1 prill 1981

Mehmet Bislimi: Evokim kujtimesh nga demonstratat e vitit 1981 I

 (Me rastin e 42-vjetorit )

Demonstratat e viti 1981, nuk ishin spontane dhe të pakoordinuara, siç pretendojnë edhe sot qarqe të caktuara, aq më pak të organizuara nga Partia e Punës së Shqipërisë, siç pretendohej atë botë nga udhëheqja politike e LKJ-së, se shqiptarët e Kosovës ishin të manipuluar nga Shqipëria Socialiste e asaj kohe.

Natyrisht, këtë linjë ndiqte edhe kasta politike e asaj kohe në Kosovë, duke u diferencuar, duke i dënuar, etiketuar, kërcënuar dhe shpallur deri armiqësore demonstrata dhe bartësit e tyre, kundër të cilëve u morën masa drastike, duke shpallur edhe shtetrrethim!

Ish kreu i LKJ-së, këto demonstrata i cilësoj si tejet armiqësore, irredentiste dhe kundërrevolucionare, që synonin prishjen e rendit socialist të ish Jugosllavisë, dhe bashkëjetesën e popujve, thirrur në parullën më ironike të asaj kohe, siç ishte: “bashkim-vëllazërimi!”,  ku shqiptarët ishin ndër më të shtypurit dhe më të shfrytëzuarit, ku shkeleshin të drejtat e tyre më elementare, ku llogariteshin si qytetarë të rendit të dytë, ku ekonomia kishte rënë për tokë, ku filluan të mungonin artikujt ushqimor, ku punëtorëve iu epeshin rrogat me nga tre e katër muaj vonesë, ku rrezikohej shëndeti dhe jeta e qytetarit shqiptar, ku një polic, zyrtarë apo edhe mujsharë serb, vepronte krejt në mënyrë arbitrare: rrihte, dhunonte, arrestonte dhe vriste shqiptarët e Kosovës, kudo; në arat e tyre, në luadhe, në rrugë, në qytete, në shtëpitë e tyre, madje i vrisnin shqiptarët edhe nëpër burgje duar lidhur, dhe nuk jepnin as më të voglën përgjegjësi para ligji!

Ish pushtuesi jugosllav, krahas asaj që po krijonte pasiguri për shqiptarët, kastën politike të Kosovës së asaj kohe e kishte joshur që të bënte kërcënime dhe akuza të rënda kundër demonstruesve, madje duke e kthyer edhe ligjin e Kanunit në Kosovë- siç ishte Lëçitja!…

Në vazhdimësi, aparati shtetëror shtypës serbo- jugosllav, që nga viti 1981 e deri me 1993, kishte vrarë mbi 1000 shqiptarë të pafajshëm në Kosovë, si: gra, burra, fëmijë, pleq, plaka, të rinj e të reja. Krim mbi krime ishte dhe mbeti fakti, kur Serbia, filloi t’i vras e masakroj të rinjtë shqiptarë (diku 122 djem tanë), edhe në Kazermat ushtarake, ku të rinjtë shqiptarë po bënin shërbimin ushtarak në të quajturën JNA- Ushtria Popullore e Jugosllavisë!

Paradoksi politik i BE-së, që nuk kuptohet e arsyetohet as sot e kësaj dite, ishte se: askush nga organet e drejtësisë së BE-së, as nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtarë, as denjoj të merren me hetimin e këtyre vrasjeve mizore e kriminale të ish Ministrisë së Mbrojtjes së Jugosllavisë atë kohë- nga ana tjetër; Këshilli i Evropës, me vetëdije të plotë, dhe mbi bazën e shpifjeve, gjeti mundësi për të hetuar një shtëpi të verdhë, diku në një fshat të largët malor të Shqipërisë, së cilës po i pikonte çatia brenda!, e nga ana tjetër, nuk gjeti mundësinë për të hetuar vrasjen e mbi 122 të rinjve ushtarë shqiptarë nëpër Kazermat Ushtarake të ish Jugosllavisë, të cilët i masakruan, ua morën organet e trupit, dhe i kthyen në Kosovë të gozhduar nëpër arkivole, nënë sqarimin se kanë bërë vetëvrasje!…

Kjo situatë e rëndë politike reprezaljesh e gjenocidi mbi shqiptarët e Kosovës, vazhdoj deri sa u formua dhe organizua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, shpëtimtarja dhe çlirimtarja e atdheut.

Më saktësisht, kjo nuk duhet dhe nuk guxon të nënkuptoj se ishin reprezaljet e aparatit të dhunës serbo-jugosllave ato, që vetëdijesuan shqiptarët për të kërkuar të drejtat dhe lirinë e tyre- Jo, dhe Jo, shqiptarët ishin të vetëdijshme në të gjitha kohët së ishin të pushtuar, dhe po aq të qartë e kishin së nuk ka liri nën pushtim!, prandaj lëvizja e tyre për liri dhe shtet-bërje daton shumë herët, që para lidhjes së Prizrenit e deri tek demonstrata e vitit 1981, të cilat përfundimisht shemben themelet e një pushtuesi gjakatar që quhej Jugosllavi, e cila që nga atëherë, nuk u rimëkëmbë më!, prandaj me shumë të drejt konstatojmë së:

Demonstratat e viti 1981 në Kosovë, përfundimisht shemben nomenklaturën e RSFJ-ës, dhe LJK, e cila nuk arriti të ribëhet kurrë më, natyrisht se kjo gërmadhë këtë përfundim kishte.

Flamurtarë të asaj pranvere!

Shqiptarët, ishin të parët, që iu treguan të gjithë popujve tjerë të ish Federatës Jugosllave, së kjo kreaturë artificiale, nuk ishte shteti i asnjë etnie- për më shumë, ishte vegël dhe aparat dhune në duart e Serbisë! … Nomenklatura serbe, duke u nisur nga tutorizmi serbomadh, në ish RSFJ, shfrytëzonte pasurinë e gjashtë Republikave dhe dy Krahinave Autonome, deri në maksimum. Padiskutueshëm, ishin demonstratat e viti 1981, që i vetëdijesuan edhe popujt tjerë të RFSJ-së, si Sllovenët, Kroatët, Boshnjakët, Malazezët, Maqedonët dhe Vojvodinasit, se ky aparat shtypës i dhunës së organizuar shtetërore të quajtur jugosllavi, duhet shembur!

Këta popuj, që përfaqësoheshin në ish federatë, këtë realitet e kuptuan kush më vone e kush më herët, për gati dhjetë vite më vonë, deri edhe me luftëra të përgjakshme, shpërbën këtë federatë gjakatarë që udhëhiqej kryesisht nga serbet, gati në të gjitha strukturat e saj. Nga kjo luftë e përgjakshme çlirimtare, etnitë e ish federatës, krijuan Republikat e tyre, duke jetuar të lirë dhe në harmoni me fqinjët e vet. Republika demokratike këto, që kane dhënë shembullin e si; Sllovenia, Kroacia, Bosna e vonuar, Mali i zi, Maqedonia dhe Republika e Kosovës të cilat e njohin të drejtën e popujve për të jetuar të lirë e sovran në shtetet e veta, të cilat kanë lidhur paqe të qëndrueshme dhe respekt të ndërsjellë, që janë shembull më i mirë për rajonin, Evropën e më gjerë.

Përfundimisht, pranvera shqiptare e mars-prillit të vitit 1981 në Kosovë, ishte flamurtarja dhe shkëndija e parë e lirisë, që hapi shtegun edhe për popujt e republikave tjera në ish federatën Jugosllave.

Edhe sot flitet e përflitet, se demonstratat e vitit 1981, ishin të parakohshme dhe të organizuara nga Serbia, Rusia etj. E keqja është se ne (e them kushtimisht, “ne”), më parë preferojmë, që mos gatishmërinë tonë për t’ju prirë gjërave, në një formë ta mbulojmë me trillime e gjëra tjera sajuese të stisura, dhe të paqena, se sa ta pranojmë dhe ta themi realitetin hapur e botërisht, ashtu siç e tha me vepra rinia e asaj kohë, dhe më vonë Ushtria Çlirimtar e Kosovës, se: për shqiptarët, liria e atdheut është mbi të gjitha!

Në vazhdim, cili është realiteti dhe guximi për ta pranuar të vërtetën e madhe:

1). Demonstratat e Kosovës i ka organizuar populli ynë, bijat dhe bijtë më të mirë, që ndër vite lanë eshtrat kazamateve serbo-jugosllave, gjaku ynë i derdhur për liri, vaji i nënave, nuseve dhe motrave tona, vaji i fëmijëve tanë, rritur jetim… kjo është e vërteta e madhe, mohimi i saj nga bukëshkelës e plëngprishës, do duhej të ishte dënuar nga kombi ynë!

Nuk kishte interes as Serbia as Rusia, që ta shembte sistemin e vet sundues mbi trevat tona, Serbia nuk ishte aq e marrë për të humbur përfitimet materiale nga Kosova, nuk kishte interes që t’i rrokte armët e të luftonte me shqiptarë, por t’i sundonte dhe t’i shfrytëzonte ata!…

Serbia ndihej më rahat, kur shfrytëzonte pasuritë e Kosovës, si: minierat, rrymën, prodhimin, me një fjalë pasurinë nën dhe mbi tokësore, Serbia ndihej më rehat, kur një dorë shqiptarësh i shërbenin me devotshmëri pushtetit të saj, se sa kur shqiptarët ia kthyen pushkët e lirisë!…

2). Demonstratat e vitit 1981, nuk ishin të parakohshme, në fakt ato ishin të vonuara, ani pse të lara me gjak. Kush imagjinonte se do ndaheshim pa gjak nga pushtuesi Serb, e kishte gabim sa ishte i madhe- këtë e vërtetoi koha katërçipërisht, shih luftën e fundit në Kosovë. Po të mos jehonin demonstratat e përhershme në Kosovë, revoltat, burgosjet, grevat e minatorëve, mosbindja dhe mos dëgjueshmëria qytetare, lufta për liri dhe rëniet heroike e trimave tanë, Serbia edhe sot do të ishte këmbëkryq në Kosovë, dhe nuk do të kishte pse të largohej nga Kosova. Pra, u desh të kërciste pushka, të derdhej gjaku rreke, në mënyrë që bota ta dëgjoj zëri tonë për liri, kush mendon ndryshe, shpirti i tij prej robi ende nuk është çliruar, dhe asgjë më shumë!…

3). Demonstrata e vitit 1981, nuk ishin spontane, ato ishin shumë mirë dhe gjatë kohë të përgatitura nga brezi i atdhetarëve të viteve të gjashtëdhjeta e shtatëdhjeta, janë dhjetëra zemërluanë të kombit tonë që dhanë gjithçka, madje edhe jetën për ditët e sotme- përkulemi me shumë respekt para veprës së tyre. Ata ishin mishërimi i së madhërishmes sonë, që nga Lidhja e Prizrenit e më herët e deri me 1999, dhe falë atyre, ne kishim rrugët e trasuar, vetëm duhej të marshonim furishëm nëpër to. Ato demonstrata ishin fillimi i fundit të shembjes së gërmadhës së quajtur Jugosllavi, që ishte instaluar në Kosovë mbi gjakun e shqiptarëve! Vulën përfundimtare të kësaj shembje, pas vitit 1981, ia dhanë pushkët e lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dalë nga gjiri i popullit.

Që nga ato kohë e deri me 1981, populli shqiptarë, kishte punuar hapur e fshehur, prirë nga qindra të përndjekur politik, në krye me Adem Demaçi, Fazli Graiqevcin, Metush Krasniqin, Ali Aliun e Preshevës, Jusuf Gërvallën, Kadi Zekën, Zeqir Gërvallën, Ramadan Shalën, Rexhep Elmazin, Azem Beqirin, Abdyl Lahun, Kadri Kusarin, Jakup Krasniqin, Hydajet Hysenin, Mehmet Hajrizin, Nezir Myrtën, Neriman Brahën, Selatin Novoselën, Halil Alidemën, Ukshin Hotin, Gani Krasniqin, Ahmet Haxhiun, Rafi Halilin, Mehmet Gegën, Zaim Beqirin, Hysen Gegën, Binak Ulajn, Ahmet Qeriqin, Ruzhdi Hajdinin, Izjadin Hoxhën, Sami Lecin, Agim Selmanin, Ibush Kelmendin,  e shumë e shumë tjerë,  për të mos iu hy në hak bijve tanë, që ishin më shumë së frymëzim për popullin tonë të përvuajtur.

Demonstratat e 11 dhe 26 marsit, si dhe 1, 2 e 3 prillit të vitit 1981, deri tek 28-të nëntori i daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prirë nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, gjithë këto ngjarje madhore në nivel kombëtarë, kishin burimin nga gjiri i popullit tonë liridashës, dhe jo jashtë tij, asnjë herë!

Bijtë tanë, kishin punuar gjatë tërë kohës për një ditë si kjo, ata sollën 11 marsin (pas demonstratave të fuqishme të vitit 1968, ku në fushën e lavdisë, kishte rënë nxënësi Murat Mehmeti e shumë më herët me përpjekjet e shqiptarëve në vazhdimësi), duke u përballur me vuajtje e persekutime, që ish pushtuesi serbo-jugosllav ushtronte dhunshëm mbi shqiptarët, si: me varfëri e diskriminim, me shtypje e degradime, me arrestime e arratisje, me vrasje e likuidime, deri edhe me spastrimet etnike e masa gjenocidi ushtruar mbi shqiptarët, që i ndiqte nga tokat e veta, nga shtëpitë e veta nga qielli dhe dielli i vet!…

Shqipëria në këtë mes, ishte çatia e vetme, ku shqiptarët fusnin kokën, dhe me të drejt edhe sot, duhet të kërkohet mbrojtja nga shteti ynë Shqipëria, ne nuk kemi shtet e strehë tjetër- veç Shqipërisë, herdo- kur!…

Kjo rrugë e gjatë, deri ku jemi sot, nuk ishte rrugë e shtruar me lule, por ishte rrugë e rimuar me gjak. Ky gjak dhe kjo aspiratë kërkon finalizimin e vet. Me as një çmim tjetër nuk shpaguhen sakrificat e shqiptarëve për lirinë e vet, veç bërjes së shtetit të Kosovës dhe bashkimit të tokave tona, është obligim yni kombëtar e shpirtëror deri në përjetësimin e tij, s’ka dhe nuk duhet të ketë të ndalur!

Elita politike shqiptare, nuk ishte e gatshme të rreshtohej drejt!

Në vazhdim, kasta politike shqiptare në Kosovën e përgjakur të asaj pranvere, ishte zënë në befasi, zgjuar e trembur nga gjumi i rëndë që po bënte në shtratin e butë të ish pushtuesit Jugosllav. Ajo, nuk ishte e gatshme që të rreshtohej drejtë, në fakt, as që priste kush një rreshtim të tillë nga ajo shtresë vasalësh. Pushtuesi e kishte përgatitur këtë shtresë dështakësh me vite, e kishte avancuar e parfymosur me erën marramendëse të pushtetit dhe të fryteve të tij, që nga punësimi, makinat, banesat, vilat e deri tek të bërit e ligjit. Një hafije për dy shkronjat “ K. R”, që do të thotë “ Kosova Republikë!” , të denonconte, dhe fare lehtë mund të dënoheshe me 2, 3 e 5 vite burg!, derisa hafijet, për këto “shërbime”, avancoheshin ne detyrë dhe pushtet. Madje, disa kokëshkretë shqiptarë të asaj kaste politike, shkuan aq larg, sa që: për ta bindur pushtuesin për përkushtimin dhe besnikërinë e tyre, hoqën dorë edhe nga përkatësia e tyre kombëtare, duke u deklaruar me përkatësi jugosllave si: Sinan Hasani, Ali Shukriu, Kolë Shiroka, Xhavit Nimani, Mehmet Maliqi, Azem Vllasi e soj sorollopi i tyre.

Këtë klasë kokëshkretë politike, po e shfrytëzonte maksimalisht ish pushteti titist, deri sa një ditë i hodhi për tokë si një leckë të zhubrosur. Ata vazhdimisht i ranë po të njëjtës melodi, që nga akuzat kundër popullit të vet si: irredentistë, separatistë, ballistë, nacionalistë, vrimë e miut 500 grosh!- thoshte Fadil Hoxha, diferencime, lëçitje. madje duke prekur edhe në simbolin tonë kombëtar! Pra, qëndrimi i kësaj kaste politike, me kohë kishte kaluar në urrejtje të papërmbajtshme dhe tejet hakmarrëse kundër bijve të popullit të vet! Kjo bazë e urrejtjes ishte e mbështetur nga ndërhyrjet e politikës së Beogradit zyrtar, elitën politike të Kosovës së asaj kohe e kishte bindur pushtuesi në fjalë, që të lehte pa ndërprerë kundër interesave të popullit shqiptarë, respektivisht,  kundër interesave të popullit të vet!…

Pranvera e madhe!

Demonstratat e vitit 1981, parasë gjithash, çliruan shpirtin tonë luftarak nga kushtëzimi i robërisë të cilën shqiptarët e kundërshtuan me vendosmëri. Ne, në asnjë kohë nuk iu bindem iluzionit të fundosur se; durimi dhe inferioriteti përballë pushtuesit, do të ndryshojnë pozitën tonë, jo, shqiptarët e vërtetë, nuk e ndrydhën as edhe një herë përcaktimin e vet për liri, pavarësisht çmimit që duhej paguar- liria mbi të gjitha!…

Më datën 11 mars, diku nga orët e mbrëmjes, në qendër të Prishtinës, kishin dalë qindra studentë për të protestuar, duke kërkuar hapur kushte më të mira. Më vonë, kishte marrë fjalën Ali Lajçi, i cili iu kishte dhënë studentëve kurajo dhe guxim. Më pas, mbi një trafo rryme, poshtë mensës së studentëve, ishte ngjitur studenti Mehmet Bislimi, i cili nga studentët kishte kërkuar që të vazhdojnë protestën dhe të mos zmbrapsën para kërcënimeve dhe shantazheve  të ish udhëheqësve të Komitetit Krahinor dhe SPB-ës.

Në vazhdim, me 26 mars, që në orët e paradites, demonstratat kishin marrë një peshë tjetër të organizimit, madje organizatorët si: Ali Lajçi, Bajram e Musli Kosumi, Gani Koci, Murat Musliu, Bedri Deliu, Ramadan Dobra, Riza Demaj, Hamdi Hajdini, Avdulla Tahiri, Xun Çeta, Xhavit Haliti, Enver Haliti, Kadri Kryeziu, Selim Geci, Mehmet Bislimi, Nazmi Hoxha, Gani Vlahna, Bardhyl Mahmuti i cili kishte dhënë intervistë në TV Shkupi, intervistë  e cila ishte transmetuar atë kohë, si dhe dhjetëra studentë të tjerë, inkuadruar në grupe të ndryshme, për të mos iu hyrë në hak asnjërit, ngase të gjithë kanë dhënë maksimumin, kishin bërë gati dhjetëra banderola të shkruara, si: “Kosova Republikë!”,  “Republikë Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!”,  “Trepça punon Beogradi ndërton!”,  “Lironi shokët nga burgu!”, “Lironi Adem Demaçin!”, “Bashkim!”, “Jemi shqiptarë, s’jemi Jugosllav!” e tjera.

Më pas ishin lexuar edhe kumtesat, që i kishte përgatitur studenti Bajram Kosumi dhe vëllai i tij Musli Kosumi, me titull: “Pushteti pa krena!”, dhe “Vallja e djajve!” …

Më pas, po atë ditë, me 26 mars, studenti Mehmet Bislimi, me disa shokë, kishin bërë planin për ta rrëmbyer Stafetën e Titos, e cila kishte për të mbërritur në Prishtinë, para Teatrit, diku nga ora 16, por që nuk ia dolën. Më herët, studenti Mehmet Bislimi, ishte ngjitur shtyllës ndriçuese të elektrikut të rrugës (pranë Radio Prishtinës), dhe kishte hequr flamurin e Jugosllavisë, duke e përbaltur e përplasur atë për tokë! Sinan Hasani, më vonë në një libër të tij, kishte shkruar:

– “Një student me një shpejtësi majmuni u ngjit shtyllës së metaltë përpjetë, dhe përdhosi flamurin e Jugosllavisë!” …

– Në fakt, ai kishte të drejtë, ngase neve na duhej një shpejtësi e tillë, për të hequr shumë flamuj të Jugosllavisë titiste, të cilët i kishin vu majmunët e shumtë si Sinan Hasani, me shokë, mu në zemër të Kosovës! Ç’është e vërteta, studenti Bislimi e përbalti flamurin e pushtuesit jugosllav, atë flamur të cilin më vonë e vrau përfundimisht me pushkët e lirisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës- bijtë më të mirë të popullit tanë liridashës.

Milicia  serbo-jugosllave, në mesin e tyre edhe milicë shqiptarë, me 26 mars, diku në orët e vona, u vërsulën rreth konvikteve të studentëve, përdorën dhunë të paparë deri në përmasat e një çmendurie, shfryer në mënyrë shtazarake mbi rinin shqiptare studentore. Nuk më hiqet nga sytë flamuri në duart e një vajzë të re, të cilës iu kishin vërsulur më shumë se katër milicë, e nuk po mundnin t’ia hiqnin flamurin nga duart- Shqiponjës trime të Kosovës!…

Mos harroni se askund në botë nuk ndodh, që simbolet nacionale të përdhosen e përshtatën për hir të pakicave etnike të cilat në Kosovë përbëjnë jo më shumë se 5 %!…

Këtë sulm brutal të milicisë serbe, shfryer mbi studentët shqiptarë e kemi parë disa student, si: unë, Mehmet Bislimi, Ismet Kabashi, Muhamet Gashi, Qazim Ahmeti, Fejzë Veliu, Ali Zajmi e dhjetëra të tjerë, nga Konvikti numër 3, ku kishim mbetur të bllokuar për disa çaste. Milicia serbe, kanë bërë dhunë deri në përmasat brutale në qendrën studentore në Prishtinë.

Me 1 prill, demonstratat e radhës kanë filluar diku nga ora 10:00, nga nxënës të të gjitha shkollave të mesme, por kishin dalë edhe ata të shkollës fillore; “Emin  Duraku!”, më vonë, diku nga ora 13:00, kishin vërshuar ato gjithë popullore. Diku rreth orës 15, në një bli, para ish Komitetit Krahinor të Kosovës, me megafon në dorë, është ngjitur Hydajet Hyseni me një kapelë të zezë në kokë, si dhe me një palë mustaqe të kamufluara, shoqëruar me shokët e organizatës, i cili masës së demonstruesve u drejtohet me një fjalim të shkurtër domethënës dhe motivues, si: “Ju bijtë e Azem dhe Shote Galicës!”… që ndezi masat, dhe i dha demonstratës guximin, kahen dhe karakterin e kërkesave tona kombëtare: Kjo është e padiskutueshme, Hydajet Hyseni, Jakup Krasniqi, Nezir Myrtaj, Gani Syla, Berat Luzha, Gani Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Metush Krasniqi, Ahmet Haxhiu, Meriman Braha, Selatin Novosella, Zeqir Gërvalla, Ahmet Qeriqi e dhjetëra atdhetarë tjerë, ishin organizuesit dhe frymëzuesit e demonstratave të vitit të madh 1981. Pa përjashtim, kontributi i qindra bijve tjerë, që Kosovës i dhanë aq shumë për të arritur deri këtu ku jemi sot!…

 

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …