Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Një sihariq i madh

 Sa kishte ngrysur dita, atij po i rëndonte koka, as fjetur as zgjuar, po hynte pa dashje nën sqetullat e një gjumi të rëndë, i pa mundur që të përballoi peshën e pushtetit të qepallave më, në çast, sikur ia bëhu ai, të kam sjellë një sihariq i tha:

 

– Mirë së të pruri Zoti, o njëri i Perëndisë! Po ulu, o i uruar ulu, merre këtë gotë me verë, dhe na thuaj se më çmende me këto sihariqet tuaja, si gjithmonë, në këto orë të vona të natës! Efendi Heqmet, po ç’e mirë të solli o njeri!? Ç’ është e vërteta, unë kam vënë re se sa herë që vjen ti, efendi, zakonisht vjen së bashku me terrin e kjo më fut frikën në palcë mua. Po pse kështu, o i uruar, nuk e kuptoj dot pse gjithmonë fshihesh pas errësirës?!

 

– Mirë së të gjej, imzot Jakov! Para së gjithash uroj që të jeni mirë imzot, pastaj të jam mirënjohës për mirëkuptimin që keni për mua! Pra, mos ke frikë, ti e kupton misionin tim të “muzgut”, unë të sjell gjithmonë habere të mira, imzot. Shkaku që unë dukem këtu me të ngrysur, kjo nuk është shenjë ogurzie, përkundrazi, unë të sjell lajme të mira, dhe i siguroi ato, duke i mbështjellë me tisin e errësirës, prandaj dukem e zhdukem, vetëm kur errësohet. Në errësirë unë gjejë sigurinë dhe prehjen time, hirësi në errësirë- më kupton tani…

 

– Seç kisha një parandjenjë edhe mbrëmë! Shqetësime të tilla më kishin kapluar si ethet e ftohta, efendi; sikur në gjysmë ëndërr … gjysmë zhgjëndërr, në përpëlitje me qentë, efendi, desh me doli shpirti nga makthi që më kishte zënë frymën. Ishin ngatërruar qentë tanë me ata të sjellë nga larg, seç po gërvishte errësirën një kakofoni të lehurash qensh me intonacione të çakorduara si mos me keq, më ndjejë efendi, zoti qoftë me ne, biri im, nga gjithë kjo e lehur qensh uroj të mos ndjellin zi e kob.

 

Efendi Heqmet, ky kungulli yt, sikur nuk konkretizoi asgjë prej gjëje, mbetën vetëm klithmat dhe kuisjet e tmerrshme mbrapa, siç bëjnë zakonisht qentë në ikje, efendi. Me sa mora informata, prapë po kuiste një diku atje nga anët e Tasjanit më thanë! Kam frike se i doli boja fare kësaj dredhie farse me lehje e kuisjeje, sado që bishtin ia kishim lyer me bojë të portokalltë, i doli boja tani më kësaj gjelle të mykur efendi Heqmet, mjaftë më, mjaftë ju lutemi se u komprometuam keq!

 

– Jo, imzot Jakovi jo, mos ke frikë! Largoji parandjenjat e liga nga shpirti yt! Çdo gjë në këtë botë ka fillimin e vrullshëm, gati adoleshent, por edhe fundin e vet të zverdhur si gjethe e pa vlerë vjeshte… Më në fund, ne duhet të dorëzohemi paqësisht para Perëndisë. Me rëndësi është që të mbijetojmë. Kohë të rënda kanë ngërthyer fatin tonë, së fundmi seç dëgjova se po përflitet për një strategji të sofistikuar, të cilën ata nga “lart” e paskan përgatitur prej kohësh për ta testuar këtu tek ne, dhe po thonë se nëse kjo do të jap rezultat, çështja jonë do të shpëtojë nga katrahurat që kurdisen pararendësit tanë të errësirës!…

 

– Po këtë thuaj se ma ngrive gjakun, efendi!

 

Kjo strategji, imzot, tashmë ka filluar që të testohet tek ne?! Po flitet se ka dhënë shenjat e para të gjallimit të saj!? O krijesë e Perëndisë, po ç’nuk i pjell mendja njeriut, këtë nuk e kisha besuar as vetë, po, por faktet po flasin ndryshe imzot Jakov.

 

Fol efendi Heqmet, fol se më çmende! Zaten ty Perëndia në këtë botë vetëm për të me çmendur mua të ka sjellë! Po ç’është gjithë kjo hata që bëhet nën hundët e mia, dhe unë nuk po e marr vesh gjë? Si ka mundësi, dhe unë të mos njoftohem me kohë për këto “strategjira”? efendi… Të paktën do duhej të isha i përgatitur, në mënyrë që të mos zihem si në leqe – jam apo nuk jam unë i pari vendit këtu, o zot, me përfill njeri mua në këtë kasaba, apo jo?

 

– Imzot Jakov, ja sihariqi i madh që të solla: sot i madhi i atyre- ia dhuroi tre qenë Policisë së Kosovës, përkatësisht njësitit K 9 (nëntë), të Policisë sonë!… Këta tre qenë, ishin të rinj, janë dhuruar nga bashkësia ndërkombëtare për Policinë tonë! Ata janë qen të denjë, në emër të bashkësisë Evropiane, qentë i dorëzoi ai, ai pra, i para pak ditësh. Këtë sihariq e ka dhënë edhe gazeta, prandaj po me befasoni imzot Jakovi, lexoni ju, apo jo shtypin ditor?!…

 

– O Zot i madh, po për këtë sihariq ti efendi Heqmet erdhe që nga atje?! Po ky qenka sihariqi yt, ë? Ti e di mirë, efendi Heqmet, se në Kosovë, ne kemi qenë sa të duash – edhe të rinj, edhe pleq. A nuk ishte administrata e UNMIK-ut, ajo që solli në Kosovë qenë të llojeve të ndryshëm. A nuk e provoi ajo para këtyre, zgjidhjen e nyjës së Demokleut, për mes qensh, por, dështoi, dështoi katërçipërisht, a nuk duhet që edhe këta të mësojnë nga pësimet?!, me anë të qenve nuk zgjidhen çështjet e ndërlikuara, përkundrazi qentë i ndërlikojnë gjërat edhe më shumë, ngase ata, aftësinë e tyre e bazojnë vetëm në shqisën e nuhatjes, që quhen hundë, efendi! Prandaj këto punë nuk zgjidhen në saje të hundës, dhe nuhatjes sate dhe të shokëve tuaj, që jeni sorollatur tërë këtë kohë Kreshtë- Tasian e tërthorazi, sado e zhvilluar të jetë ajo, prapë hundë mbetët efendi! Këto çështje duan tru, efendi, tru të zhdërvjelltë! Duan kokë, efendi, kokë të madhe, duan guxim efendi, duan mençuri efendi!… Ta them të drejtën nuk po gjejë arsye për të shpjeguar entuziazmin tënd, ke bërë gjithë atë rrugë, për të më sjellë këtë “sihariq”?! Bile po ta them troç e pa fije ndrojtjeje; se edhe ti, efendi Heqmet, je gati një “asi” që ata, ia paska dhuruar Policisë së Kosovës, bile një “asi” plak!… me ndjej, por nuk kam shpërblim më të madh për të të dhënë, që më trazove kot e kot këtë natë të vonë!

 

– Të falem nderit, hirësi Jakov! Dorën në zemër, nuk e prisja këtë nga ana juaj, ta them të vërtetën nuk më ka fyer kush kaq rëndë deri më tani! Por, me gjithë fryrjen që më bëre, të sqaroj, hirësi, se midis qenve të sjellë nga Evropa dhe qeneve tanë  ka një dallim, prandaj edhe nëse jam qen, dua të jem qen ndërkombëtar, ndërkaq ti, hirësi, mbase je ose dëshiron të mbetesh qen vendor!, kështu që pjesën fyese ta mbaj secili për vet, pra qenëria ka qenërinë, por edhe njerëzia njerëzinë.

 

– Oh, efendi Heqmet, e more me të shpejtë dhe ma ktheve kusurin këmbë e dorë, unë nuk ta thash për fyerje, por që ta kemi të qartë se mes qenve nuk ka ndonjë dallim sa për të qenë, qen ata të sjellë nga Evropa, qen këta tanët, qen këtej e qen andej, pra qen me bollëk, të cilët është vështirë t’i sistemosh, dhe siç e sheh, janë bërë edhe të rrezikshëm për qytetarët: bëjnë zhurmë e potere pa asnjë shkak, po ta panë hallin të hanë edhe prapa shpine, s’ka besë më, na ishte dikur thënia: “Qeni është besnik!”… Jo lum miku, më nuk i besohet as qenit ndërkombëtar dhe as qenit vendor – qen hesapi! Prandaj halli im është së me këtë veprim nuk zgjidhet gjë, të thashë edhe më parë; e ka provuar UNMIK-u me qen, para këtyre, por kot. Një gjë nuk po e kuptoj: ne, qen kemi mjaft, atëherë, përse na sjellin ata qen prapë!?

 

– Keni të drejtë, imzot Jakov, mbase pak edhe u nxitova, pavarësisht se unë edhe ti nuk dallojmë edhe aq. Kjo nënkuptohet se jemi të njëjtë, varet nga mosha se cili është qen më plak, e cili qen më i ri?! Megjithatë, unë e mbroj parimin se në shumësinë e qeneve ka dallime të mëdha. Po ta zbërthejmë ngadalë do shohim së: ka qen tinëzar, ka qen besnik, ka qen edhe zagar. Ka qen që, i yshtur nga të tjerët, turret edhe në Parlament, ka qen që nuk e shohin qenërinë e vet, ka qen që ha nga prapa edhe të zonë e vet. Ka qen e bir qeni, ka qen dai, ka qen që Kosovës ia ka sjellë ujkun në shtëpi. Ka qen e bir këlyshi, ka qen e bir qeni, ka qen e bir gjyshi, ka qen që e kërkon vendi, ka vend që e kërkon qenin, ka qen e bir thiu, ka qen që ha bukë në shtëpi, dhe leh tek fqiu! Ka qen që lëpin nga një asht e fle rehat në kashtë, ka qen që lemeris dynjanë, ka qen që edhe kur e shqelmojnë nuk bëzan! Ka qen që të ha pas shpine, ka qen pa lesh e qime! Pra me fjalë tjera, imzot, siç e sheh edhe ti, nuk janë të gjithë qentë njësoi, pastaj ata qentë e sjellë nga ata, duhet studiuar mirë se si do të përshtaten:

 

– Së pari, në çfarë kushtesh kanë jetuar ata më parë?

 

– Kush do t’i mbrojë ata nga ndonjë aferë e supozuar dhe e marrë, nëse ata shkelin ligjin?

 

– Nëse vendit tonë i hynë në hak, a mund t’i fshijmë ne, ata më “dajak”?

 

– Kush do të kujdeset për ta, nëse iu bëhet arrest shtëpiak?!

 

– Nëse janë të stërvitur, të çfarë moshe a race na i kanë ofruar?

 

– A janë të disiplinuar apo mos janë fare të pafre?

 

– Ku hanë sot ata e ku kanë hëngër deri dje?

 

– A do ta njohin realitetin e ri, e të mos bëjnë teatër, apo prapë krye në vete; me Rezolutën 1244?!

 

– Kjo ka shumë rëndësi, imzot, në mënyrë që të mos na shkojë puna së koti – le të dihet së kush është qeni këtu, dh e kush i zoti!…

 

 

– Tërhiqem, efendi Heqmet, tërhiqem, mbase keni të drejtë, as njerëzit nuk janë njësoj, kështu që edhe qentë kanë të drejtë, secili në qenërinë e vet! Nga ana tjetër, unë si njeri i Perëndisë që jam, kryesisht me punët e predikimit jam marrë, nuk jam ngatërruar shumë në punët e qenve, ngase nuk ishte në dorën time, prandaj sikur ma ndien zemra se përderisa nuk u zgjidhën shumë çështje për kaq vite, nuk më besohet se mund të arrihet ndonjë rezultat i madh, aq më pak në saje të këtyre qenve, që i paskan sjellë ata në Kosovë! Thjesht, pasigurinë time, unë efendi e mbështes në urtësinë popullore: “Qeni s’e ha qenin!”…, prandaj nuk përzihem në këto punë, sidomos në punët e qenve!…

 

Imzot Jakovit, teksa po përpëlitej nën batanijen e tij, i bërë çull në djersë, po i vinin në vesh ca të lehura qensh, së bashku me një trokitje të fortë në derën e oborrit, që shoqëroheshin me një zë gati të mbytur:

 

 -Imzot Jakov, imzot Jakov, hapeni derën se më shqyen qentë!

 

Imzot Jakovi, hodhi batanijen krahëve dhe doli me vrap në oborr, tërhoqi me forcë lozin, dhe hapi derën e rëndë prej hekuri, duke i thirrur një qeni që nuk po prante së lehuri:

 

“Mjaft më, he të preftë ujku, të preftë!” …

 

– Efendi Heqmet, ti qenke? Po ç’të solli në këtë errësirë o i uruar?! Çfarë haberesh të liga po na sjell, o njeri i kobshëm, se ma bërë gjakun ujë- i tha i zemëruar imzot Jakovi?!

 

– Jo, jo, mos ke frikë, imzot, kalova këtejpari dhe thashë ta pimë nga një gotë së bashku, njëkohësisht desha të të njoftoj se ata…

 

– Oh të lutem mos,- e ndërpreu imzot Jakovi, – mos, për qentë të lutem mos më fol më për qentë se na mbytën qentë, na hëngrën të gjallë qentë! Të lutem, mos! – dhe ia mbylli derën me rrapëllimë, duke ikur brenda e duke bërë kryq për ta qetësuar shpirtin e tij të trazuar, nga ai makth i asaj ëndrre të trishtuar, me gjithë dridhjet që po e ndjente ende në gjoksin e tij të lagur qull nga djersët …

Zürich, 17. 10. 2017

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …