Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Larg euforisë!

Qeveria e Kosovës, para elektoratit dhe popullit të Kosovës, obligohet të mbrojë pacenueshmërinë, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovë. E obligon Kushtetuta e Kosovës dhe betimi i tyre në Parlamentin e Kosovës me rastin e marrjes së detyrës. Në këtë aspekt, as më pak dhe as më shumë, Kryeministri, Presidenti dhe e tërë Qeveria me ministrat përkatës dhe deputetë e kanë obligim të jenë në krye të detyrës, në mbrojtje të interesave të atdheut dhe të qytetarëve të saj, pasurinë dhe sigurinë tonë. Populli i Kosovës është, ka qenë dhe do të jetë kurdoherë gati për t’i dalë zot atdheut, kaq dhe pikë!

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka obligim të ndërtojë raporte fqinjësie të mira me të gjithë ata që duan, respektojnë dhe kultivojnë fqinjësi të sinqertë, njëkohësisht obligohet që në mënyrë të prerë të sillet me monedhë të njëjtë për ballë të gjitha shteteve fqinje që nuk i respektojnë këto rregulla.

Shtete, të cilat në mënyrë arrogante shkelin, përçmojnë dhe përdhosin fqinjësinë e mirë, siç është Serbia në këtë rast, dhe kjo nuk është ndonjë risi. Serbia ishte dhe mbeti ajo e para një shekulli, që kundër fqinjëve të vet shkaktoi ploje gjaku, duke i sulmuar ata gati në çdo kohë si luftërat kundër Sllovenisë, Kroacisë, Shqiptarëve, konflikti me malazezët e kështu me radhë. Kjo dihet botërisht, prandaj bota progresive nuk do duhej të ishte kaq inferiore, Serbia ishte dhe është agresor në Ballkan, dhe agresorin duhet dënuar që t’i thërras mendje, dhe jo mikluar, siç po e miklon BE, Serbinë për vite me radhë!…

Qeveria e Kosovës, institucionet dhe politikë- bërësit, duhet të bëjnë shtetin, dhe nuk guxojmë të presim më tej. Mbi 20 vite, lojë me sovranitetin tonë, duke cenuar e përdhosur çdo gjë që ka të bëj me shtet-ndërtimin tonë, është emër i njëjtë- agresori Serb!, jo kjo nuk do të duhet të lejohet më, dhe nuk është dashur të lejohet deri këtu! Kjo pozitë amorfe dhe as njëjëse për 20 e sa vite, krijon përshtypjen e një pa zotësie për të bërë shtetin sovran, madje edhe para faktorit ndërkombëtarë krijohet përshtypja së ne, nuk jem të gatshëm ta bëjmë shtetin, pra edhe më thjeshtë, ne nuk jemi të gatshëm të vdesim për vendin dhe token tonë.

Në rastet tjera, afërsisht të ngjashme, sa herë që jemi përballur me ndodhi të tilla, gjithmonë është përdorur shprehja: “Kujdes së do të reagojë, se nuk do të pajtohet Serbia, se do të na sulmojë, se do t’i prishim marrëdhëniet me BE-në!” etj, Jo kjo nuk tolerohet më, lë të na sulmojë kur të dojë, edhe ne nuk do të rrimë duar kryq, madje përballë interesave të atdheut, kurrë nuk kemi qenë më të gatshëm dhe më të unifikuar se tani. Nuk e kemi ndër mend që një jetë të tërë të jetojmë nën presionin së mos nervozojmë Serbinë së do të na sulmojë, iku ajo kohë kur latinet thoshin: “Hanibali tek porta!”. Jo Qeveria e Kosovës, nuk duhet të ndalet me kaq, nuk duhet të tërhiqet, përndryshe del joserioze në vendimmarrje, dhe e lajthitur në veprime, në çdo rrethanë tjetër, tërheqja e Qeverisë së Republikës së Kosovës nga vendimet e marra e bënë atë që të iku natën, nëse ka ku për të ikur!

 

Ne, duhet dhe jemi të obliguar të zbatojmë të gjitha masat e reciprocitetit me përpikëri, si:

Njohje të ndërsjellë të tabelave të makinave, obligimet tatimore, pagesa e faturave të rrymës në veri të vendit, shërbimet tjera komunale, njohja e pasaportave dhe dokumenteve tjera të udhëtimit, njohja e diplomave, shtrirja e sovranitetit cep me cep të Kosovës, unifikimi i plan programit arsimor, njohja e simboleve shtetërore, lëvizja e lirë e qytetarëve, lirimi i pengjeve politike që Serbia po i mbanë ende në burgjet e saja disa shqiptarë. Përmbushja e obligimit të saj për të zhdëmtuar dëmet e luftës, kthimi i dokumenteve Kadastrale, balancim në qarkullimin e mallrave, kërkim falja dhe zhdëmtimi i të dëmtuarve gjatë luftës, kthimi i të zhdukurve dhe njohja e ndërsjelle. Në këtë pikë, nuk ka dhe nuk duhet të ketë kthim mbrapa. Ne, nuk kemi më kohë të sillemi kaq komod e papërgjegjshëm; se mos po ia prishim qejfin Serbisë dhe udhëheqësve të saj politik aktual, jo dhe çdo lëshim e kthim prapa tani, do të ketë pasoja të pariparueshme për të ardhmen.

Dikush mund të mendojë së, ky veprim sjellë destabilizim, ne po themi se:

Më mirë një fund i destabilizuar së sa një destabilizim i përjetshëm! Çdo gjë e ka një fund, më shkurt e thjeshtë së kaq nuk ka ku të shkojë. Lë të na sulmoj Serbia kur të dojë, ne nuk duhet të ndalemi së ndërtuari shtetin tonë, pavarësisht kush është duke qeverisur sot e kush do të qeverisë nesër në republikën e Kosovës. Si çdo popull në botë, që i del për zot shtetit dhe atdheut të vet, as ne nuk bëjmë ndonjë përjashtim, duam dhe do ta bëjmë shtetin tonë, respektojmë shtetet fqinje dhe as më pak e as më shumë se kaq!

Tani shtypi i përditshëm, në veçanti disa nga këto portalet e çoroditura dhe shpifëse, nuk do duhej të krekosën si kaposhët mbi pleh, dhe sipas motit, si:” Ëëëë, Albini ia bëri Serbisë bllokadë, vetëm ai i përgjigjet Vuqiçit, Albini e bëri këtë dhe atë, Vjosa nuk i trembet dhe vetëm ajo ia mbledh Serbisë!” e dokrra tjera. Situata është më serioze së kaq, dhe nuk është koha për lojë fëmijësh…

Kujdes mos i ekzagjeroni gjërat, mos shkruani dhe mos flisni me eufori, mos yshtni e stisni. Pjesa tjetër, pa kurrizorët, si gjithnjë shkruajnë së Albini do të na fus në luftë, ka për ta zhbërë shtetin, po do që të shmang bisedimet, dhe ka futur në rrezik veriun e Kosovës etj. Prej elementëve të tillë që sillen sipas situatës sinoptike, Kosova dhe shqiptaria kanë lënguar gjatë edhe në të kaluarën. Të gjithë ata që vërsulen nën ndikimi e euforisë, nuk e kanë kaluar ende fazën e pjekurisë! Të gjithë ne, e kemi borxh për t’i dalë atdheut zot, dje, sot e nesër, atdheun duhet ta bëjmë e mbrojmë vet. Pa hamendje, respektojmë miqtë tanë ndërkombëtar të cilët kanë gjykuar dhe po gjykojnë drejt për shtetin e Kosovës dhe çështjen e pazgjidhur të saj në Ballkan, nëse vetëm kaq mjafton?

Kosova nuk po kërcënon, dhe nuk ka kërcënuar asnjëherë shtetet fqinje. Serbia po kërcënon dhe ka kërcënuar në vazhdimësi të gjitha shtetet fqinje, në këtë kohë, që i vjen edhe era zgjedhje, nuk do duhej të ndërlidheshin në asnjë mënyrë me situatën aktuale parazgjedhore- edhe nëse dikush ka menduar kështu, ky ka qenë mendim euforik!

Diaspora, pa asnjë hamendje mbështet atdheun e vet me gjithë kapacitetin e vet që ka, si edhe në të kaluarën e gjithmonë, që nga kohët e largëta, kur Kastrioti mblodhi parinë në Krujë! Diaspora ka dhënë mbi 300 dëshmorë për atdheun, gjithmonë duke qenë shembulli më i mirë, duke treguar atdhedashuri të sinqertë. Vetëm këtë verë, diaspora i ka dhënë atdheut një milion përqafime, i ka dhuruar asaj njëqind milion dashuri: Kosovë, ne përjetë kemi qenë dhe përjetë jemi me ty!

27-9-2021

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Enver Hoxha (1908-1985) nderohet e respektohet në Kosovë, asnjë fjalë e keqe për Josip Broz Titon në Shqipëri, prej vitit 1991

Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë …