vendit duke i detyruar deputet e saj që të qëndrojnë në sallë. Megjithëkëtë, duke përfituar nga paaftësia e Thaçit për të kuptuar se ajo ishte disi e detyruar ta pranonte Hashimin president ose të pësonte ardhjen e një regjimi të ri, ajo arriti që edhe kjo situatë të përfitojë prej Hashimit duke negociuar ambicien e tij të sëmurë për pushtet me interesat vitale të Kosovës. Negociim nga i cili ende nuk i dimë saktësisht rezultatët. A u negociu vetem formimi i një komune të re serbe apo u negociua edhe Trepça ? Këtë do ta marrim vesh shumë shpejt.

Mirëpo, nga e gjithë kjo mund të kuptojmë se aftësia e Hashim Thaçit në politikë është të negociojë dhe të lëshojë pe, të shesë e të falë interesat e vendit të tij për të arritur interesat e tij personale. Këtë aftësi kishte edhe Ahmet Zogu dikur. Inaugurimi i tij pikërisht më 7 prill sikur të bën të medosh se edhe historia po na flet.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …