akp deri me 5 maj
mbpzhr 2018
MIT
Airport Adem Jashari
kek
valamobile
Fillimi / Personalitete / Mehmet Bislimi: Në përkujtim të atdhetarit, AHMET DELIA ( 1850 – 1913 )

Mehmet Bislimi: Në përkujtim të atdhetarit, AHMET DELIA ( 1850 – 1913 )

Qysh prej Lidhjes së Prizrenit e deri te viti 1912, ka qenë periudha e intensifikimit të kryengritjet shqiptare për liri. Asokohe qenë mobilizuar në një masë të madhe shqiptarët e malësisë së Drenicës, të Llapit, Gollakut, Gjilanit, Gjakovës, Prizrenit e të shumë krahinave të vendit.
Kryengritësit të udhëhequr nga bijtë më të mirë të popullit shqiptar, ishin hedhur në kryengritje të fuqishme kundër forcave ushtarake turke në veçanti kundër trupave të Shemsi e më vonë edhe të Maxharr Pashës. Në ballë të këtij organizimit, prinin burrat me nam të kohës si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Ahmet Delia e të tjerë.
Kulla e Ahmet Deliut, atdhetarit dhe tribunit popullor ishte e hapur gjithmonë për çlirimtarët e atdheut. Ahmeti me të birin Murselin e me shumë shokë e bashkëluftëtarë, prisnin e përcillnin krerët e Lëvizjes sonë kombëtare, të cilët në kullën e tij, mblidheshin e bisedonin për një kryengritjeje të përgjithshme kombëtare kundër pushtueseve.
Më 1912, për të satën herë Hasan Prishtina kishte shkuar në kullën e Ahmet Delisë, ku kishte njoftuar të pranishmit se Parlamenti Turk nuk kishte dashur as të dëgjonte zërin e deputetëve shqiptarë për t’i plotësuar kërkesat e tyre.
Ai sqaroi se po atë ditë në Stamboll, nën kryesimin e Ismail Qemalit ishte mbajtur një mbledhje e fshehtë, ku ishte vendosur që pikërisht në Kosovë, sa më parë të fillojë një kryengritje e përgjithshme, e cila do të shtrihej në të gjitha viset shqiptare. Të gjithë krerët e Drenicës, që ishin ftuar enkas aty, e përkrahën qëndrimin dhe vendimin e Hasan Prishtinës dhe të Ismail Qemalit, aty dhanë edhe besën e burrave se do të dhënë çdo gjë për liri të atdheut.
Krerët e Drenicës të mobilizuar në kullën e Ahmet Delisë të Prekazit, nisën përfaqësuesit e tyre për në Kuvendin e Junikut, ku ishin mbledhur të gjithë krerët e Kosovës, madje edhe përfaqësuesit e Dibrës, Shkodrës si dhe krerë të viseve jugore të Shqipërisë. Në këtë Kuvend u aprovua programi me kërkesat tona kombëtare, kështu që kryengritja jonë shqiptare mori kuptimin e vërtetë të një kryengritje të përgjithshme.
Nën trysninë e vazhdueshme të kryengritësve shqiptarë, forcat turke u detyruan të tërhiqen nga tokat tona, s’do mend se kjo tërheqje u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912.
Nga ana tjetër, në mënyrën më të pa drejt e në kundërshtim me të gjitha parimet ndërkombëtare mbi të drejtën e popujve për të jetuar të lirë në shtetet e tyre sovrane, fuqitë e mëdha evropiane, njëanshëm, duke shkelur mbi sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit shqiptare, njohën të “drejtën” e shteteve fqinje serbe e malazeze për copëtimin dhe aneksimin e tokave të Shqipërisë! Evropa ndau tokat tona. At u detyruan që të dalin në mbrojtje të tokave me të gjitha mjetet që posedonin atë kohë, pra edhe me mjete luftarake. Nga ana tjetër, pushtuesit barbarë sllav, të yshtur nga pasionet e tyre të ulëta ekspansioniste, kryen masakra, terrorizuan popullatën shqiptare, me qëllim që të shuajnë rezistencën e tyre dhe t’i shpërngulin ata, për të bërë më vonë edhe spastrime etnike, në demografinë e popullatës në Kosovë. Kjo kishte për qëllim që më vonë të sillnin kolon serbë e malazezë në Kosovë, gjë e cila ka vazhduar në forma të ndryshme, deri në fund të shekullit të kaluar!

Xhandarmëria e Pashiqit, veç kishte filluar reprezaljet nëpër disa fshatra të Drenicës. Në njëfarë mase, pas shpalljes së Pavarësisë, kryengritjet në Shqipëri sikur kishin pushuar ca. Ahmet Deliu, i vetëdijshëm për qëllimet e Serbisë, mblodhi prapë krerët e Drenicës në kullën e tij, dhe së bashku me trimat, aty bënë edhe një Kuvend duke kujtuar besën e dhënë!
Ishte janar i vitit 1913, veprimet e dhunshme të xhandarmërisë serbe, sa po shtrëngonin dhe po ashpërsonin rrathët e krimeve mbi popullin tonë. Siç e thotë edhe kënga : “ Ky Ahmeti çka thanë: a e kem besën siç kemi dhanë! ”… Aty ishte dhënë edhe një herë fjala e burrave se do të rezistojnë me të gjitha mjetet e mundshme, pa e kursyer as jetën në mbrojtje të tokave dhe popullatës sonë, duke i dalë në mbrojtje: vëllai vëllait, fqinji fqinjit, fshati fshatit…
Një grup prej 13 xhandarësh serb, pak ditë pasi që ishte dhënë “ besa e burrave”, në kullën e Ahmet Deliut, kishin mësyrë Prekazin. Ata kishin terrorizuar dhe plaçkitur dy- tri shtëpi në Prekaz. Lajmi kishte shkuar tek Ahmet Delia, i cili lëshoi zërin e mobilizimit, por ai nuk priti as sa të mblidhen trimat! I vendosur dhe pa humbur kohë, mori sëpatën dhe i lëshoi zë të birit Murselit, që të shkonin në mbrojtje të Halilit, fqinjit të tyre!… Kënga popullore rrëfen për këtë histori tragjike dhe heroike:
“ Te Halili janë hi shkinia,
Bërtasin robt, piskasin fëmija,
Po na i ndien Ahemt Delia “…
Ahmeti dhe Murseli, marrin sëpatat shpejt e shpejt, duke vrapuar në drejtim të shtëpisë së fqinjit të tyre. Në derën e oborrit, ata lënë në vend rojën serbe, në brendësi të oborrit. Murseli ia nxjerr pushkën një serbi dhe fillon të godasë me ç rast vret disa xhandar.
Ahmet Delia mësynë kullën, Në të hyrë të saj, në shkallë ndeshet me një tjetër xhandar dhe e godet me sëpatë…
” Me sakicë na i ra në ballë
Tana trutë ia qiti n’shkallë”…
Përleshja ishte e ashpër. Ndërkohë Ahmeti plagoset rëndë, kurse trimat tjerë të Prekazit, si: Ramë Islami , Xheladini, Jetullahu, Hajredini e të tjerë kishin rrethuar vendin.
“ Pa u provua nuk njihet trimi,
Dy na i mbyti Xheladini”…
Në këtë qëndresë heroike të burrave të dheut, të cilët kishin lidhur besën për ta mbrojtur atdheun, ra në altarin e atdheut, Ahmet Delia, e disa të tjerë u plagosen. Nga ekspedita e xhandarëve 12 mbetën të vrarë, ndërsa shpëtoi një prej tyre.
Jovani, kishte ikur me vrap, dhe pas dy orëve xhandarmëria serbe e rrethit të Mitrovicës kishin marrë lajmin e hidhur. Ata ishin bërë gati që të sulmojnë fshatin me forca tjera shtesë, mirë po trimave të Prekazit iu kishin bashkangjitur burrat e besëlidhjes dhe ishin mobilizuar e kishin zënë pozitat për ta mbrojtur fshatin. Kur xhandarët serb po i ofroheshin Prekazit, kishin vërejtur se do të dilnin të humbur. Për të mos u bërë gjakderdhja më e madhe, ata sikur i ishin bindur një grupi xhandarësh Austro- hungarez, të cilët më të dëgjuar këtë lajm, nga Mitrovica kishin shkuar në Prekaz me një pajton me dy palë kuaj! Ky grup, pastaj kishte ndërmjetësuar mes trimave të Drenicës dhe xhandarmërisë serbe. Ishin marrë vesh që të dorëzohet vetëm trupi i Ahmet Delisë i cili kishte qenë pa shenja jete, gjoja për ta dërguar në spital! Forcat e xhandarmërisë serbe, duke e parë se Ahmeti nuk po jepte shenja jete, atë e groposin në arat e fshatit Tërnavc, fshat rreth 4 km. në veri të fshatit Prekaz.
Rezistenca nuk përfundoi me kaq. Ndërkohë eprimtaria për çlirimin e atdheut në Drenicë vazhdoi nën udhëheqjen e Shaqir Smakës, ndërkaq pas rënies së tij Lëvizjes i prin Azem Bejtë Galica.
Gjatë tërë kohës së rezistencës për çlirim kombëtar, Murseli i biri i Ahmet Delisë ishte ndër luftëtarët më të shquar, dhe mu për këtë Azem Bejta e kishte edhe njeriun më të afërt të tij. Murseli nuk e hoq për as një çast pushkën nga krahu. Ai vdiq në vitin 1930 në rrethana misterioze në një spital të Shkupit. I vetmi trashëgimtar i Murselit, nga gjinia mashkullore, mbeti i biri i tij, Zeneli i cili nuk jeton më. E tërë veprimtaria e Ahmet Delisë ishte në shërbim të organizimit të rezistencës për çlirimin e atdheut.
Sot kur e përkujtojmë Ahmet Delinë, në 95 vjetorin e rënies së tij heroike, kujtojmë edhe rezistencën e pandërprerë, gati një shekullore për t’u çliruar nga okupatori serb.

Kontrolloni gjithashtu

Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora-Falaschi ( 1921- 2004), studiuese e zellshme dhe intelektuale e dalluar shqiptare

Nermin Vlora – Falaschi lindi më 18 prill të vitit 1921 në Tiranë. Filloi nxënien ...