1 prill 1981

Mehmet Bislimi: Në 40-vjetorin e demonstratave të vitit 1981 II

Demonstratat e 11 dhe 26 marsit, si dhe të 1, 2 dhe 3 prillit të vitit 1981, deri tek 28-të nëntori i daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor 1997,  prirë nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, gjithë këto ngjarje madhore në nivel kombëtarë, kishin burimin nga gjiri i popullit tonë liridashës, dhe jo jashtë tij, asnjë herë!

Bijtë tanë, kishin punuar gjatë tërë kohës për një ditë si kjo, ata sollën 11 marsin (pas demonstratave të fuqishme të vitit 1968, ku në fushën e lavdisë, kishte rënë nxënësi Murat Mehmeti e shumë më herët me përpjekjet e shqiptarëve në vazhdimësi), duke u përballur me vuajtje e persekutime, që ish pushtuesi serbo-jugosllav ushtronte dhunshëm mbi shqiptarët, si: me varfëri e diskriminim, me shtypje e degradime, me arrestime e arratisje, me vrasje e likuidime, deri edhe me spastrimet etnike e masa gjenocidi ushtruar mbi shqiptarët, që i ndiqte nga tokat e veta, nga shtëpitë e veta nga qielli dhe dielli i vet!…

Shqipëria në këtë mes, ishte çatia e vetme, ku shqiptarët fusnin kokën, dhe me të drejt edhe sot, duhet të kërkohet mbrojtja nga shteti ynë Shqipëria, ne nuk kemi shtet e strehë tjetër- veç Shqipërisë, herdo- kur!…

Kjo rrugë e gjatë, deri ku jemi sot, nuk ishte rrugë e shtruar me lule, por ishte rrugë e rimuar me gjak. Ky gjak dhe kjo aspiratë kërkon finalizimin e vet. Me as një çmim tjetër nuk shpaguhet sakrificat e shqiptarëve për lirinë e vet, veç bërjes së shtetit të Kosovës dhe bashkimit të tokave tona, është obligim yni kombëtar e shpirtëror deri në përjetësimin e tij.

 

Elita politike shqiptare e Kosovës, nuk ishte e gatshme të rreshtohej drejt!

Në vazhdim, kasta politike shqiptare në Kosovën e përgjakur të asaj pranvere, ishte zënë në befasi, zgjuar e trembur nga gjumi i rëndë që po bënte në shtratin e butë të ish pushtuesit Jugosllav. Ajo, nuk ishte e gatshme që të rreshtohej drejt. Në fakt, as që priste kush një rreshtim të tillë nga ajo shtresë vasalësh. Pushtuesi, e kishte përgatitur këtë shtresë dështakësh me vite, e kishte avancuar e parfymosur me erën marramendëse të pushtetit dhe të fryteve të tij, që nga punësimi, makinat, banesat, vilat e deri tek të bërit e ligjit. Një hafije për dy shkronjat “ K. R”, që do të thotë “ Kosova Republikë!” , të denonconte, dhe fare lehtë mund të dënoheshe me 2, 3 e 5 vite burg!, derisa hafijet, për këto “shërbime”, avancoheshin ne detyrë dhe pushtet. Madje, disa kokëshkretë shqiptarë të asaj kaste politike, shkuan aq larg, sa që; për ta bindur pushtuesin për përkushtimin dhe besnikërinë e tyre, hoqën dorë edhe nga përkatësia e tyre kombëtare, duke u deklaruar me përkatësi jugosllave siç ishin: Sinan Hasani, Ali Shukriu, Kolë Shiroka, Azem Vllasi e soj sorollopi i tyre.

Këtë klasë kokëshkretë politike, po e shfrytëzonte maksimalisht ish pushteti titist, deri sa një ditë i hodhi për tokë si një leckë të zhubrosur. Ata vazhdimisht i ranë po të njëjtës melodi, që nga akuzat kundër popullit të vet si: irredentistë, separatistë, ballistë, nacionalistë, vrimë e miut 500 lek- thoshte Fadil Hoxha, për studentët tanë, diferencime, lëçitje. madje duke prekur edhe në simbolin tonë kombëtar! Pra, qëndrimi i kësaj kaste politike, me kohë kishte kaluar në urrejtje të papërmbajtshme dhe tejet hakmarrëse kundër bijve të popullit të vet! Kjo bazë e urrejtjes ishte e mbështetur nga ndërhyrjet e politikës së Beogradit zyrtar, elitën politike të Kosovës së asaj kohe e kishte bindur pushtuesi, që të lehte pa ndërprerë kundër interesave të popullit të vet!…

 

Pranvera e madhe!

Më datën 11 mars, diku nga orët e mbrëmjes, në qendër të Prishtinës, kishin dalë qindra studentë për të protestuar, duke kërkuar hapur kushte më të mira. Më vonë, kishte marrë fjalën Ali Lajçi, i cili iu kishte dhënë studentëve kurajo dhe guxim. Më pas, mbi një trafo rryme, poshtë mensës së studentëve, ishte ngjitur studenti, Mehmet Bislimi, i cili nga kolegët protestues  kishte kërkuar që të vazhdojnë protestën dhe të mos zmbrapsën para kërcënimeve dhe shantazheve  të ish udhëheqësve të Komitetit Krahinor dhe SPB-ës.

Në vazhdim, me 26 mars, që në orët e paradites, demonstratat kishin marrë një peshë tjetër të organizimit, madje organizatorët si: Ali Lajçi, Bajram e Musli Kosumi, Gani Koci, Murat Musliu, Bedri Deliu, Ramadan Dobra, Xun Çeta, Xhavit Haliti, Enver Haliti, Mehmet Bislimi, Gani Vlahna e dhjetëra tjerë në grupe të ndryshme, për të mos iu hyrë në hak, ngase të gjithë kanë dhënë maksimumin, kishin bërë gati dhjetëra banderola të shkruara, si: “Kosova Republikë!”,  “Republikë Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!”,  “Trepça punon Beogradi ndërton!”, “Lironi shokët nga burgu!”, “Lironi Adem Demaçin!”, “Bashkim!” e tjera.

Më pas ishin lexuar edhe kumtesat, që i kishte përgatitur studenti, Bajram Kosumi dhe vëllai i tij Musli Kosumi, me titull: “Pushteti pa krena!”, dhe “Vallja e djajve!” …

Më pas, po atë ditë, me 26 mars, studenti Mehmet Bislimi, me disa shokë, kishin bërë planin për ta rrëmbyer Stafetën e Titos, e cila kishte për të mbërritur në Prishtinë, para Teatrit, diku nga ora 16, por që nuk ia dolën. Më herët, ai ishte ngjitur shtyllës ndriçuese të elektrikut të rrugës (pranë Radio Prishtinës), dhe kishte hequr flamurin e Jugosllavisë, duke e përbaltur e përplasur atë për tokë! Sinan Hasani, në një libër të tij, kishte shkruar:

– “Një student me një shpejtësi majmuni u ngjit shtyllës së metaltë përpjetë, dhe përdhosi flamurin e Jugosllavisë!” …

– Në fakt, ai kishte të drejtë, ngase neve na duhej një shpejtësi e tillë, për të hequr shumë flamuj të Jugosllavisë titiste, të cilët i kishin vu majmunët e shumtë si Sinan Hasani, me shokë, mu në zemër të Kosovës! Ç’ është e vërteta, studenti Bislimi e përbalti flamurin e pushtuesit jugosllav, atë flamur të cilin më vonë e vrau me pushkët e lirisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës- bijtë më të mirë të popullit tanë liridashës.

Milicia  serbo-jugosllave, në mesin e tyre edhe milicë shqiptarë, me 26 mars, diku në orët e vona, u vërsulën rreth konvikteve të studentëve, përdorën dhunë të paparë deri në përmasat e një çmendurie, shfryer në mënyrë shtazarake mbi rinin shqiptare studentore. Nuk më hiqet nga sytë flamuri në duart e një vajzë të re, të cilës iu kishin vërsulur më shumë se katër milicë, e nuk po mundnin t’ia hiqnin flamurin nga duart- Shqiponjës trime të Kosovës!…

Mos harroni se askund në botë nuk ndodh, që simbolet nacionale të përdhosen e përshtatën për hir të pakicave etnike të cilat në Kosovë përbëjnë jo më shumë se 5 %!…

Këtë sulm brutal të milicisë serbe, shfryer mbi studentët shqiptarë e kemi parë disa student, si: unë, Mehmet Bislimi, Ismet Kabashi, Muhamet Gashi, Qazim Ahmeti, Fejzë Veliu, Ali Zajmi e dhjetëra të tjerë, nga Konvikti numër 3, ku kishim mbetur të bllokuar për disa çaste. Milicia serbe, kanë bërë dhunë deri në përmasat brutale në Qendrën studentore në Prishtinë.

Me 1 prill, demonstratat e radhës kanë filluar diku nga ora 10:00, nga nxënës të të gjitha shkollave të mesme, por kishin dalë edhe ata të shkollës fillore; “Emin  Duraku!”, më vonë, diku nga ora 13:00, kishin vërshuar ato gjithë popullore. Diku rreth orës 15.oo në një bli, para ish Komitetit Krahinor të Kosovës, me megafon në dorë, është ngjitur Hydajet Hyseni me një kapelë të zezë në kokë, si dhe me një palë mustaqe të kamufluara, shoqëruar me shokët e organizatës, i cili masës së demonstruesve u drejtohet me një fjalim të shkurtër domethënës dhe motivues, si: Ju bijtë e Azem dhe Shote Galicës… që ndezi masat, dhe i dha demonstratës kahen dhe karakterin e kërkesave tona kombëtare: Kjo është e padiskutueshme, Hydajet Hyseni, Jakup Krasniqi, Nezir Myrtaj, Gani Syla, Berat Luzha, Gani Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Metush Krasniqi, Ahmet Haxhiu, Meriman Braha, Selatin Novosella, Zeqir Gërvalla, Ahmet Qeriqi, e dhjetëra atdhetarë tjerë, ishin organizuesit dhe frymëzuesit e demonstratave të vitit të madh 1981. Pa përjashtim, kontributi i qindra bijve tjerë, që Kosovës i dhanë aq shumë për të arritur deri këtu ku jemi sot!…

Nga demonstrata studentore, kaluan në ato gjithë popullore!

Demonstratat e vitit 1981, populli ynë i përkrahu fuqishëm e pa u hamendur. Në mesin e studentëve vërshuan si lumi; nxënës, punëtorë, intelektualë, qytetarë, vajza, gra, të rinj e të moshuar- që të gjithë, ato demonstrata, nuk ishin më vetëm STUDNETORE, por GJITHPOPULLORE! Vlen të ceket, dhe nuk guxon të anashkalohet: Të gjitha dyert e qytetarëve atdhedashës të Prishtinës, ishin të hapura për demonstruesit ditën dhe natën! Ata na pritën me bukë, kripë dhe zemër, na strehuan, na i lidhën plagët, nga e ngrohën shpirtin, na dhanë kurajën dhe mbështetjen, prandaj edhe sot përkulem me respekt para nënave që na dhanë bukën e ngrohtë e na i lidhën plagët e njoma- ta paçim borxh Prishtinë!…

Punëtorë të shumtë nga organizata të shumta punuese si: “Ramiz Sadiku” etj. me helmeta në kokë u futën në gjirin e demonstruesve. Së bashku me përkrahjen morale, ata sollën me vete  edhe mjete tjera barrikade, si: kamionë, ekskavatorë, rrafshues, buldozerë dhe mjete tjera. Demonstruesit u bënë të pakalueshëm. Këta punëtorë u solidarizuan me bijtë e vet, duke dashur që të vdesin pranë dhe përkrah nesh!

Me dhjetëra pronarë e punëtorë shitoresh, furrave të bukës e produkteve tjera ushqimore, po shpërndanin ujin, bukën, pije të tjera, artikuj ushqimorë, qepë, qumësht e çka jo… ata ishin mes dhe përkrah demonstruesve, përkulje për sakrificën dhe solidaritetin e tyre, një popull i tërë në këmbë! S’kishte diskutim më, kjo kaloj në një demonstratë gjithë popullor, ndër më të fuqishmet që nuk mbahet mend në historia e Ballkanit, deri atë pranverë!

Punëtorët e shëndetësisë, po shpërndanin fasha, medikamente, vaksina e gjithë çka ishte në mundësinë e tyre për shpëtimin dhe riaftësimin e demonstruesve. E madhja, mjekja humaniste, Sahadete Mekuli i kishte pritur demonstruesit e plagosur në spital me fjalët e bukura, atdhetare dhe të guximshme, si: ME FAT PLAGËT O TRIMAT E KOSOVËS! Ky akt atdhetarie, Shëndetësi e Kosovës, mos shkelni mbi betimin e Hipokrates sonë,  Sahadete!…

Me 2 prill pas dite, mbi fakultetin Ekonomik, ushtria serbe nga tanku i ushtrisë jugosllave, shtiu në turmën e demonstruesve. Shtiu armata e quajtur APJ! Nga breshëria e plumbave, u shkëput për dhe, Besa Ahmeti- nxënëse. Plagët ia lidhëm me këmishën e trupit të Fejzë Veliut  nga Polaci i Drenicës, dhe e futëm në një makinë “Reno 4”. Mbaj mend se në momentin kur Besa ishte mes jetës a vdekjes, tek po i thoshte një shoqes së vet:

–  “Mos trego në shtëpi për plagosjen time, mos u trego prindërve, thuaju se Besa është me demonstruesit!”… dhe vërtetë emri i Besës ishte kudo me ne, është edhe sot. Mos harroni gjakun e derdhur për liri rrugëve të Prishtinës e Kosovës gjithandej, dhe Besën e Betimin e dhënë për liri të Kosovës!

Në demonstratën e 2 prillit, ishte vrarë edhe i riu, Xhelal Maliqi, punëtor i Televizionit të Prishtinës, edhe një lule e këputur në mesin e shumë luleve- Dëshmor të Kombit. Të nesërmen  me disa shokë, shkuam atje për t’u përkulur për të fundit herë para trupit të tij.

Si sot… në një oborr të vogël, nën një pemë të madhe, që kishte qenë aty, një djalë i ri si një lis mali, shtrirë në një arkivol të vjetër, shtrirë e me sy të hapur!… Ata sy, edhe sot të hapur qëndrojnë?! Qindra Dëshmorë të Kosovës nuk po i mbyllin sytë dot. Mos harroni, ata sy duan që Kosovën ta shohin të lirë e të bashkuar, dhe vetëm të lirë e të bashkuar!…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Sot kam vendosur të qëndroj në Grykë për të mësuar se si po gjallohet këtu …