Me aktivitete përkujtimore e kulturore u përkujtuan dëshmorët dhe martirët e Kotlinës në 20-vjetorin e rënies

Me aktivitete përkujtimore e kulturore u përkujtuan dëshmorët dhe martirët e Kotlinës në 20-vjetorin e rënies

Në 20-vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirëve, më 24 mars 1999, sot  në fshatin Kotlinë, në përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi dhe në bashkëpunim më Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Kaçanik si dhe Këshillin Organizativ të fshatit Kotlinë, nga ora 12:00 u bënë homazhe dhe u vendosen lule tek vendi i rënies dhe  në Kompleksin Memorial të Martirëve në fshatin Kotlinë, ndërsa në orën 13:00 u bënë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Kaçanik. Para shumë të pranishmëve që kishin mbushur sallën në Shtëpinë e Kulturës “Xheladin Kurtaj”, në Kaçanik u mbajt  akademia përkujtimore në nderim dhe përkujtim të 28 dëshmorëve dhe martirëve të Kotlinës, të cilët me 24 mars 1999 ishin masakruar mizorisht nga forcat ushtarake dhe policore serbe.

Besim Ilazi

Para të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua kryetari i Komunës së Kaçanikut, z.  i cili ndër të tjera tha: Po takohemi sot për të përkujtuar dhe nderuar të dëshmorët dhe martirët e fshatit Kotlinë, të vrarë në mënyrë më mizore nga okupatori serb. Sot ndjehem i priviligjuar që të ndaj kujtimin së bashku me ju për dëshmorët e atdheut, që i dhanë vendlindjes tonë ngjyrën dhe shijen e lirisë. Por sot ndryshe nga herë e tjera përvjetorin e Masakrës së Kotlinës do ta prezatojmë përmes dokumentarit, i cili më së miri do të portretizojë këtë ditë e cila gjakosi pranverën dhe Kotlinën. Ishte një pranverë e zymtë në tërë Kosovën, ishte një pranverë që ujiti lulet me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Sot po përurojmë një dokumentar i cili do të mbetet pjesë e historisë që do ta pasurojmë përmes rrëfimit të ngjarjes, e cila për shumë kënd, mund të duket si një legjendë.

Hajrush Kurtaj

Zyrtari i MFSK-së dhe ish zëvendëskomandanti i Brigadës 162, “Agim Bajrami”,  gjatë luftës, Hajrush Kurtaj gjatë fjalës së tij në akademinë për dëshmorët e martirët ka thënë se  20-vjetori i luftës në Kotlinë ishte njëra ndër betejat më të përgjakshme të UÇK-së, Lufta që bëri UÇK-ja është një luftë heroike, luftë për liri e pavarësi, për përparim e për dije, për nderë dhe dinjitet. Pa kryengritjen e armatosur të kësaj ushtrie, nuk do të kishim çlirim, nuk do të kishim Kosovë të Lirë, nuk do të kishim Kosovë Demokratike dhe nuk do të kishim Kosovë Sovrane. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte faktori kryesor e përcaktues i kësaj fitore. Kjo ushtri e çliroi Kosovën . Nga kjo ushtri ranë qindra djem e vajza të Kosovës. NATO-ja në krye me SHBA-të, ishte faktor ndihmues që e shpejtoi çlirimin përfundimtar. Falë gjitha këtyre edhe pas aprovimit të tri ligjeve në Parlamentin e Republikës së Kosovës me 14 dhjetor 2018 tani kemi edhe Ushtrinë e Kosovës, e cila do të jetë garantuese e sovranitetit të shtetit tonë.

Ushtria serbe kishte kohë që kishte planifikuar një skenar vrasës, një skenar të “Tokës së Djegur”, kundër banorëve të Kotlinës me rrethinë. Ata, vetëm prisnin momentin më të përshtatshëm, për zbatimin praktik të skenarit. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, që pësuan në Betejën e Gajres, më 28 shkurt, të betejës me 8 mars në Ivajë, të Kotlinës, më 9 mars, dhe të betejave të tjera; kuptohet, se ato do të hakmerren ndaj qytetarëve, këtë e kishte të qartë edhe Shtabi i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, sepse kjo kishte ndodhur edhe në shumë qytete e zona të luftës, kudo në Kosovë. Brigade 162 “Agim Bajrami” e UÇK-së, në këtë zonë, kishte pasur sukses në shumë beteja, kundër ushtrisë serbe. E dinim se kjo do të jetë, prova më e vështirë dhe njëherë beteja më e përgjakshme, që ushtria serbe, po planifikonte të ndërmerrte kundër popullatës shqiptare, në këto anë.

Jeton Kuçi

Në emër të familjeve të martirëve e dëshmorëve, Jeton Kuçi pasi përshëndeti të pranishmit tha: Jemi takuar sot këtu, në nderim dhe respekt për më të dashurit tanë, të cilët 20 vjet më parë dhunshëm dhe në mënyrë barbare  i ndau nga jeta pushtuesi serb.

Sot më të dashurit tanë i kujtojmë me dhembje e krenari, me dhembje sepse  fizikisht nuk i kemi më në mesin tonë, por i ruajmë kujtimet më të mira, më të dashura e më të çmuara për ta.  I kujtojmë me krenari,  sepse rezistenca shekullore dhe gjaku i tyre na solli këtë liri, të cilën e gëzojmë sot, ne pasardhësit e tyre dhe do ta gëzojnë nëpër shekuj të gjithë shqiptarët, që kanë jetuar dhe do të jetojnë në trojet e tyre, në vendet tona malore ku kemi  jetuar gjatë shekujve.

Kotlina jonë e dashur u bë therore lirie, në një datë të rëndësishme të historisë sonë më të re, duke shënuar  një kapitull të qëndresës, heroizmit dhe të martirizimit.  Përgatitja për krim e forcave serbe kishte filluar në orën shtatë e gjysmë të mëngjesit, të mërkurën me 24 Mars 1999. Kjo ishte një befasi e tmerrshme. Ata që kishin mbetur në Kotlinë ishin tmerruar kur ushtria serbe kishin vërshuar fshatin e tyre aq herët me tanket  dhe automjete të blinduara.

Po atë ditë, më 24 mars të vitit 1999, kur forcat serbe kishin treguar fytyrën më barbare kundër tërë një popullate këtu në Kotlinë, por edhe në vend-luftimet e tjera të UÇK-së në Kosovë, po atë natë në orën 20.00 kishin filluar bombardimet e Aleancës Ushtarake Veriatlantike kundër  caqeve ushtarake dhe makinerisë vrastare të regjimit kriminal serb, në krye me kasapin e Ballkanit, Millosheviq.

Regjimi serb me kriminelët e vet  prej qershorit të vitit 1999 nuk janë më në Kosovë, nga ku janë dëbuar përgjithmonë, ndërsa ne jemi këtu në trojet tona shumë herë të përskuqura me gjak, por tani, jetojmë të lirë dhe të pavarur, duke i përkujtuar më të dashurit tanë  dëshmorët e martirët dhe të gjithë ata që gjatë shekujve dhanë jetën për çlirimin e vendit.

Lavdi dëshmorëve e martirëve të kombit! tha Jeton Kuçi

Dokumentar - Masakra e Kotlinës

Para të pranishmëve në sallën e Shtëpisë së Kulturës, “Xheladin Kurtaj”, në Kaçanik u shfaq filmi dokumentar, Masakra e Kotlinës, përgatitur nga TV-Dielli, i cili u mirëprit nga të pranishmit e shumët në 20-vjetorin e rënies së 28 dëshmorëve e martirëve të fshatit Kotlinë.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Ahmetaj ka akuzuar kryeministrin, Albin Kurti, për ndërhyrje direkte në procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut

Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Ahmetaj ka akuzuar kryeministrin Albin …