Lefter Lutfi Koxhaj (22.9.1969 - 7.8.2001)

Lefter Lutfi Koxhaj (22.9.1969 – 7.8.2001)

Atë natë që është vrarë Lefteri, tregon bashkëshortja e tij, Rabia, flija me të dy fëmijët, duke qëndruar në mes tyre.

Ndërkohë, djali, i cili në atë periudhë nuk i kish mbushur dy vite, llahtariset në gjumë, duke thirur: “Ba …. , Ba … !”.

Ngrihem si e çmëndur, pasi edhe vetë isha në ëndërr duke biseduar me Lefterin. I shtrëngoj të dy fëmijët në gjoks dhe mundohesha t’i qetësoja. U ngitën mëma ime, babai dhe vëllai dhe erdhën në dhomën ku flija …. Qysh kur Lefteri u nis për në Kosovë, unë rrija te shtëpia e prindërve të mi …. “, dhe ajo vazhdon të tregojë përmes lotëve se si djali, prej asaj dite humbi dëgjimin dhe të folurit, që porsa e kish filluar.

Ka shkuar te shumë doktorë, e ku nuk e ka vizituar. Mjekët i thonë se do t’i vijë përsëri dëgjimi dhe të folurit, “e ka patur nga të tremburit e tmerrshëm në gjumë”, i shprehen pothuaj të gjithë ata. Ndoshta kjo është një temë, të cilën ne, njerëzit e thjeshtë nuk e shpjegojmë dot.Po si është e mundur, që në orën kur komandant Teli vritet në gjumë, djali i tij zgjohet me britma e llahtarë dhe humb dëgjimin dhe të folurit; ndërkohë njëkohësisht edhe bashkëshortja bisedonte në ëndër me Lefterin, i cili duke vjellur i thoshte se “nuk kam gjë, më hodhën një ilaç, por do më kalojë”! Të jetë teletapati? A ka mundur shkenca ta shpjegojë këtë mister të trurit? Dhe pas 24 orësh familja e Lefter Koxhaj njoftohet për atë çka i biri dhe bashkëshortja e tij kishin parë në endërr.

Lefter Koxhaj, i biri i Lutfiut dhe i Aliesë, ka lindur në fshatin Nishovë të Skraparit. Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesmen në Poliçan, pat punuar në kooperativë dhe me ndërrimin e sistemit shoqëror dhe hapjen e kufirit me Greqnë, shkoi refugjat ekonomik së bashku me shoqen e jetës, Rabien, duke punuar sa në Kretë, sa në Athinë e sa në Selanik. Luftën e Kosovës e përjetoi nga Greqia, duke i ndjekur lajmet me shumë interes. Natën e vitit të ri, duke pritur vitin 2000, u kthye ta festonte pranë prindërve të tij.

Në mars të vitit 2000, mësoi se kish shpërthyer lufta në Luginën e Preshevës dhe një muaj më vonë u nis për atje. “Grua, ndoshta edhe nuk kthehem më, por amanet fëmijët! Djalit m’i thirr në emër tim, pavarësisht se quhet Letjon! Të ma ritësh Rexhinën dhe Letjonin, ashtu si unë kam dashur e të jam shprehur shumë herë! Unë po shkoj në luftë. Mos më thuaj asnjë fjalë! E di çdo të më thuash. E kam vendosur”, – kujton Rabieja dhe lotët nuk i reshtin për asnjë moment. Dhimbje!

Lefteri, pasi mbërriti në Kosovë bëri çështë e mundur të lidhej me pjestarët e UÇPMB-së, por ata, me të cilët u njoh në Gjilan e drejtuan në lidhje me atë që po përgatitej në Maqedoni. Hynte e delte në Kumanovë dhe grumbullonte shokë, duke bashkëpunuar me të gjithë ata që përgatiteshin për të fituar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

Kur shpërtheu lufta e atjeshme nga ata që formuan Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) të shqiptarëve në Maqedoni, Lefteri kish krijuar njësitin e vet, fillimisht në Sllubçan, në përbërje të të cilit kish edhe Pajtim Rocin nga Hasi i Krumës dhe Ndriçim Koxhën prej Gizavezhdit të Librazhdit. Ku nuk u dëgjua pushka e Lefterit dhe e shokëve të tij në Maqedoni? Prej Sllubçani, në betejën e Mateqit e në tërë Karadakun dhe mekanizuar e të blinduar të ushtrisë së Maqedonisë. Aty u vërtetua, si në asnjë rast tjetër, thënia e Napolon Bonapartës, se shtatëdhjetë përqind e fitores në luftë varet nga morali. Ushtria maqedonase, jo vetëm që u step nga kundërsulmi i trimave shqiptarë, por ajo u detyrua të lërë me vrap fushën e betejës, pasi iu asgjësuan 16 tanke e autoblinda, 27 automjete të ndryshme ushtarake, me dhjetëra të vrarë, dhe iu kapën robër gati 200 ushtarë. Të tjerët ikën nga sytë, këmbët. Në krye të sulmit ishte komandanti i njësitit luftarak të UÇK -së, Lefter Koxhaj, duke sulmuar në ballë të njësitit me top dore në dorë. Të nesërmen e asaj beteje, ministri i mbrojtjes i Maqedonisë doli në foltoren e Parlamentit maqedon dhe deklaroi se UÇK -ja ishte më e fortë se ushtria e shtetit maqedon. Kjo deklaratë e dhënë në media ia nxiti edhe më shumë guximin dhe fantazinë komandant Telit dhe u nis për në Shkup (pa u konsultuar me udhëheqjen e UÇK-së), ndoshta për veprime luftarake të një karakteri më të rrezikshëm. Natën e 7 gushtit 2001 u fut ilegalisht në qytetin e Shkupit, së bashku me Pajtimin, Ndriçimin dhe dy vëllezërit e familjes ku u strehua atë natë, në lagjen Gazi-Babë të Shkupit. Pasi u çlodhën, organizuan ruajtjen me pjesëtarët e familjes dhe ranë për të pushuar, por. .. nuk u ngitën më kurrë.

“Si është e mundur të jetë kapur komandant Lefteri në gjumë, – tregon bashkëluftëtari tjetër i tij, Ilir Halimi nga Elbasani,- pasi ai edhe në gjumin më të thellë të natës dëgjonte përtypjen e bagëtive më shumë se njëqind metra larg dhe ngrihej e thërriste: Roje! Është e pamundur të kapej Teli në gjumë. Unë nuk e besoj”. Mos vallë duhet t’i besojmë ëndrrës që kish parë bashkëshortja e Lefterit natën e tragjedisë? U vranë vetëm ata që kishin ardhur nga atdheu amë! Masakër e plotë, në befasi, në pabesi, në gjumë. Kot nuk thonë se ujët fle, e hasmi nuk fle. Nami që kish marrë dhenë për cilësitë luftarake të pashoqe të komandant Telit, qenë bërë objekt vëmëndjeje për shërbimet sekrete vendase dhe të tjera. Duhet të jetë ndjekur hap pas hapi. Vonë, pas shumë muajsh, qeveria maqedone lejoi t’ia merrnin trupin komandant Telit, nga morgu i spitalit të Shkupit. Ndoshta nuk u besohej që kish vdekur, ndaj dhe e mbanin të zaptuar në morg. “Vrasja tradhëtisht dhe në mënyrë mizore prej policisë sllavo-maqedone, shkruan bashkluftëtari i tij poet, Petrit Mënaj, tregon vlerat dhe rrezikshmërinë që paraqeste për ta, komandant Teli”, për të cilin ka ngritur edhe vargjet:

Pyesin malet rrotull

Shkupi të kërkon

Ku është Lefter Koxhaj

Trimi syshqiponjë …

(D. G.)

Kontrolloni gjithashtu

Brahim Demush Morina (1.2.1950 – 17.5.1998)

Brahim Demush Morina (1.2.1950 – 17.5.1998)

Brahim Morina u lind më 1 shkurt të vitit 1950 në fshatin Rixhevë të komunës …