Një monografi shkencore për veprimtarin, Shaip Mustafë- Presheva

Gazetari dhe veprimtari, Hasan Emërllahu ka nxjerrë në dritë monografinë: “Shaip Mustafa – Presheva në dokumentet arkivale. Autori në këtë libër ka ndriçuar, po thuajse në të gjitha segmentet, veprimtarinë revolucionare, shoqërore e politike të veprimtarit të njohur nga Kosova Lindore, Shaip Mustafa, i njohur edhe si Shaip Presheva. Përmes një metodologjie të avancuar shkencore, ai ka grumbulluar shumë të dhëna nëpër arkivat e kohës, ka biseduar me bashkëkohësit e Shaip Mustafës dhe ka shfrytëzuar një dokumentacion të pasur për ta nxjerrë në dritë jetën tragjike  dhe veprimtarinë prej revolucionari, të këtij intelektuali, i cili nuk i përballoi dot sfidat e rrezikshme të kohës, pavarësisht bindjeve të tija përparimtare dhe përpjekjeve për përparimin e çështjes shqiptare, sidomos në viset, të cilat kishin mbetur nën Jugosllavi edhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Autori në këtë monografi ka përfillur kriteret e shëndosha shkencore, duke na sjellë një faktografi dhe literaturë të pasur, e cila reflekton besueshmëri dhe e begaton njohjen tonë për periudhën historike, sidomos prej vitit 1935 e deri në vitin 1962, duke e ndërlidhur tërë këtë problematikë me jetën dhe veprën revolucionare të Shaip Mustafës dhe bashkëpunëtorëve, shokëve e miqve, më vonë edhe shumë  armiqve të tij.

Fati i shqiptarit nën robërinë turke, serbe, bullgare, italiane, gjermane e më pas jugosllave, doemos se ka lënë gjurmë të thella në të gjitha segmentet e jetës së shqiptarëve, të cilët mjerisht edhe sot e kësaj dite jetojnë të ndarë në gjashtë shtete të Ballkanit, fenomen i veçantë në historinë dhe gjeografinë e popujve të botës.

Shaip Mustafa sipas përshkrimit që i ka bërë autori, duke studiuar mjaft mirë biografinë e tij, përfaqëson shqiptarin që ka  ngelur në verigat e robërisë, por që bën përpjekje për të mbijetuar në kushte dhe rrethana të sfidave, dilemave dhe antagonizmave të shprehura para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai ishte në mesin e shqiptarëve, që kishte vetëdije kombëtare dhe në fillim të shkollimit e emancipimit intelektual do të orientohej në organizatën atdhetare, “Besa” në vitin 1935, të cilën e kishin formuar disa intelektualë shqiptarë në Beograd, në kohën e regjimit monarkik jugosllav, regjim ky që tërë energjinë dhe fondet i kishte  shpenzuar për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre, të cilat i mbante nën okupim që nga viti 1918. Në atë kohë të antagonizmave të fuqishme dhe tronditjeve mes forcave të majta socialiste e komuniste, si dhe forcave reaksionare të djathta e fashiste, shumica dërrmuese e intelektualëve shqiptarë, me prejardhje nga shtresat e varfra kishin anuar kah jehona e Revolucionit të Tetorit dhe Bashkimit Sovjetik. Një shtresë e madhe e intelektualëve shqiptarë kishte mbështetur Internacionalen komuniste dhe shpëtimin e kombit e shihnin në të drejtën e kombeve për liri, barazi e vetëvendosje. Kjo dogme e përqafuar si parim themelor mbi principe të lirisë dhe barazisë, doemos se i kishte tërhequr sidomos shqiptarët, të cilat nga robëria turke kishin rënë në robërinë serbe e sllave. Mirëpo, duke qenë se shqiptarët nuk kishin gëzuar asnjë të drejtë elementare kombëtare në kohën e Mbretërisë SKS, kishin shprehur rezervë në shokët komunistë serbë, të cilët edhe pse marksistë e internacionalistë në formë, në brendinë e tyre kishin vepruar si nacionalistë, të cilët urrenin çdo gjë shqiptare. Ata i donin shqiptarët vetëm si shërbëtorë, por kurrsesi të barabartë, përveç në raste të veçanta kur ata u shërbenin verbërisht platformave antishqiptare të Beogradit. Përshtypje të tilla realiste krijohen pas leximit të kësaj monografie, të cilën autori e ka hartuar me shumë kujdes, pa asnjë anim, pa fshehur faktet, pa përpjekje për t’ i manipuluar ato. Pikërisht ky segment mungon në shumë monografi për personalitet e historisë sonë kombëtare, të së kaluarës së hershme dhe të kësaj kohe.

Duke sjellë në skenë biografinë e komunistit internacionalist, Shaip Mustafa, autori  i monografisë,  Hasan Emërllahu, ka ballafaquar faktet si dhe dilemat e sfidat e krye-personazhit të monografisë së tij, i cili në kushte dhe rrethana të caktuara kishte vepruar duke mbrojtur veten dhe interesin e përgjithshëm. Por nuk kishte mjaftuar kjo, meqë faktori i jashtëm vendim-marrës  kishte qenë determinant. Shaip Mustafën  e shohim si intelektual herë në njërin e herë në taborin tjetër të luftës.  Duke qenë jurist me profesion, ai bënte punën e tij profesionale, por në kohën kur jetoi, profesioni, cili do qoftë ai,  doemos se i nënshtrohej politikës së mujsharëve, të forcave që kacafyteshin për jetë a vdekje. Për më tepër, si intelektual me prejardhje nga morali tradicional, ai nuk shkëputej dot nga sinqeriteti, besa, ndershmëria, burrëria, veti këto tipike shqiptare, të cilave u kishte qëndruar besnik deri në fund të jetës. I ballafaquar me njerëz të racave, besimeve e ideologjive të tjera, ai i mbeti besnik vetvetes, moralit të tij, sidomos në raport me njerëzit, pavarësisht nga prejardhja e tyre kombëtare.

Gjatë tërë kohës sa kishte qëndruar në burgjet e kazamatet jugosllave, ai kishte kërkuar drejtësi nga shokët e tij komunistë, të cilët e kishin dënuar me vdekje si agjent italian, njëjtë sikur e kishin ndjekur e  dënuar italo-gjermanët, si agjent rus. Askush nuk i doli në ndihmë edhe pse gati të gjithë e dinin se ai ishte viktimë e regjimit, sepse shumica syresh kishin frikë mos po iu ndodhte edhe atyre e njëjta tragjedi.

Fatin e tij e kishin pësuar edhe shumë komunistë idealistë shqiptarë dhe jo vetëm shqiptarë. Ishte një fat i gozhduar paraprakisht, ishte një Golgotë e paracaktuar për “bijtë” që i vriste “babai”, “i pagabueshmi”, që identifikohej me “shkatërruesit e botës mizore dhe ndërtuesit e botës së re, në vend të saj”.

Autori i monografisë, Hasan Emërllahu ka bërë shumë  mirë që e ka ndriçuar këtë personalitet të kohës së para luftës së Dytë Botërore, gjatë saj dhe në periudhën e komunizmit, sepse personalitete të tilla tragjike ka shumë në radhët e popullit tonë. Është për keqardhje fakti i shpërfilljes, që iu bëhet viktimave të komunizmit, që iu bënin dhe u bëjnë edhe sot komunistëve idealistë, sikur ishin: Shaip Mustafa, Abdullah Krashtica, Ibrahim Hoxha, Rifat Berisha, Milladin Popoviqi, Rezak Shala e disa të tjerë. Këta idealistë kishin rënë pre e besimit të tyre të sinqertë në dogmën e ideologjisë komuniste jugosllave, andaj edhe ishin bërë qengja flijimi nga shokët e tyre si: Ali Shukriu, Sinan Hasani, Xhavit Nimani, Shaban Kajtazi, më vonë Azem Vllasi, Rrahman Morina e të tjerë.

Autori, Hasan Emërllahu, monografinë e tij e ka titulluar: “Shaip Mustafa-Presheva, në dokumente arkivale”. Ky është përgjithësisht një titull përkufizues, realist, meqë duket se qysh në fillim ka marrë vendim për  të qëndruar i paanshëm në trajtimin e personazhit, të cilin e ka ndriçuar, po thuajse në të gjitha segmentet. Me një qasje të tillë shkencore, publicisti dhe orientalisti i njohur, Hasan Emërllahu,  dëshmon kredibilitetin e tij për punë të pavarur shkencore, kriter ky që mjerisht po përfillet fare pak nga krijuesit e rinj dhe nga mujsharët e sotëm të klaneve e bizneseve, që shkruajnë e botojnë me porosi, që bëjnë përpjekje madje edhe për të ndërruar prejardhjen e personaliteteve të caktuara kombëtare, që tradhtarët me damkë të kombit i trajtojnë si heronj, ndërsa heronjtë e dëshmuar, si tradhtarë.  ( Ahmet Qeriqi)

Shfleto librin…

Shaip Mustafa-Presheva, në dokumente arkivale – Monografi I

Shaip Mustafa-Presheva, në dokumente arkivale – Monografi II

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …