Malisheva e përgatitur për shënimin e 17 Shkurtit

Këshilli i Drejtorëve në Komunën e Malishevës, nën drejtimin e Kryetarit të Komunës, Ragip Begaj, ka mbajtur mbledhjen e rregullt të së hënës, ku drejtorët e drejtorive kanë raportuar për aktivitete e javës së kaluar, si dhe për planifikimet për javën në fillim. Në mesin e shumë çështjeve që janë diskutuar, është njoftuar edhe për përgatitjet për shënimin e 17 Shkurtit, ditës së shtetësisë së Kosovës. Sipas Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për shënimin e 17 Shkurtit, ditës së shtetësisë së Republikës së Kosovës, ku janë paraparë të zhvillohen një varg aktivitetesh kulturore dhe sportive, si dhe në bashkëpunim me sektorët tjerë, edhe aktivitetet tjera tradicionale. Krahas mbledhjes solemne të Kuvendit të Komunës, do të bëhen edhe homazhe dhe nderime në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë, pastaj në Prekaz, ndërsa gjatë ditës do të mbahet edhe një koncert në parkun e qytetit. Këtyre aktiviteteve do t’iu paraprijnë edhe aktivitetet tjera sportive, që pritet të mbahen turne të ndryshme dhe ndeshje miqësore. Në mbledhjen e sotme, drejtorët e drejtorive kanë raportuar edhe për aktivitetet tjera të drejtorive përkatëse, ku u tha se janë realizuar dy projekte në bujqësi, ndërsa krahas përgjigjes së kërkesave të qytetarëve, janë duke u marrë edhe me zhvillimin e procedurave për realizimin e projekteve të planifikuara.

Kontrolloni gjithashtu

Jetën ia falën lirisë, që të jetojë i lirë shqiptari

Sot në Gllogjan e Maznik të komunës së Deçanit, në nder të 25-vjetorit të rënies …