Brickos

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Evokim kujtimesh nga demonstratat e vitit 1981 II

 (Me rastin e 42-vjetorit )

Nga demonstrata studentore, kaluan në ato gjithë popullore!

Demonstratat e vitit 1981, populli ynë i përkrahu fuqishëm e pa u hamendur. Në mesin e studentëve vërshuan si lumi; nxënës, punëtorë, intelektual, qytetarë, vajza, gra, të rinj e të moshuar- që të gjithë, ato demonstrata, nuk ishin më vetëm STUDNETORE, por GJITHPOPULLORE! Vlen të ceket, dhe nuk guxon të anashkalohet: Të gjitha dyert e qytetarëve atdhedashës të Prishtinës, ishin të hapura për demonstruesit ditën dhe natën! Ata na pritën me bukë, kripë dhe zemër, na strehuan, na i lidhën plagët, nga e ngrohën shpirtin, na dhanë kurajën dhe mbështetjen, prandaj edhe sot përkulem me respekt para nënave që na dhanë bukën e ngrohtë e na i lidhën plagët e njoma- ta paçim borxh Prishtinë!…

Punëtorë të shumtë nga organizata të shumta punuese si: “Ramiz Sadiku” etj. me helmeta në kokë u futën në gjirin e demonstruesve. Së bashku me përkrahjen morale, ata sollën me vete  edhe mjete tjera barrikade, si: kamionë, ekskavatorë, rrafshues, buldozerë  dhe mjete tjera. Demonstruesit u bënë të pakalueshëm. Këta punëtorë u solidarizuan me bijtë e vet, duke dashur që të vdesin pranë dhe përkrah nesh!

Me dhjetëra pronarë e punëtorë shitoresh, furrave të bukës e produkteve tjera ushqimore, po shpërndanin uji, bukë, pije tjera, artikuj ushqimor, qepë, qumësht e çka jo… ata ishin mes dhe përkrah demonstruesve, përkulje për sakrificën dhe solidaritetin e tyre, një popull i tërë në këmbë si lumi i trazuar! S’kishte diskutim më, kjo kaloj në një demonstratë gjithë popullor, ndër më të fuqishmet që nuk mbahet mend në historia e Ballkanit, deri atë pranverë!

Punëtorët e shëndetësisë, po shpërndanin fasha, medikamente, vaksina e gjithë çka ishte në mundësinë e tyre për shpëtimin dhe riaftësimin e demonstruesve. E madhja Sahadete Mekuli i kishte pritur demonstruesit e plagosur në spital me fjalët e bukura, atdhetare dhe të guximshme, si: ME FAT PLAGËT O TRIMAT E KOSOVËS! Ky akt atdhetarie, Shëndetësi e Kosovës, mos shkelni mbi betimin e Hipokrates sonë Sahadete!…

Me 2 prill pas dite, mbi fakultetin Ekonomik, ushtria serbe nga tanku i ushtrisë jugosllave, shtiu në turmën e demonstruesve. Shtiu armata e quajtur APJ! Nga breshëria e plumbave, u shkëput për dhe, Besa Ahmeti- nxënëse. Plagët e saj ia lidhëm me këmishën e trupit të Fejzë Veliut  nga Polaci i Drenicës, dhe e futëm në një makinë “Reno 4”. Mbaj mend se në momentin kur Besa ishte mes jetës a vdekjes, tek po i thoshte një shoqes së vet:

…  “Mos trego në shtëpi për plagosjen time, mos u trego prindërve, thuaju se Besa është me demonstruesit!”… dhe vërtetë emri i Besës ishte kudo me ne, është edhe sot. Mos harroni gjakun e derdhur për liri rrugëve të Prishtinës e Kosovës gjithandej, dhe Besën e Betimin e dhënë për liri të Kosovës!

Në demonstratën e 2 prillit, ishte vrarë edhe i riu Xhelal Maliqi, punëtor i Televizionit të Prishtinës, edhe një lule e këputur në mesin e shumë luleve- Dëshmor të Kombit. Të nesërmen  me disa shokë, shkuam atje për t’u përkulur për të fundit herë para trupit të tij.

Si sot… në një oborr të vogël, nën një pemë të madhe, që kishte qenë aty, një djalë i ri si një lis mali, shtrirë në një arkivol të vjetër, shtrirë e me sy të hapur!… Ata sy, edhe sot të hapur qëndrojnë?! Qindra Dëshmorë të Kosovës nuk po i mbyllin sytë dot. Mos harroni, ata sy duan që Kosovën ta shohin të lirë e të bashkuar, dhe vetëm të lirë e të bashkuar!…

11 lulëkuqet e prillit të vitit 1981!

11 mars, 11 dëshmorë, çfarë koincidence kjo!… Në Kosovë gjatë demonstratave të 1, 2 e 3 prillit të vitit 1981, milicia dhe ushtria jugosllave, vrau 11 demonstrues, ranë për liri: Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Mulaku, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Nesimi Dervishdana, Ibrahim Krasniqi dhe Afrim Abazi! Ky pushtues gjakatarë, plagosi mbi 300 të tjerë. Burgosi mbi 3500 të rinj, kryesisht studentë. Përjashtoi nga shkollat, Universiteti, fabrikat, dhe institucionet tjera, diferencoi me mijëra shqiptarë. Më herët e më vonë, shumë nga të burgosurit shqiptarë, i mbyten edhe në burgjet serbe si: Fazli Graiqevcin, Xhemaili Berishen, Zija Shemsiun, Abedin Balen, Ibrahim Krasniqin, Ibrahim Kastratin,  dhe mbi 173 shqiptarë të burgosur tjerë, i vranë e masakruan në burgun e Dubravës! Në shenj respekti, vizitoni varret e tyre, në mënyrë që të kujtojmë flijimin e tyre për një Kosovë të lirë e të bashkuar!…

Me 2 prill, nga shtëpia e Dalibashiqëve (atje afër mensës së studentëve), diku rreth orës 11 paradite, ishte shtënë me armë zjarri. Dalibashiqët, diku nga ora 11, kishin plagosur një demonstrues për vdekje. Dhe më vonë, diku rreth orës 16 pasdite, kur policia u ngjit lart në atë lagje, njëri nga Dalibashiqët, doli prapë me pushkë M 48- të, në dorë, dhe diku 20-30 metra mbi shtëpinë e tij, qëlloi një demonstrues tjetër i cili atë moment, ishte duke manovruar me një kamion për të bërë barrikadë në rrugë. Nga një largësi prej rreth 200 metrash më lartë, mbrapa një trafo-je rryme, këtë ngjarje e kemi parë me sytë tanë, tre veta: unë – Mehmet Bislimi nga Prekazi, Ismet (Milazim) Kabashi nga Polaci dhe Ilaz Kolovica nga Prishtina!

Nuk kam njohuri, nëse këta dy demonstrues të qëlluar me pushkë nga qytetari Dalibashiq, kanë vdekur, apo kanë shpëtuar me plagë të rënda në trup? Atë botë, Dalibashiqët për këtë krim të rëndë, u dënuan vetëm me 30 ditë burg kundërvajtjeje, drejtësi e Kosovës, mbaje mend edhe këtë!…

A ishte Shqipëria e implikuar në demonstratat e viti 1981- pyetje që shtrohet edhe sot!?

Republika Socialiste e Shqipërisë, udhëhequr nga Enver Hoxhës, atëbotë, ishte i vetmi shtet në rajon dhe Evropë që demonstratat e vitit 1981 i përkrahu moralisht e shpirtërisht, pa rezervë e fuqishëm, duke i vlerësuar kërkesat tona si të drejta. Shqipëria, njëkohësisht ishte i vetmi shtet që dënoi dhunën dhe reprezaljet, që ish aparati shtypës serbo-jugosllave, i kishte zbatuar kundër demonstruesve shqiptarë duarthatë të Kosovës të cilët po kërkonin të drejtat e veta.

Ishte i gjykueshëm dhe i pa dinjitet qëndrimi i BE-së, e cila atë kohë, nuk e ngriti as edhe një zë kundër gjithë kësaj dhune, zbrazur kundër popullit duarthatë shqiptarë në Kosovë. Diçka e paprecedent kjo, ai pushtues atë pranverë, kishte vrarë 11 demonstrues, kishte plagosur mbi 300 të rinj, kishte dënuar mbi 3500 të tjerë me burg të rëndë, kishte diferencuar e larguar nga puna me qindra e mijëra tjerë, BE, as edhe një fjalë, as edhe një reagim, as edhe një notë verbale, apo qortim!… ishte dhe mbeti e pafalshme kjo sjelle qyqare e BE-së, që ishte mësuar ta miklonte Serbin- edhe sot e kësaj dite!…

Në kuptimin e përgjithshëm bazik, kjo as nuk diskutohet; pa një shtet shqiptar- si Shqipëria (ashtu siç ishte) , shqiptarët nëpër shekuj, vështirë së do t’i përballonin agresorët Ballkanik të shteteve tona fqinje, që në vazhdimësi, kishin qëllime gllabërues ndaj tokave shqiptare.

Asnjë popull në botë, nuk mund të ekzistojë pa shtetin e vet, prandaj as ne shqiptarët nuk bëjmë përjashtim. Pa Shqipëri, nuk do të kishte shqiptarë, dhe kjo është një e vërtetë absolute! Pa Angli, nuk do të kishte anglezë, pa Francë, nuk do të kishte francezë, pa Gjermani, nuk do të kishte gjerman, pa Amerikë, nuk do të kishte amerikanë dhe anasjelltas e kështu me radhë…

Pyetja që mund të shtrohet:

Se a ka bërë Shqipëria mjaftueshëm për të mbrojtur dhe ngritur popullin shqiptarë të Kosovës deri në atë shkallë që ne, të kërkojmë lirinë tonë, pa pritur të na e sjellin të tjerët në pjatë! Mendoj se po, angazhimi i Shqipërisë (që nga prishja e marrëdhënieve me ish Jugosllavinë titiste), ishte i pamohueshëm, me aq sa mund të depërtohej atë kohë, si: me literaturë, me koncerte, me artistët shqiptarë, me profesorët që ligjëronin herë pas here në Kosovë, me sportistë, me shkrimtarë e intelektual, me drama dhe filma shqiptarë, me emisione edukative, me mediat si; Televizioni dhe radiot shqiptare e kështu me radhë. Shqipëria, kishte punuar ditë e natë (në rrethanat e kohës), për të mbajtur të patundur frymën e shqiptarëve, ndarë padrejtësish nga trungu i vet. Dhe kush pretendon ta mohoj këtë, gabon rëndë. Shqipëria, asnjë herë nuk i ka mohuar shqiptarët që kanë mbetur jashtë trungut të vet natyra, pa dëshirën dhe vullnetin e tyre- as një herë!

Po, pyetja duhet të shtrohet kësisoj:

A ka qenë Shqipëria dhe kreu politik i asaj kohe në rrjedha, apo i njoftuar se atë pranverë në Kosovë, do të këtë organizim të lëvizjeve të mëdha popullore?- Jo, e them me bindje se Jo.

Pa asnjë dyshim, se një ditë do të ndodhnin lëvizje të tilla në Kosovë, por askush nuk e kishte paraparë dhe përgatitur deri në atë shkallë saktësie, se ato do ndodhnin pikërisht në mars e prill të pranverës së vitit 1981, Jo!…

Shqipëria dhe shteti shqiptarë, si të thuash, ishte zënë në befasi. Edhe reagimi i Shqipërisë zyrtare, përmes organit të “Zëri i Popullit” , ishte bërë tek me 8 prill- kjo fletë më së qartë.   Jo, pse ne, shqiptarët e Kosovës nuk do ta njoftonim Shqipërinë, jo pse Shqipëria nuk kishte dëshirë për informim korrekt, të saktë dhe me kohë, por së marrëdhëniet ndërshtetërore Shqipëri- Jugosllavi, ishin shumë të tendosura, dhe mundësitë për një komunikim të rregullt dhe të sigurt nga të dyja anët e kufirit, kishte degraduar!

Personalisht, vet, kam kaluar në Shqipëri së pari herë, diku në prill të vitit 1992 (klandestin), dhe disa herë më pastaj. Kam takuar atje figura të larta politike si: Fatos Nanon, Gramoz Rucin, Sokol Pezën, Nexhmije Hoxhën, Ilir Hoxhën, Sabit Brokën, më vonë Shaban Sinanin, Koço Danajn, Mojkom Zeqon, Ramadan Sulon, që ishte kujdestar i afërt i Haxhi Lleshit e dhjetëra figura tjera, të cilët në një formë, apo tjetër e pranojnë hapur se demonstratat shqiptare të viti 1981 në Kosovë, Shqipërinë e kishin befasuar, natyrisht për të mirë, por që shteti shqiptarë nuk kishte pasur as më të voglin sinjal se pranvera e vitit 1981, do të vërshoj në Kosovë si lumi që mori përpara llumin e ish pushtuesit gjakatar Jugosllav.

Ikja e fundit!

Së këndejmi, studenti i fundit shqiptarë (në mos gabohem), që ka emigruar nga Kosova në Shqipëri atë kohë, mbase i vetmi nga studentët demonstrues të pranverës së vitit 1981, ishte studenti i muzikës Hajredin Muji nga Zhuri. Hajredini, duke u arratisur në Shqipëri, kishte shpëtuar nga arrestimi dhe dënimi i sigurt nga pushtuesi në fjalë.

Me Hajredinin , jemi njohur atë kohë, ai ishte një djalë i vendosur- njeri ndër organizatorët e shumtë të këtyre demonstratave. E kam takuar më pastaj në Tiranë. Hajredinit, atë kohë në Shqipëri i është pranuar qëndrimi, dhe ka studiuar edhe atje për muzikë, tani ai jeton në Gjermani. Edhe ai më ka thënë të njëjtin qëndrim: Shqipëria, nuk kishte pasur informata apo njohuri të mjaftueshme, së atë pranverë në Kosovë do të kishte lëvizje të mëdha politike. Aq më pak, ishte e implikuar në ato lëvizje- siç pretendonin element politik të ish Jugosllavisë, duke dashur të aludojnë se shqiptarët e Kosovës nuk e kundërshtonin Jugosllavinë, por për këtë po i indoktrinonte dhe nxiste Shqipëria Socialiste e Enver Hoxhës!

Përfundimisht, demonstratat e viti 1981, ishin të organizuara nga rinia djaloshare e Kosovës të cilat i dhanë vulën përfundimtare lirisë që po vinte së bashku me pranverën e madhe- kjo ishte pranvera e lirisë, rimuar me gjakun e bijve tanë më të mirë e cila nuk kishte kthim mbrapa, ishte pranvera e vitit 1981!

Pas demonstratave, pasuan edhe pushkët e para të lirisë!

Në maj të po atij viti (13 maj), Tahir e Nebih Meha, si dikur Oso Kuka, u dogjën në kullën e barotit! Ata me këtë rast i treguan pushtuesit jugosllav, dhe botës së shurdhër, se shqiptarët e mbetur përdhunisht nën pushtimin Jugosllav, një ditë, do të detyrohen të mbrohen edhe me armë! Tahiri, atë vit, vrau me pushkën e lirisë forcat e dhunshme të pushtuesit jugosllav, vrau namin e tyre, për më shumë, hodhi për tokë “mitin” mbi paprekshmërinë e njësiteve speciale të ish UDB-së, dhe KOS-it. Pas demonstratave të mëdha të asaj pranvere, krisma e pushkëve të lirisë së Tahir e Nabih Mehës, ishte lajmëtari i parë i pushkëve të lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Betimi!

Në ceremoninë e varrimit të Tahir e Nebih Mehës (mes tjerësh), ishin prezent edhe Shaban, Hemëz e Adem Jashari, Ata, atë ditë, me rastin e varrimit të Tahir e Nebih Mehës, ishin betuar se luftën për liri e bashkim kombëtarë, do ta vazhdonin me konsekuencë dhe pa kompromis, dhe së gjaku i Tahir e Nebih Mehës, dhe qindra dëshmorëve tanë, do të shpaguhet shumëfish!…

Në atë varrim, isha prezent edhe vet (autori i këtij shkrimi), dhe e di saktë së kush ka qenë i pranishëm  atë ditë, në atë varrim.

Nga ajo ditë, deri tek rënia Legjendare e Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit, kishin kaluar jo me shumë së 17 vite, aspirata e tyre u konkretizua me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- betimi shkoj në vend!

– Çmimin e lirisë deri sot, populli shqiptarë e ka paguar shumëfish!…

Kontrolloni gjithashtu

Demostratat e vitit 1981

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – II

 -10- Konfidenciale E. Montgomery  Ambasada britanike Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                         Beograd Zyra e …