Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të zhvillojë këtë javë një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt dhe Bahrein, në vizitën e parë të një zyrtari të lartë amerikan në rajon pas marrëveshjes së arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, vizita do të zhvillohet nga e marta deri të enjten dhe do të fokusohet në çështjet e sigurisë rajonale, bashkëpunimin me partnerët e Gjirit dhe zhvillimet pas marrëveshjes me Teheranin. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, bëri të ditur se Rubio do të diskutojë memorandumin e mirëkuptimit me Iranin, përpjekjet për garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, si dhe rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon. Në Bahrein, Rubio pritet të zhvillojë takime me përfaqësuesit e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, ku në qendër të bisedimeve do të jenë koordinimi rajonal dhe çështjet e sigurisë me interes të përbashkët. Vizita vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, pas sulmeve të fundit të Iranit ndaj disa vendeve të Gjirit, të cilat kanë shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, përfshirë humbje edhe në radhët e forcave amerikane.
Michael Vadon
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
