leoni

Marjana Zeneli-Bulku

Marjana Bulku: Intelektualët, këta mentorë që na edukojnë dhe frymëzojnë me vepra

Shqipëria e paradokseve, e tranzicioneve të shpeshta, të gjata, Shqipëria e krizave, e diktaturave të egra, të fshehta, të kamufluara me mirazhe demokracie sot më shumë se kurrë ka nevojë të ndjehet se sa e pasur është intelektualisht me gjithë varfërinë e saj sistematike politike. Kur hedh sytë nëpër kryqëzime historike ndjen dritën e intelektualëve dhe mendimtarëve që ne për fatin tonë të keq presim të na i referojë politika, partia mëmë, partitë të cilat na e varfërojnë të tashmen edhe të ardhmen. Intelektualët mbartin bagazhin kulturor që ne ia trashëgojmë brezave, janë mendime, studime, përplasje me realitetin e egër peng i politikave të gabuara sezonale që nuk i shërbejnë vizionit kombëtar por udhëheqësve partiakë të momentit që gjithmonë e më shumë bëhet treg politik aspak kombëtar, aspak demokratik.

Intelektualët janë të angazhuarit e një shoqërie, që kohën e tyre, mendimin, frymëzimin, ia kushtojnë akteve që prijnë ndryshime të mëdha nga ku më të rëndësishmet e domosdoshme janë ato kulturore.Të arratisur nga realiteti shqiptar ata gjithmonë i investojnë atij duke mos ikur asnjëherë edhe kur fizikisht ndodhen larg. Nuk mundem të ndalem gjatë tek De Rada, Serembe, Fishta, Koliqi, Çajupi a Frashërit, ata vazhdojnë të iluminojnë por Martin Camaj dhe Faik Konica natyrisht që përbëjnë pasuri të rralla të mendimit letrar, kulturor duke qenë fenomeni ajsberg që vetëm volumin ua dijmë dhe fare pak larminë dhe cilësinë e mesazheve që janë kaq aktuale sot. Është e vështirë të ndalosh në aktet e tyre krijuese vetëm në një shkrim por është një mënyrë shumë e mirë për të kuptuar se historia e vërtetë shqiptare nuk janë vetëm luftrat e saj, as sistemet e dështuara që politika instaloi, por emrat që i falën vepra asaj, janë ata që edhe pa prezencën e tyre fizike atje krijuan aq shumë dhe lanë pas kolanën e mendimit që vazhdon të frymëzojë e ta mbajë gjallë atë vend që politika intrigon dhe përçudnon çdo ditë. Është e dhimbshme kur ndjek këta emra hite veprash që jetuan larg Shqipërisë me pse dhe brenga, mall e ëndrra, shpresa e dëshira shtegtare. Janë mentorët tanë më të mirë, meteorë, mjafton një observim i veprave kolosale kësaj trashëgimnie që na pasuron edhe në krizat tona sociale e politike pasi ekonomikisht ne gjithmonë në krizë kemi qenë.  Histori Shqipërie janë ata që Shqipërinë e bëjnë të njohur çdo ditë atje ku jetojnë e punojnë përmes veprave dhe akteve të tyre, shkrimeve, krijimeve duke e përjetësuar atë, duke ideuar për të duke ia rrëmuar bukuritë, duke ia shplurosur historitë.  A nuk e gjetëm ne historinë e palexuar të Shqipërisë në heronjtë realë të veprave të Mal Berishës; Charles Telford Erickson dhe Herman Bernstain?! A nuk e dëgjuam dhe ndjemë vëmendjen dhe dashamirësinë amerikane përmes Zërit të Elez Biberajt që më shumë se Zërin e Amerikës sillte shpresën e një zgjimi demokratik që pothuaj ishte shuar.

A nuk është një akademi e vërtetë gazetarie, opozitarizmi dhe kronologjie historike dhe mediatike analiza mendimtare e Frank Shkrelit?! A nuk e gjejmë fisnikërinë por edhe mençurinë e thellë tek tablotë historike e analitike të Sami Repishtit?!

A nuk ishte unikal Ligji për trashëgiminë kulturore në parlamentin e Ontarios punuar me aq shumë mund e përkushtim nga Dr Ruki Kondaj dhe Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze?!  A ka konkretizim më real intelektualizmi patriotik se Vatra 106 vjeçare dhe gazeta e saj  Dielli , më e vjetra gazetë shqip që vazhdojnë të rezatojnë liri e qytetari edhe nën drejtimin vital të Dritan Mishtos e të palodhurit editorialist Dalip Greca?! Kjo është vetëm një pjesëz e historisë sonë kulturore, është vetëm ajo çka unë kam takuar apo ndjekur nëpërmjet Pasqyrës Shqiptare, këtij televizioni prestigjoz të Ilir Lenës në Kanada, apo Albanian Culture TV në Amerikë aty ku përmes “Një jetë…disa histori “, kemi qënë dhe do të jemi jehonë e botës intelektuale e cila historisë i bën vend çdo ditë përmes kronikave, ngjarjeve që edhe pse jetojnë realitetin e largët flasin shqip dhe ëndërrojnë po ashtu. Qindra vjet nuk e shkulkan ëndrrën dhe shpresën me të cilën të ikurit e parë mërguan.

 Sepse ky vend i madh është i tillë jo vetëm gjeografikisht, por për dashamirësinë që ka ndaj mendimit, vizionit, idealeve të bukura që humanëve ju ka dhuruar Zoti. Këto krijesa kreative që evolojnë veten dhe mjedisin duke i dhënë rruzullit qytetërime e zhvillime progresive nuk duhet t’ju ngjajnë fiseve primitive në shekujt modern ku ne jetojmë, përkundrazi, “gjeniu ia lë rrugën hapur gjeniut” është një formulë që e besoj dhe sa më shumë ia ndjej prezencën aq më shumë bindem se mendjet pasurojnë dhe meritojnë vend.

Është kjo fytyra e re e intelektualizmit që dashurinë për atdheun din ta shndërrojë në vepra që munden të orientojnë, frymëzojnë dhe pse jo edukojnë kaosin social e politik duke vendosur stade të reja kulturore nëpër gjurmët e mentorëve më të mire: intelektualëve.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …