Luigj Gurakuqi, tribuni i vegjëlisë shqiptare, krahu i djathtë i Ismail Qemalit, Fan Nolit e Bajram Currit

Luigj Guraku, lindi në Shkodër më 19 shkurt 1879, dhe u rrit në gjirin e një familje tregtare të kulturuar shkodrane, nga prindërit Pjetër e Leze Gurakuqi. Me edukimin e tij u muer në mënyrë të veçantë i ati. Pjetër Gurakuqi ishte një tregtar me kulturë relativisht të ngritur, me një rreth të gjërë shokësh e miqsh në mes tregtarëve e intelektualëve të Shkodrës, me një jetë aktive në pazarin e qytetit dhe me marrdhënie tregtare me Venedikun e Milanon. Shtëpia e këtij tregtari të kulturuar e të shëtitur gumëzhinte nga hyrjet e daljet e njerzve që vinin të diskutonin hallet e kohës e të merrnin vesh lajmet e botës. I ndodhur përherë pranë të atit, dëgjonte me vëmendje bisedat e diskutimet për ngjarje të së kaluarës dhe të ditës, për luftërat heroike të popullit kundër pushtuesit otoman dhe grabitqarëve ballkanik dhe për burrat që i udhëhoqen ato. Duke kujtuar këto vite, Gurakuqi student do të shkruante:

“Më çohet mall me kenë në shpi e me ndigjue baben tue kallzue, si përpara, në ngjarjet e Pashallarvet të Shkodres, trimnitë e malcorvet e luftat e Malit te Zi, sende qi kishte ndî prej t’et e që edhe ai vetë shume kish pa”.

Shkollën fillore e të mesme  i ndoqi në Kolegjin Saverian që ishte shkolla më e organizuar dhe më e kompletuar që kishte Shqipëria e asaj kohe. Luigji qe ndër nxënësit më të zellshëm të shkollës dhe shumë shpejt, që në moshën 13 vjeçare i shfaqen prirjet për letërsi e krijime letrare. Më pas plotëson arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh e Shën-Mitër Koronës ku pati mësues De Radën, figurë që e frymzoi për tërë jetën; ai ishte nxënësi i parë shqiptar aty. Për 2-3 vjet studion për mjekësi duke vazhduar e u diplomua për shkenca natyrore. Vazhdoi studimet universitare në Napoli (Itali) në vitet 1901-1906 dhe debutoi me sukses si poet lirik ku si udhërrëfyes kishte poetin e mallit Filip Shiroka, lëvrues i prozës së shkurtër e publicist. Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim” (Napoli, 1906) bëri të parën përpjekje të suksesshme për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Po atë vit botoi në Bukuresht librin “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet” e në Napoli “Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja” etj. Luigj Gurakuqi botoi mjaft poezi që dallohen për përmbajtjen patriotike, për lirizmin dhe teknikën e vjershërimit. Me artikujt e tij ai dha edhe një ndihmesë me rëndësi në mendimin estetik e në kritikën letrare shqiptare.

Tek personaliteti i Luigj Gurakuqit spikat kultura e gjërë dhe enciklopedike. Ishte njohës i thellë i trashëgimisë kulturore të popullit të vet dhe i kulturës klasike romake e latine. Historia e vendit dhe ajo botërore ishin objekt i përhershëm i studimeve të tija. Njihte arkeologjinë e shkencat ekonomike e financiare, trashëgiminë arsimore pedagogjike kombëtare dhe europiane. Gurakuqi ishte poliglot. Përveç shqipes, zotëronte latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten, njihte greqisht e gjermanisht, ka të ngjarë edhe anglishten dhe kishte një kujtesë të çuditshme[3].

Kthimi në Shkodër të Gurakuqit, pas shpalljes së kushtetutës nga xhonturqit, me 2 korrik 1908.Pas 1906, Luigj Gurakuqi iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike e luftës për çlirimin kombëtar. Në verën e v.1907 bashkëpunoi me Bajo Topullin për organizimin e kryengritjes në Veri. Më 1908, në korrik, mbërrin në Shkodër, i adhuruar nga populli, e përcjellin deri në shtëpi[4]. Në nëntor merr pjesë në Kongresin e Manastirit krah përfaqsuesve nga Shkodra: Atë Fishtës, Dom Mjedës, Hilë Mosit e Mati Logorecit; ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Bashkë me Fishtën ishte përfaqsues i “Bashkimi”-t, me Logorecin kishin mandat të përfaqsonin inteligjencën shkodrane, gjithashtu vetë Luigji kishte mandat të përfaqsonte arbëreshët e Italisë[5]. Gurakuqi pati meritën dhe fatin që udhëhoqi drejtpërdrejtë luftën për krijimin e shkollës kombëtare shqiptare dhe të sistemit tonë arsimor. Nën drejtimin e tij u hodhën themelet e para të sistemit arsimor fillor shtetëror në Shqipëri. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentat e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve[2]. Dora e tij shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe i zbuloi para delegatëve. Më 1909 u emërua drejtor i së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, ku dha një ndihmesë me vlerë për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. Gurakuqi ka meritën se përcaktoi drejt e qartë, më shumë se çdo paraardhës, konceptin mbi shkollën kombëtare shqiptare, përmbajtjen, karakterin dhe parimet e ndertimit të saj. Ai kërkonte që gjithë fryma dhe përmbajtja e shkollës të ishte në funksion të qëllimeve dhe idealeve kombëtare. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tonë. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh[2]. Më 1911 merr pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës e si një nga udhëheqësit e saj, harton së bashku me Mati Prennushin Memorandumin e Greçës, apo Librin e Kuq siç njihet ndryshe të malësorëve kryengritës, zjarri i armëve të të cilëve do të paralajmëronte pavarësinë. Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në Shpalljen e Pavarësisë (nëntor), ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i I.Qemalit, dhe shkruesi i Deklaratës së Mëvetsisë.

Deklarata e Pavarsisë formuluar nga Ismail Qemali është e shkruar nga Gurakuqi. Për çdo shqiptar,- porosiste Gurakuqi, “dita e 28 nëntorit nuk duhet të jetë vetëm një ditë festimi ku secili duhet të bëjë analizën e jetës së vet dhe, me dorë në zemër, të pyes vetveten nëse ka bërë gjithkund e gjithmonë dëtyrën që kish përpara atdheut.

Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (dhjetor 1912) u zgjodh ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza. Gjatë Luftës I Botërore, me pushtimin e Shkodrës nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë. Merr pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin. Gjatë pushtimit austro-hungarez, duke shfrytëzuar postin e drejtorit të përgjithshëm të Arsimit dhe koniunkturat politike, hapi shumë shkolla shqipe. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916, ku u tregua një lëvrues i zoti i gjuhës shqipe duke krijuar përveç të tjerash edhe një varg fjalësh të reja që hynë në fondin e saj. Gurakuqi ka pasë një angazhim tepër serioz dhe shumë të gjatë për problemet e gjuhësisë. Që në fillim ai iu përmbajt tezës, sa patriotike aq edhe shkencore, se gjuha është shenja më e parë e kombit, kushti themelor për ekzistencën e tij dhe mjeti më i mirë për bashkimin kombëtar. Sipas Gurakuqit gjuha dhe kombi janë një trup e nje shpirt, janë “mish e thù”. Ai ka merita të shquara në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, në përpunimin e gjuhës letrare dhe në njësimin e shqipes së shkruar, në stabilizimin e drejtshkrimit, në pasurimin e fjalorit, në çështjet e leksikologjisë, terminologjisë e të gramatologjisë. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tone. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh. Arsimi vazhdoi të mbetet, siç e thotë vetë ai, dega më e dashur e zemres së tij. Ai parashtroi në parlamentin shqiptar ide dhe mendime shumë interesante për politikën arsimore dhe rrugën që duhet të ndiqte shkolla shqiptare. Gurakuqi kishte një vizion të qartë për rolin e shkollës në një shoqëri moderne, për lirinë dhe të drejtat themelore t’individit në fushen e arsimit dhe kërkoi zhvillimin mbi baza ligjore, shkencore e pedagogjike të shkollës shqiptare. Gurakuqit iu dha  posti i ministrit të brendshëm, në kabinetin disa ditor të H. Prishtinës. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit më 1918 ku zgjidhet ministër i Arsimit në qeverinë e përkohshme e anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris, ku çdo shkresë e përdorun nga delegacioni u shkrue nga duert e tija e të Mustafa Merlikës. Që në mbledhjen e parë të Kongresit të Durrësit, më 1918, L.Gurakuqi “âsht kundër që në një mbledhje kombëtare të përmenden fjalët toskë e gegë dhe të krishtenë e mysliman”, kërkon që fjalë të tilla të jenë të ndaluara dhe shton se “… çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipni duhet të zgjidhet mbas formulës: “Feja e lirë në shtet të lirë”[6]. Këto ide e mendime L.Gurakuqi i shtjelloi hollësisht në diskutime në parlamentin shqiptar dhe, posaçërisht n’artikullin “Bazat e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëvet muhamedanë e të krishtenë”. Ai ishte kategorikisht kundër atyre që mendonin se për të larguar konfliktet fetare që mund te lindnin, duhet, me të butë e me të fortë, të shuhen besimet fetare në Shqipëri. Më 1921-1924 qe deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar ku si një nga udhëheqësit e opozitës demokratike luftoi për demokratizimin e jetës së vendit, për lehtësimin e gjendjes së bujkut nga shtypja e rëndë, për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për mbrojtjen e pavarësisë nga synimet skllavëruese të fuqive imperialiste. Tërë jetën L. Gurakuqit i dogji shpirti e i dhimbte zemra për padrejtsinë që ìu bë kombit tonë duke ìa ndarë trupin për gjysmë. I qëndroi besnik deri në fund të jetës idealit për të parë nje ditë të bashkuar rreth tokës amtare gjithë vëllezërit e kombit. Ai ankohej se: “Na kanë marrë qytetet e na kanë lanë malësinë, na kanë marrë viset më të çmueshme t’atdheut duke na lënë si një trup pa kokë”.

Tingëllojnë të freskta demaskimet që i bënte Gurakuqi politikës së pastrimit etnik që ndiqnin shovinistët serbë: “Qeveria jugosllave nuk do të ndalet para asnjë mjeti”,- deklaronte ai,- “për t’i nderrue fytyrën Kosovës”.

Për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve në shtetin jugosllav fajson Fuqitë e Mëdha, të cilat bënë theror shqiptarët e trojet e tyre për interesat e veta e të aleatëve të tyre. L. Gurakuqi është partizan për të ndihmuar e për t’u dalur zot të drejtave të popullsisë së Kosovës. E quante si detyrë të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Faji i vetëm i kosovarëve qëndronte vetëm në atë se ata ishin shqiptar e donin të mbeteshin shqiptar.

Ndër fjalimet më të forta të Gurakuqit në parlament janë ato mbi mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Kosovës. Kur qeveria jugosllave në nje telegram e quante ndërhyrje në punët e brendshme të saj interesimin e shqetesimin e qeverisë shqiptare për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve të Kosovës, Gurakuqi, plot indinjatë e zemërim do të merrte fjalën e do të thonte:

“Si mundte me thanë nje qeveri Jugosllave, e cila ka mbjell viset tona me varre të vllazenve tonë, se po i perzihemi në punët e mbrendshme të saj. Si mundte nji qeveri me thanë se po i përzihemi në punët e brendshme, kur shofim se për shkak të saj me mijëra fëmijë e gra sillen të shveshur e të zbathur këtu nepër Tiranë e ushqehen me sevapet e amerikanëve e tepricat e ushtrisë. Qeveria Jugosllave nuk ka të drejtë për të na akuzuar për një gjë të tillë kur parlamenti shqiptar kërkonte vetëm në emër të njerëzizë e humanizmit të ndërpriten mizoritë serbe ndaj shqiptarëve.

Më 5 mars 1924 u sëmur rëndë nga një grip i fortë që e mbërtheu afro një muaj në shtrat[7]. Shtypi i konsideroj vëmendje të veçantë, aq sa Avni Rustemi i thoshte Dom Shantojës “Opozita po pushon: Kemi Gurakuqin e sëmurë”[8]. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924 duke qenë një nga udhëheqësit të tij. Në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli u emërua ministër i Financave. U dallua për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe për vendosmërinë e përpjekjet për krijimin dhe forcimin e shtetit demokratik shqiptar. Mori pjesë në Konferencën e Gjenevës krahas Nolit më 1924.

Pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit shkoi në Itali, ku më 2 mars 1925 u vra në Bari prej Baltjon Stamollës në derë të Hotel Cavour, thuhet se kushëri i Çatin Saraçit[10] por vende vende cilësohet si kushëri i vetë Luigjit [11] [12] [13]. Ishte mbrëmja e 2 marsit, në restorantin e hotelit, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy shokë të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Kërkoi leje prej tyre duke i paraqitur arsyen: do t’shkoj tek Sotiri, mbâsi i kam premtue nji kukull vajzes s’tij[14]. N’organizimin e këtij atentanti kishin dorë si Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu, ashtu dhe Çatin Saraçi.

(Vikipidia shqip)

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …