Më 18 tetor 2013 u përurua libri: “Nga fëmijëria deri te liria”, i autorit, Jashar Alia

Sot në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, në Prishtinë,  u përurua libri,  “Nga fëmijëria deri te liria”, i autorit, Jashar Alia.  Autori i këtij libri është veprimtar i njohur i çështjes kombëtare.

Recensenti i librit, veprimtari, Mahmet Hajrizi vlerësoi punën e autorit  duke veçuar faktin se Jashar Alia në librin e tij ka arritur të gërshetojë me mjeshtëri kujtimet për jetën e tij dhe të familjes me zhvillimet historike të Atdheut të vet, midis të cilave kishte ngjashmëri  dhe fat të njëjtë.  Si kronist i kujdesshëm, ai i ka regjistruar  ngjarjet më të rëndësishme të Kosovës përgjatë jetës së tij personale  dhe përtej saj, në retrospektivë të thellë historike, duke u bërë vlerësime e analiza politike. Të cilat ia shtojnë librit vlerat studiuese dhe faktografike, ka thënë mes tjerash në vlerësimin e tij recensenti Mehmet Hajrizi.

Bashkëveprimtari dhe bashkëvuajtësi nëpër burgjet e okupatorit, Binak Ulaj në fjalën e tij me rastin e përurimit të librit ka shpalosur kujtime të veprimtarisë së përbashkët atdhetare qysh në vitet 70, kur edhe kishte filluar veprimtaria e një organizate të fshehtë revolucionare, e cila kishte në programin e saj luftën e armatosur të shqiptarëve në Jugosllavi për çlirim nga robëria dhe bashkim me Shqipërinë. Duke qenë bashkëveprimtar dhe duke njohur mirë aktivitetin e Grupit Revolucionar, Binak Ulaj ka segmentuar aspekte të organizimit dhe veprimtarisë së asaj organizate.

Në fjalën e tij, redaktori,  Nezir Myrtaj, po ashtu bashkëveprimtar i autorit të librit, Jashar Alia ka thënë se “në kujtimet e librit, “Nga fëmijëria deri te liria” do ta gjejnë dhe do ta identifikojnë veten në mënyrë perfekte sidomos  veprimtarët e  lëvizjes së organizuar e të fshehtë kombëtare, të cilët, me shembullin e autorit, ecën pandashëm, duke rënë e duke u ngritur.  Në to do ta gjejnë vetën idealistët e vërtetë, për të cilët mbi interesin e kombit, atdheut dhe lirisë nuk mund të vendoset asnjë interes tjetër. Do ta gjejnë veten revolucionarët e vendosur, për të cilët  jeta është luftë e përhershme dhe ajo ka kuptim vetëm kur vihet në shërbim të cilësisë së lirisë së njeriut dhe kombit, ka thënë mes tjerash redaktori, Nezir Myrtaj.

Në përurim mori pjesë edhe ushtaraku nga Shqipëria, Ndue Dodaj, i cili përgëzoi autorin për këtë libër të çmuar, në faqet e të cilit shpaloset historia shumëvjeçare e idealistëve dhe revolucionarëve të Kosovës, të cilët nuk reshtën veprimtarinë e tyre ilegale. Dodaj nënvizoi faktin se Jashar Alia me bashkëveprimtarët e tyre nuk e pushuan aktivitetin atdhetar deri kur më në fund krijuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nderin dhe lavdinë e kombit. Ai veçoi faktin se Jashar Alia, edhe pasi  kishte mbajtur vite të tëra në burgjet e Jugosllavisë nuk e kishte ndërprerë asnjëherë veprimtarinë e tij atdhetare duke iu bashkuar edhe luftës së UÇK-së, e cila bëri realitet aspiratën e çlirimit të Kosovë nga robëria shekullore serbe.

Në fjalën e tij përshëndetëse, autori i librit, Jashar Alia ka përshëndetur të pranishmit, shumica syresh të burgosur politikë dhe të gjithë ata që morën pjesë në përurim. Ai ka falënderuar në veçanti redaktorin, Nezir Myrtaj, recensentin, Mehmet Hajrizi, bashkëveprimtarin, Binak Ulaj dhe ushtarakun nga Shqipëria, Ndue Dodaj.

Gjatë përurimit, moderatorja, Arbanë Qeriqi-Gashi ka lexuar fragmente të shkurta të librit, “Nga fëmijëria deri te liria”.

                                                    ***

Më 18 tetor, në orën 12.00,  në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, në Prishtinë,  u përurua  libri,  “Nga fëmijëria deri te liria”, i autorit, Jashar Alia.  Autori i këtij libri është veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Dy herë ka qenë i dënuar me gjithsej 11 vjet burg nga regjimi i kohës për veprimtari “nacionaliste e separatiste”, antijugosllave. Pas vuajtjes së burgut, një kohë ka qëndruar në mërgim, në Zvicër, ku edhe ka vazhduar veprimtarinë atdhetare. Ka qenë pjesëmarrës i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aktualisht jeton në Zvicër, por edhe në Prishtinë. Libri, “Nga fëmijëria deri te liria” është një kronikë jo vetëm e kujtimeve të  rrëfyera në veten e parë, por edhe një pasqyrë e gjerë, po aq realiste e përshkrimit besnik të  jetës dhe aktivitetit atdhetar të autorit dhe të bashkëveprimtarëve e bashkëvuajtësve të tij nëpër burgjet e pushtuesit serb dhe gjatë kohës së veprimtarisë atdhetare.  Në tërësinë e vet ky libër kalon kronikën e thjeshtë, apo  librin me kujtime, meqë autori, duke qenë në mesin e organizatorëve dhe pjesëtarëve shumëvjeçarë të Lëvizjes sonë të rezistencës aktive, ai  ka sjellë në libër edhe lëndë të faktuar dokumentare, dëshmi autentike të aktivitetit atdhetar të ilegales patriotike, e cila jo vetëm hedh dritë mbi atë lëvizje të pandërprerë për çlirim dhe bashkim kombëtar,  por është edhe dëshmia më e mirë e atij aktiviteti….  

Nezir Myrtaj:   Një dhuratë për lexuesit-pasthënia e librit “Nga fëmijëria deri te liria”

 Lexuesit shqiptar, bibliotekës shqiptare dhe fondit të literaturës shqiptare të zhanrit të memoareve i shtohet edhe një libër me vlerë të veçantë, i titulluar “Nga fëmijëria deri te liria”. Autori Jashar Alia, në këtë libër ka shpalosur një thesar të çmuar kujtimesh për periudhat, ngjarjet, momentet dhe përjetimet më të rëndësishme të jetës së tij. Ai ka skalitur me daltën e kujtesës, episode jetësore të shtresuara në mbamendjen e tij duke i nxjerrë ato në dritë, siç nxirren me mjeshtëri e durim, margaritarët nga thellësitë e detit.

     I prejardhur nga një familje e ndershme e atdhedashëse fshatare shqiptare, me gjendje ekonomike të varfër si shumica dërmuese e popullsisë fshatare në Kosovë në dekadat e para të Pasluftës së Dytë Botërore, që rropateshin për kafshatën e gojës dhe mbijetesën ekonomike, si dhe duke qenë pjesë e një populli të ripushtuar e të shtypur, që rezistonte e përpëlitej për mbijetesë kombëtare, Jashar Alia ka përshkruar në mënyrë brilante, me një gjuhë të pastër, të thjeshtë e të kuptueshme, pa retorikë bombastike, mburravece e fallse, situatat që kanë të bëjnë me jetën e tij, të familjes, të kombit e të Kosovës, ashtu siç janë fiksuar në kujtesën e tij, që nga momenti kur ajo ka qenë në gjendje t’i absorbojë e regjistrojë ato. Situatat e përshkruara janë tipike e reale. Ato nuk janë të trilluara, apo të shpikura, por as të ilustruara e të kamufluara. Prandaj, janë pikërisht këto cilësi e aspekte të rrëfimit që e bëjnë atë me karakter, moral, besueshmëri e forcë, të pëlqyeshëm e tërheqës për të gjitha nivelet dhe gjeneratat e lexuesve.

     Libri “Nga fëmijëria deri te liria”, si rrallë ndonjë libër tjetër kujtimesh, karakterizohet me një forcë të theksuar kohezioni e identifikimi. Duke lexuar këtë libër, brezi i autorit, por jo vetëm ai, do të kthehet në vitet e fëmijërisë dhe do t’i rikujtojë të gjitha ato segmente të jetës së tij fëmijërore, që nga raportet me anëtarët e familjes, çapkënllëqet e ndryshme, lozja me shokët me top leckash, varfëria ekonomike dhe mungesa e veshmbathjes, ëndrrat fëmijërore, gëzimet e hidhërimet e zakonshme, pastaj dita e parë e shkollës, raportet me mësuesit, ambiciet dhe vështirësitë e ndryshme gjatë viteve të shkollimit etj., etj.. Ky brez do të kthehet te mosha e rinisë dhe do t’i rikujtojë momentet fillestare të kthesave të karakterit dhe pjekurisë së tyre, fillet e kuptimit të mirëfilltë të problemeve shoqërore e kombëtare dhe të preokupimit me çështje të mëdha e të karakterit të përgjithshëm.

     Në kujtimet e librit “Nga fëmijëria deri te liria” do ta gjejnë dhe identifikojnë veten në mënyrë përfekte sidomos veprimtarët e lëvizjes së organizuar e të fshehtë kombëtare, të cilët, me shembullin e autorit ecën pandalshëm, duke rënë e duke u ngritur. Në to do ta gjejnë veten idealistët e vërtetë, për të cilët mbi interesin e kombit, atdheut dhe lirisë nuk mund të vendoset asnjë interes tjetër. Do ta gjejnë veten revolucionarët e vendosur, për të cilët jeta është luftë e përhershme dhe ajo ka kuptim vetëm kur vëhet në shërbim të cilësisë së lirisë së njeriut dhe të kombit. Me autorin dhe rrëfimet e tij do të identifikohet secili prej atyre që shkoi në luftë dhe qe i gatshëm të luftojë edhe me armë në dorë për lirinë e Kosovës. Aty e gjejnë veten të gjithë ata që hyjnizojnë dashurinë për prindërit, familjen, shokët dhe gjithë njerëzit e zemrës. Gjejnë veten ata që kanë përjetuar dashurinë e qiltër të nipave e mbesave, duke ua shpërblyer atë me kujdesin dhe dashurinë prej gjyshi, siç bën autori i librit “Nga fëmijëria deri te liria”.

     Autori i kujtimeve, Jashar Alia është personalitet me një përvojë të pasur jetësore dhe në veçanti me një veprimtari shumë të begatshme atdhetare. Ai është ndër ata veprimtarë të rrallë të papërkulur që kanë ruajtur epitetin e mirëfilltë të revolucionarit dhe luftëtarit të lirisë, të cilët dinë ta dallojnë përkushtimin e vërtetë nga demagogjia, si dhe atdhetarin nga pseudoatdhetari që aspiron karrierizmin dhe interesin personal. Ai i ka qëndruar besnik pikëpamjes, idealit, përcaktimit dhe betimit të tij, pavarësisht prej koniunkturave politike e ideologjike të kohës. Prandaj, duke pasur një edukatë dhe karakter të tillë, Jashari ka arritur ta paraqesë në mënyrë autentike edhe segmentin mjaft interesant të kujtimeve të tij kushtuar burgosjes së trefishtë nga UDB-a jugosllave dhe procesit të hetimeve për shkak të aktivitetit të organizuar atdhetar. Në këtë përshkrim, udbashët shqipfolës dhe ata joshqipfolës ai i ka cilësuar kriminelë, kurse veprimet e tyre, kriminale, ashtu siç ishin në të vërtetë.

     Pa ndjenjën e kompleksit të cilën mund ta imponojnë rrethanat e diktuara nga distanca historike e ngjarjeve dhe pa kompromis, autori e ka cilësuar me terma përkatës, si tradhtarë e kolaboracionistë të pushtuesit serb edhe klikën e pushtetarëve shqiptarë nga Kosova të asaj periudhe, siç ishin Fadil Hoxha me kompani e deri te Azem Vllasi. Po ashtu pa pikën e kompleksit e ka përshkruar edhe respektin e madh që kishte ushqyer për Enver Hoxhën dhe Shqipërinë e asaj kohe. Këto fakte i japin librit një vlerë autentike, sepse ato spikatin identitetin intelektual e njerëzor të autorit të kujtimeve, i cili merr guximin t’i thotë troç të zezës e zezë dhe të bardhës e bardhë edhe atëherë kur moda kërkon të thuhet e kundërta.

     Ndonëse është quajtur libër kujtimesh, në realitet libri “Nga fëmijëria deri te liria” është më shumë se kaq. Ai mund të konsiderohet si një përmbledhje e publicistikës politike të kohës, në të cilën autori ka trajtuar, analizuar e vlerësar nga këndvështrimi i tij ngjarjet më kulmore politike që kanë të bëjnë me Kosovën dhe shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit 20, siç janë aksioni famëkeq i armëve, demonstratat e vitit 1968, zhvillimet e viteve `70, demonstratat e vitit 1981, roli i Shqipërisë në mbështetjen e kërkesë për Republikën e Kosovës e deri te lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Analiza dhe vlerësimi i këtyre ngjarjeve është bërë me një thellësi të theksuar mendimi dhe me qartësi shprehjeje e argumentuese. Madje për të qenë i saktë e bindës, autori ka paraqitur shpesh edhe burimin e informacionit të cilit i është refereuar, faksimilet dhe materiale të tjera faktografike. Prandaj, duke qenë të thella, të qarta e të sakta, këto vlerësime mund të konsiderohen perla të vërteta të mendimit politik për çështjen shqiptare dhe të Kosovës.

     Një segment i veçantë i librit “Nga fëmijëria deri te liria” i kushtohet luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gatishmërisë së autorit për t`u rreshtuar në radhët e saj. Në kujtimet e tij ai përshkruan pasionin e madh që ka pasur për të veshur uniformën e UÇK-së dhe për të dhënë betimin e ushtarit të saj.

      Pa dyshim, ky libër kujtimesh pasqyron edhe botën ndjenjore të autorit, emocionet dhe dashurinë që ai ka për fshatin e lindjes, për vatrën, për Kosovën dhe për Shqipërinë. Trinia e shenjtë e idealizmit atdhetar të autorit Jashar Alia: vendlindja-Kosova-Shqipëria, është shprehur me simbolikë të rrallë edhe në mestitujt e librit: Syrigana-vendlindja ime e dashur; Kovraga-vatra ime e djegur; Kosova-Shqipëria ime e vuajtur. Kjo simbolikë nuk ka si të mos shprehë botën shpirtërore të autorit, i cili pjesën më të madhe të jetës ia ka kushtuar kombit e atdheut, duke mos u zbrapsur as përkulur para sprovave të rënda të burgut e të luftës kundër pushtuesit dhe duke mos u lodhur e dëshpëruar as nga jeta e rëndë në mërgim.

     Vëmendjen e lexuesit, pa dyshim do ta tërheqë edhe titulli mjaft karakteristik e mbase edhe i rrallë, në formë e në përmbajtje, i librit me kujtime të  Jashar Alisë. Në kuptim të formës, ai është një titull simbolik, melodioz, i rimuar e artistik. Ndërsa, në kuptim të përmbajtjes ai paraqet limitet kohore të kujtimeve të sjella nga autori, të cilat fillojnë që në moshën e fëmijërisë dhe mbarojnë me triumfin e lirisë kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës, përkatësisht me dekolonizimin e Kosovës prej pushtuesit serb përmes luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1999. Përjashtuar dromcat e ditarit të një dekade më vonë, të cilat po ashtu janë përfshirë në pjesën e fundit të librit, lëvizja e shiritit të kujtesës së autorit është ndërprerë pas kthimit triumfues të tij bashkë me familjen e ngushtë, nga emigracioni dhjetëvjeçar në Zvicër, në Atdheun e lirë. Kjo, jo pse ai nuk do të ketë pasur çka të thotë edhe për periudhën, tashmë mbi dhjetëvjeçare të pasluftës çlirimtare, por duket sikur ai të jetë rezervuar ta cenojë shijen e ëmbël të lirisë së shumëndërruar, shumëgjakuar, shumëpritur e të shumëkërkuar të Kosovës. Ngjarjet e shumta të erës së re në Kosovë, gjithnjë e më sfiduese për lirinë e pakonsoliduar të saj, siç janë „standardet para statusit“, „multietniciteti“ i kamufluar, dorëheqja nga simbolet kombëtare dhe kujtesa historike, majorizimi i të drejtave kushtetuese të popullsisë serbe, duke përfshirë edhe përfaqësimin në Kuvendin e Republikës së Kosovës përmes vendeve të rezervuara, tolerimi dhe legjitimimi i pranisë së institucioneve shtetërore të Serbisë në vendbanimet me popullsi serbe dhe formimi de fakto i entitetit të veçantë serb, heqja dorë edhe nga disa simbolika të cilat janë prerrogativa të shtetit, siç është stema, emri zyrtar etj., procesi i negociatave me shtetin e Serbisë për çështje të brendshme të Kosovës, e të tjera, pa dyshim mund të jenë objekt i kujtimeve të autorit të këtij libri në të ardhmen.

     Sidoqoftë, Jashar Alia, me librin “Nga fëmijëria deri te liria” na ka freskuar me një dhuratë të mirë, duke e pasuruar njëkohësisht edhe letërsinë e llojit të memoareve. Unë si redaktor i librit kam përjetuar kënaqësi të veçantë, duke pasur në dorë materialin bruto të këtyre kujtimeve, të ngjeshura me shumë situata interesante, shpeshherë të përshkruara me një ndjesi të thellë narrative.

Mehmet Hajrizi:  Konikë e një veprimtari (Recension për librin “Nga fëmijëria  deri te liria”, e autorit Jashar Alia)

Libri i kujtimeve të veprimtarit Jashar Alia “Nga lindja deri te liria” paraqet një vepër interesante dhe pasqyruese, jo vetëm të jetës së autorit e të familjes së tij, por edhe të gjendjes së Kosovës e të Lëvizjes së saj Kombëtare në një hark kohor më shumë se gjysmë shekulli.

I lindur më 1949, Jashar Alia i përket brezit që u rrit e u formua në kohë të rënda robërie, por që e mbajti me nder të ndezur pishtarin e lirisë dhe e organizoi rezistencën masive kundër pushtuesit, deri në fitoren përfundimtare, duke përjetuar aktin historik të ndërrimit të epokave nga robëria në liri.

Autori ka arritur mjeshtërisht të gërshetojë në kujtime jetën e tij dhe të familjes me zhvillimet historike të atdheut të vet, midis të cilave kishte ngjashmëri dhe  fat të njëjtë. Jashar Alia, si një kronist i kujdesshëm, i ka regjistruar ngjarjet më të rëndësishme të Kosovës përgjatë jetës së tij personale dhe përtej saj, në retrospektivë të thellë historike, duke u bërë vlerësime e analiza politike, të cilat ia shtojnë librit vlerat studiuese dhe faktografike.

Historia e vuajtjeve, e mjerimit dhe e raprezalieve mbi popullin e robëruar shqiptar është përsëritur tragjikisht  gjatë një shekulli të tërë  nën sundimin serb. Skena e përshkruar në libër me  gjyshen Dudë, e cila diku më 1919 e ndjekur barbarisht nga forcat serbe, mbante dy djem, njërin ngrykë dhe tjetrin  mbështjellë me pështjellakun e saj të kapur me dhëmbët që u thyen rrugës, përsëritet në tërë pamjen e tmerrshme edhe më 1945, më 1999 apo në vite tjera të golgotës së dhembshme shqiptare.

Lëvizja Kombëtare e Kosovës e viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar dhe Kryengritja e madhe e vitit 1981, shënojnë fillimin e fundit të regjimit pushtues në Kosovë. Jashar Alia, i lindur, i rritur dhe i edukuar në një familje me traditë patriotike, nuk mund të mos ndodhej në radhët e Lëvizjes, në moshën e tij më të mirë prej studenti, më 1972. Në jetën e tij revolucionare, ai u arrestua  tri herë nga regjimi dhe u dënua me gjithsej 11 vjet burg, por sa herë dilte nga burgu edhe pse i survejuar nga policia,  e vazhdonte veprimtarinë deri kur erdhi koha të bëhej  ushtar i UÇK-së së lavdishme, e cila e nxori përfundimisht çizmen pushtuese nga Kosova.

Në kujtesën e autorit kanë mbetur të freskëta dhe të pashlyeshme  vuajtjet nëpër të cilat ka kaluar familja e tij, Kosova dhe ai vetë: Aksioni famëkeq i armëve i dimrit 1955/56, shpërngulja me dhunë e shqiptarëve në Turqi, Shqipëri e gjetkë, demonstratat popullore të vitit 1968, e sidomos ato të vitit 1981, në të cilat ishte edhe vetë pjesëmarrës aktiv, fillimi i organizimit të tij në Lëvizjen Kombëtare, arrestimet dhe torturimi i të rinjve në burgjet serbe e jugosllave, qëndresa dhe jeta e organizuar klandestine në burg, detyrimi për t’u arratisur nga Kosova e dashur dhe më në fund kthimi në frontin e luftës e në Atdheun e çliruar. Këto shënime kujtimesh janë dëshmi e një ideali e preokupimi të rinisë së Kosovës në kohë të rënda të robërisë që po kalonte.

Janë me interes të veçantë kujtimet e autorit për kohën e fillimit të angazhimit të tij në jetën prej militanti çlirimtar dhe për raportet e reja në rrethin shoqëror. Si çdo libër kujtimesh, vepra e Jasharit ka brenda shprehjen e ndjenjave subjektive dhe emocioneve të fuqishme personale.  Nëpërmjet të paraqitjes së ndjesive dhe gjendjeve të tij shpirtërore, të evokuara nga ditët e para të organizimit në Lëvizjen Kombëtare, Jashar Alia hyn në fakt në botën e brendshme të veprimtarëve gjatë procesit shpërthyes të transformimit të madh e të gjithanshëm që pësonin kur përcaktoheshin për lëvizjen çlirimtare, për një rrugë të pashkelur deri atëherë, me shumë të panjohura dhe rreziqe, por që i bënte të ndjeheshin më të fuqishëm e më të guximshëm, më të pjekur e më seriozë, më të përgjegjshëm e më të vlefshëm për shoqërinë, më të rëndësishëm  e më vetëbesues, më të lartë në vlera e në moral, në virtyte e me parime. Për një çast ndjeheshin ndryshe dhe tjerë  nga ata që ishin para betimit solemn. Fuqia e ndryshimit, e edukimit sistematik dhe e formimit të personalitetit të ri, duket qartë që vepronte në të gjitha qelizat  e qenies në mënyrë intensive dhe të pareshtur. Librat që lexonin, filmat që shikonin, shtatorët në bronz, nuk i perceptonin më thjeshtë si një kureshtje dhe interes  për syzheun e për artin që mbajnë në vete, por akoma më shumë: si një përjetim i bashkëdyzimit dhe shkrirjes së personit në to, si identifikim me heronjtë pozitivë. Perceptimi i letërsisë dhe artit në përgjithësi merrte tjetër kuptim, sepse edhe vetë jeta kishte kuptim të ri. Një jetë pothuajse e zbrazët, mbushej përnjëherë me përmbajtje dhe kuptim, me idealin madh të lirisë e të bashkimit kombëtar.

Jashari paraqet lumturinë që ndiente i riu i organizuar i asaj kohe, ndjenjën e solidaritetit me të vuajturit dhe angazhimin për të sjellë lumturinë kolektive, lumturinë për të tjerët. Veprimtaria çlirimtare i bashkon dhe i lidh fort militantët, duke i bërë një dhe të pandarë, solidarë deri në vetëmohim të pashembullt. Lidhjet shpirtërore, të sinqerta, të dhembshme, me dashuri, respekt e kujdes, të farkëtuara në bashkëveprim e në qëndresë, i kalojnë kufijtë e relatave midis vëllezërve e motrave, midis fëmijëve dhe prindërve. Ato ndërtohen me dhembje dhe larg qoftë, prishen me dhembjen e një tërmeti të tërë në qenien që goditet për të mos u ngritur kurrë më.

Shumë veprimtarëve u ka ndodhur që veprimtarinë e sinqertë e të përkushtuar, t’ua abuzojnë qarqe të ndryshme dhe individë matrapazë politikë, duke i zhgënjyer dhe madje thyer shpirtërisht. As Jashari nuk i ka shpëtuar këtij fati të keq në jetën e tij të organizimit kombëtar. Për më keq, ai e ka përjetuar edhe përçarjen e radhëve të organizuara të Lëvizjes Kombëtare, si një nëmë dhe gjëmë personale dhe kolektive, me refleksione afatgjata dhe dëme historike njëkohësisht.

Nga fundi i viteve shtatëdhjetë, pas mbajtjes së dënimit të parë, Jashari njihet me një grup të rinjsh patriotë nga Dardana dhe me një nga vajzat e organizuara në radhët e tij, me Vaxhide Morinën. Të dy veprimtarët i bashkoi kauza e lartë e lirisë, por edhe ndjenja e dashurisë së sinqertë e besnike. Ajo si bashkudhëtare e autorit,  zë vend të konsiderueshëm në libër. Kujtimet e tij autori i përfundon me disa copa ditari, ku paraqet moshën e tij të tretë me nipçen dhe mbesën e tij të dashur.

Libri i Jasharit, i shkruar me një gjuhë të lehtë për t’u lexuar e me sintaksë të goditur, ka një rrëfim të rrjedhshëm, të natyrshëm dhe të sinqertë. Ai përbën një dëshmi objektive për aspekte të Lëvizjes së re Kombëtare të Kosovës, shikuar nga këndi i një veprimtari veteran të saj.

Prishtinë, më 2 korrik 2013          

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …