vipa
driloni com
Fillimi / Personalitete / Mehmet Bislimi: Tahir Meha ( 1943 – 1981)
Mehmet Bislimi: Tahir Meha ( 1943 - 1981)

Mehmet Bislimi: Tahir Meha ( 1943 – 1981)

Burri i Dheut – trim i paepur, paraardhës i sakrificës ademja­sha­ri­ane për atdheun, Tahir Nebih Meha, u lind, më 10 tetor 1943, në Prekaz të Drenicës, Panteon i dëshmuar i shqiptarizmës. I ndjekur nga i et, 71- vjeç, Nebihu, Kullën stërgjyshore e ktheu në varr të hapur për pushtu­e­sin jugosllav të tokave shqiptare, më 13 maj 1981.

Gjyshi i Tahirit, Emin Lati, ishte pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, bashkëluftëtar i Azem Bejtës. Ishte Burrë i vendit e i kuvendit, symprehti i Çetës. Pas vrasjes së Azem Bejtes, më 14 qershor 1924, Emini e ruajti pushkën e Azemit me admirim e me krenari dhe, më 1941, ia dorëzoi të birit, Nebihut, që ky ta ndero­nte shqiptarinë në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës në Sanxhakun, pjesë historike të Shqi­përisë. Pushka e Azem Bejtes në dorën e Nebi­hut shkëlqeu edhe në Luftën e Drenicës nën udhëheqjen e Shaban Palluzhës dhe në Luf­tën e Tahir Mehës.

Prometeut, Tahir Meha, meqë dilte nga një familje me tradita të luf­tës kundër okupatorit serb, nuk iu lejua shkollimi në shkollën e mesme. Ushtrinë e mbaroi në Mal të Zi dhe u shqua në shenjëtari. Në Kavadar të Maqedonisë, një kohë, punoi punëtor fizik. Nuk mund ta duronte shkaun komandar dhe iu kthye vendlindjes, tokës, bujqësisë. Do të shquhet me shkathtësi akiliane dhe me gatishmëri për sakrificë sublime. U bë tmerr për kolonistët serbë në Prekaz e rrethinë. Kishte ti­par e natyrë epike të perso­nazheve të Lahutës së Malcisë, tipik me Shan Dedën e Dedë Jakupit, që si turkut si kaurrit rrumbullak fjalën ja thotë!

E donte historinë, lexonte libra të vjetër e të rinj, dhe mbi të gjitha mburrej me Oso Kukën, Ahmet Delinë, Hasan Prishtinën, Azem Bejten, Meh­met Gradicën dhe Shaban Palluzhën. Ua kishte lakmi vde­kjen. Këmbë­ngulës ishte, në qëndrimet e veta, i papajtueshëm me rrethin që bashkëjetonte fatalisht me robëruesit. Dhe, po të mos ishte i tillë, in­di­pedent, nuk do t’ia kthente fjalën, as pushkën, Beligradit, të përgdhelurit historik ruso-evropianë. Meqë nuk priste trashëgimtar ma­sh­kull me Shefkijen, u rimartua me Hakën, me shpresë se do ta trashë­gojë me ushtarë të shqiptarisë, siç do t’u thoshte miqve.

Konfrontimin e parë me policinë jugosllave, Tahir Meha, e përba­lloi më 1965, të dytin, me armë në dorë, më 1971, së bashku me t’et, Nebih Mehën, në vendin “Vojtesh”. Aty ia ktheu plumbat njësitit policor që u bën­te kontrollim rutinor, për armë, pazarxhinjve. Nga fundi i vitit 1979, Tahir Mehën e kapën udbashët shkije e shqipfolës, dhe e torturuan mizorisht. Nga kjo kohë, Tahiri ishte ariu i plagosur i Prekazit hijerëndë, i çelikosur egër kundër pushtuesit dhe sahanlëpirësve shqiptarë: “Ma nuk njoh pushtet të Ju­go­sllavisë. E kam nda men­djen se ma mirë m’asht nji ditë sokol se sa nji­qind vjet sorrë e zezë!”

Së këndejmi, policia e pushtuesit emrin e Tahir Mehës e futi në inde­ksin e personave “të rrezikshëm për sigurinë dhe vëllazërim-bash­ki­min jugosllav”, ndërkaq Gjykata e Qarkut në Skenderaj e dënoi, në mu­n­gesë, me gjashtë muaj burg, për mosbindje qytetare dhe për armë­mbaj­tje pa leje. Dhe, më 28 prill 1980, në Skenderaj, u hetua, iu bë rrethimi. Ishte me t’et, Nebihun, dhe disa shokë. Rreth orës 14, në për­pje­kjen e Bluzave blu për ta arrestuar, por Tahir Meha e çau bllokimin me zjarr të Walterit 9mm, me një varrë në trup, por duke lënë pas një polic të plagosur. Kaloi në arrati, me armët ngjeshur, përfundimisht, kundër Jugosllavisë.

“Biri im! Nëse do të shkruani për Lëvizjen e Rezistencës Shqip­ta­re Antijugosllave, shkruani për jatakët, se ata janë më të mëdhenj se kaça­kët…!” – më kishte porositur, më 1973, ish-kaçaku Salih Pirraku.

Tahir Mehën e strehuan, e përkrahën dhe e morën në mbrojtje, rreth një vit, Zekë Fazlija e Osman Maloku të Çubrelit dhe Jonuz Shala i For­tesës. Në Fletarrestin për kapjen dhe burgosjen e Tahir Mehës, shkru­ante: “Mesatarisht i zhvilluar, i gjatë rreth 170 cm, fytyrë të rrum­bu­llakët, flokë ngjyrë gështenje të errët të nënqethur me rregull, në ko­kë zakonisht mban kallpak. Ka gojë, hundë, sy, duar, këmbë të zhvi­lluar normalisht. Në qoftë se është pa kallpak, flokët i krehë prapa, nuk është tullac, por ka flokë të dendura. Veshur gjatë ikjes (më 28 prill), ka pasur një mantel ngjyrë kaltër të qelë. Gjatë ecjes, lëviz me kujdes, duke kthyer kokën majtas dhe djathtas…”.

Pas shpërthimit të Demonstratave studentore të 11 e 26 marsit dhe Ngritjes Gjithëpopullore Shqiptare të 1, 2 e 3 prillit 1981, Tahir Meha u kthye përfundimisht në Kullën stërgjyshore: “Kanga e studentë­ve m’nxori nga bira e minit dhe tashti e ka renin kanga ime…!”- u tho­shte miqve që e vizitonin.

Sigurimi shtetëror jugosllav kishte informata të sakta për ven­do­­s­­mërinë e Tahir Mehës, ndaj i futi nën mbikëqyrje njëzetekatër­orëshe çdo lëvizje të Tahirit, si personin më potencial për rrezikshmëri ndaj rendit policoro-ushtarak jugosllav të jashtëzakonshëm, të vendo­sur në Koso­vë më 1 prill 1981. Milicia i dërgonte “miq” herë me porosi “miqësore” e herë me ultimatume, të dorëzohej. Trimi ishte fja­lë­shkurtër: “Jam në shtëpinë time dhe këtu mund të më gjeni…!” Spiunët e informuan mi­li­cinë se Tahir Meha i kishte thënë farefisit, pak ditë para ndodhjes së historisë: “Krejt pasunija jeme âsht n’grykë të pushkës e n’kofshi t’gjallë kini me mbledhë shusha e tru të milicëve rreth kësaj Kulle…!” dhe “…për Luftën time ka me shkrue edhe “Zhen Min Zhibao” e Ki­nës…!” Kjo ishte dëshmi e tërthorët sa fortë e donte Enver Hoxhën – Shqipërinë.

Kjo e goditi forcërisht sedrën e makinerisë policore e ushtarake të pushtuesit, ndaj përgatiti planin ta kapte Tahir Mehën, të gjallë ose të vdekur, brenda në Kullë, për t’i dhënë tis shembullor rinisë shqiptare kryengritëse të “Pranverës Shqiptare ’81”. Dhe, një surprizë e tillë ish­te planifikuar për ditën e Festës së Sigurimit Shtetëror të Jugoslla­visë, pikërisht më 13 maj 1981.

Ndaj, rrethimit të Kullës së Tahir Mehës i parapriu një aktivitet i madh politik, propagandistik e policor gjithëjugosllav antishqiptar – për demaskimin e mesazhit të Demonstratave studentore, të Ngritjes Gjithëpopullore Shqiptare dhe të aktivitetit politik të organizatave shqi­p­­tare ilegale në themele të “Pranverës Shqiptare ’81”. Franjo Her­leviç në intervistën dhënë TANJUG-ut, më 12 maj, midis të tjerash, kërcënoi: “Populli i Kosovës dhe mbarë Jugosllavia do ta bindin armi­kun se do t’i mbrojnë vetë frytet e revolucionit”.

Në Dosjen “Tahir Meha” të organeve të hetuesisë jugosllave, përnjëherë pas Ditës së Përgjakshme, të 13 majit 1881, në Prekaz, ka të dhëna me interes të madh për Heroizmin e Luftës së Tahir Mehës. Në “Planin operativ të Shërbimit të Sigurimit Publik për kapjen e Tahir Mehës”, midis të tjerash, saktësohej: Më 12 maj 1881, rreth orës 17, Organet e Sigurimit u informuan: “Tahiri, me siguri në mbrëmje, do të jetë në shtëpinë e vet, në fshatin Prekaz i Ulët (…) Aksioni duhet të fillojë të mërkurën, më 13 maj 1981, në ora 02 (…) Pas bllokimit të shtëpisë, po­sa të fillon agu i parë, me ndihmën e megafonit duhet të ftohej Ta­hiri që të dalë dhe të dorëzohet. Në rast se nuk pranon të dorëzohet duhej të merreshin masat dhe veprimet e parapara…”

Në dokumentin që përshkruan ngjarjen, më tutje, shkruan: Tahir Mehen, rreth orës 01.30 të natës, midis 12 e 13 majit 1981, “e kishin zgjuar të lehurat e qenit në oborr. Kishte nxjerrë revolen që mbante nën jastëk kur flinte” dhe “ishte kollitur zhurmshëm (…). Kishte kohë që bën­te gjumë me rrobe veshë”. E porositi gruan, Shefkijen, të pyeste, nga dritarja e Kullës, se kush ishte? Një polic do t’i përgjigjet: Shtëpia është rrethuar dhe e fton Tahirin, “të dorëzohet, për shkak se ekziston urdhri gjyqësor për arrestim…!” Tani, gruaja e dytë, Haka, gjithnjë sipas sugje­rimit të Tahirit, do ta ftojë policinë të largohej nga oborri, duke u thënë: “Tahiri nuk është këtu!” Një milic shqipfolës do t’i përgjigjët, qartë: “Jemi në dijeni se Tahiri është në shtëpi”.

Dhe, deri rreth orës 3 të 13 majit 1981, për terrin e para agimit, me shi të imët, njësi të mëdha të Milicisë së Bashkuar të Jugosllavisë i bënë tre rrathë të hekurt. Së bashku me një pjesë të Mbrojtjes Terri­toriale të Kosovës, në pozicione lufte, deri nga mesdita e së mërkurës, u tokëzuan rreth 2000 këmbësorë të mbështetur nga katër tanke, tre helikopterë dhe shumë reflektorë. Oda e Kullës ku ishte barrikaduar Tahiri, kishte një dritare të madhe dhe tri frëngji.

Tahir Meha, sipas përshkimit të ngjarjes në Dosje, ishte afruar pranë dritares dhe kishte zhvilluar dialog me milicët. Midis të tjerash, u kishte thënë: “Nuk kam besim që t’i dorëzohem policisë së Serbisë se ata m’i kanë thyer brinjët njëherë dhe njëherë më kanë plagosur”. Njëkohësisht, kishte përcjellë lëvizjet e milicëve dhe kishte reaguar me të shtëna ndaj lëvizjeve dhe të shtënave të tyre.

Gjatë negociatave për dorëzim, Tahiri kërkoi “dorëzanë”, një Zo­ra­nin, shef të Sigurimit Shtetëror në Mitrovicë dhe një “Imerin apo një Faikun”. Duket se kishte ndërmend t’i vriste. Kjo mund të vigjilohet nga përgjigja që mori nga milicët: “Imeri ka vdekur në komunikacion, e Faiku është në shok dhomë”. Një milic, i cili ishte në roje “afër odës”, i konstatoi hetuesit, më 17 maj 1881: “Tahiri ka dalë në dritare, ka bise­duar me gati të gjithë policët dhe nuk ka dashur të dorëzohet, duke thënë se ‘unë i gjallë nuk dorëzohem’. Bile, nganjëherë, e shpalonte gjoksin dhe thoshte ‘vramëni!”

Nga ora 10 të 13 majit 1881, hyri në veprim edhe Njësia e Poli­cisë Speciale, komandanti i së cilës ishte identifikuar me nofkën Franc. Gjithnjë sipas “Dosjes”, ai kërkoi nga policia e rregullt të mbante “Tahirin në dritare për 2-3 minuta, deri sa të vendoste njerëzit e vet në vende të caktuara dhe të jepte urdhër për futje të lotsjellësit” brenda në Kullë. Dhe “derisa polic të tjerë kanë biseduar me Tahirin për t’ia tërhequr vëmendjen, njësiti special i është afruar shtëpisë (…). Të veshur në uniforma të gjelbërta, pjesëtarët e njësitit special janë përvjedhur pranë shtëpisë”.

Heroi ynë, Tahir Meha, shtinte hollë. Të parit, që ëndërronte gra­da, por edhe tjetrit që pati guxim ta ngrehte kokën më lartë se të tjerët, njëri boshnjak e tjetri shqiptar, Tahiri ua qëndisi ballin. Speci­a­lcave iu dridhen duar e këmbë, ndaj dy fishekë të gazit lotsjellës nuk qëlluan dritaren. Go­di­tën murin e Kullës dhe helmi mbuloi milicët dhe spe­cialcat, të cilët u detyruan të largohen nga ajo mynxyrë, që krijuan vetë. Dhe, thirrjes, së va­zh­dueshme, me megafon, për dorëzim, Tahir Meha do t’i përgjigjet, me gjuhën e Oso Kukës, para 119 vjetësh, e të Shaban Pallushës, para 44 vjetësh, gjithnjë duke i lutur milicët shqiptarë të mos ia mësynin Kullës, se “për kit Luftë ka me nije edhe Vashingtoni”!

Vërtet, qëndresa e heroike e Tahir Mehës tmerroi Jugosllavinë. Nga mesi i ditës në Shtabin komandues të Operacionit, në nja 600 metra nga Kulla, arriti edhe Franjo Herleviç, të cilin atë ditë e shohim në Beograd, e gjetkë në Serbi dhe në Mbledhjen e Kryesisë së KSA të Ko­so­vës. Tashti së paku tre milicë kishin kafshuar dheun e tokës së Dreni­cës, disa ishin plagosur, kurse të tjerët në pozicione, në Tahir Mehën shihnin vetë Titanin e pa pushtueshëm as nga zotërat. Pas një rirreshtimi strategjik të forcave, kundër Kullës nga tri anë shtinin tri tanke dhe nga sipër një helikopter. Dy helikopterë mbanin nën vështrim Prekazin e Dre­ni­cën, që të pengonin ndihmën eventuale për Tahir Mehën, i cili nga frëngjitë e tri ballëve të Kullës, tmerronte armikun. Shtinte rrallë, herë me Walter e herë me Kraragujevce, dhe kurrë dy herë në një person. Të gjithë i godiste mbi vetulla, nën strehë të helmetës.

Plaku 71 vjeç, Nebih Lati, me orë të tëra, me pushkën e Azem Bejtes, nga konaku përdhes, kapur për Kullën, ishte mburoja e hyrjes në Kullë. Duke ndërruar pozitën, për të nxjerrë nga Kulla dy gratë dhe pesë fëmijët e Tahirit, një plumb e goditi në dorën e majtë. Me të dja­thtën, plandosi komandosin Pejoviq, që po mbante nën zjarr derën e Kullës. Pasi plagën ia lidhi Tahiri me nënkmishë, Nebihu zbriti në katin e parë dhe edhe për disa orë e mbrojti hyrjen në Kullë. Predha të shumta të mitralozit e goditën, rishtazi. Plakun fisnik, Nebih Latin, do ta qëllojë për vdekje komandanti Franc, i cili ia mori pushkën, trofe.

Plagë mori edhe e mbesa 16 vjeç, Mihrie Tahir Meha, e cila me guxim ndihmonte, në luftë, gjysh e babë. Vërtet, Nebih Lati i plagosur tepër rëndë, ishte tërhequr, zhagazi, brenda derës së Kullës, ku tashti ishte vetë ferri. Disa tramblone të gazit lotsjellës kishin depërtuar brenda. Tahiri e vendosi t’et, në një grazhd, i vendosi një gjësend për nënkresë, i ofroi një qyp me ujë dhe, i pa epur, plotësisht i pathyeshëm për të realizuar betimin, herë në njërën e herë në frëngjinë tjetër të Kullës, mbillte vdekje mbi armikun. Kjo Luftë po vërtetonte opinionin e popullit se Shtëpia ka orë, vetëm se duhet venë vetes detyrë për qëllime të larta.

Asnjë komando nuk arrinte të futej në kullë, nga dritaret ose nga dera, ndaj rreth orës 22, një tank rrënues mësyu kullën nga ballina e derës dhe depërtoi në brendi të saj. Me trarët e parë ra mbi tank edhe Tahir Meha dhe sapo kapiteni e ngriti kupolën të shohë ç’po ndodhte me Kullën dhe me Tahir Mehën, trimi ua hodhi bombën brenda. Nuk dihet sa veta vrau në tank, por dihet se kapiteni që drejtoi tankun ishte malazias, kolonist në Çallapek, dhe tani jetoi në Pejë, i verbër. Speci­alci Radoiçiq, do të saktësojë: “Kur ‘blinda’ ka goditur derën dhe ka rrënuar një pjesë të shtëpisë nuk është parë më asgjë për shkak se është ngritur një re e pluhurit. Udhëheqësi i njësitit special ka dhënë urdhrin për tërheqjen e transporterit dhe ka vazhduar me hedhjen e bombave të dorës. Gjithashtu ka ndriçuar oborrin me reflektorë”.

Vërtet. shembja e kullës, ngritja e pluhurit, helmi kimik dhe tymi i tankut pamundësuan qëndrimin brenda rrënojës. Legjenda e Kombit, Tahir Meha, përshpejtoi me pushkën në njërën dhe me bombë në dorën tjetër, për të çarë rrethimin e Kullës. Krahaqafë kishte trastën me 750 fishekë dhe një bombë në rrip. Sipas Radoiçiqit, “Tahir Meha ka braktisur pozitën e tij dhe ka luajtur në krejt apo hiç. Ka dalë nga shtëpia e tij e rrënuar dhe ka filluar të vrapojë. Ka kapërcyer një gardh dhe është nisur poshtë arave. Janë dëgjuar dy breshëri automatiku dhe një e shtënë pushke. Tahiri ka hasur në pozicionin e dytë të policisë”. Krisma e pushkës ishte e shtëna e fundit e Tahir Mehës, për dinjitetin dhe për lirinë shqiptare. Plumbi nuk i shkoi huq. Dhe, nuk doli koman­dos t’i shkonte pranë, të vërtetonte vdekjen e tij. Ia mësyn kufomës me tank dhe vetëm pasi vemëzat e armës ciklopike ia shtypi këmbët nën gjunjë, Prometeut shqiptar, u dha sihariqi: “Është i vdekur…!”

Gëzim dhe brohoritje nuk pati. Në luftën 19-orësh Tahir Meha e realizoi betimin, pikë për pikë. Tashti Oborri i Kullës ishte përplot shusha, kufoma milicësh e armë të tyre. Mjeku serb i pranishëm në operacion, kolonisti Rada i Radenkut, drejtor i Spitalit të Skenderajt, fliste me argumente për 22 të vrarë e 14 të plagosur. Me këto të dhënë përputheshin edhe konstatimet e vrojtuesve okular të ekspertizës në vendin e ngjarjes, më 16 maj 1981. Ata kanë numëruar 22 piketa të vëna në vendet ku kanë mbetur milicët e vrarë. “Këtë e kam përcjellë me sytë e mi…!” – thoshte pesëdhjetetetëvjeçari Hamit Meha, mendjendritur. Por, disa përjetues të ngjarjes nga radha e pjesëtarëve të Mbrojtjes Terri­toriale flisnin, në besë, për 27 milicë të vrarë e për 45 të plagosur.

Kështu, drenicasit Tahir e Nebih Meha, dy breza, e kurorëzuan je­tën dhe luftën për truallin e lirë dhe të pacenuar në mënyrën më mitike. Ata bënë vdekje madhështore. Brezi i tretë, Mihria, me plagë, mbeti për ta mbi­je­tuar dhunën e okupatorit, dhe, në një të ardhme të pritur, për ta gëzuar fi­to­ren e luftës së brezave të përgjakur me okupa­torin serbo – jugosllav.

Më 13 maj 1981, instancat shtetërore, politike e policore të Ju­go­s­lla­visë publikisht e manifestonin Festën e Sigurimit Shtetëror të planifi­kuar, kurse intimisht mallkonin debaklin skëterrë jugosllave – fitore e irre­dentizmit dhe e nacionalizmit shqiptar, të vulosur me gry­kën e push­kës së Tahir Mehës. Më 14 maj 1981, Franjo Herleviç formoi komisionin për “të zbardhë të gjitha rrethanat e këtij rasti” dhe në krye të atij komi­sioni zbriti në truallin e Tahir Mehës, i cili ende po kundër­monte erë gjaku të koagu­luar të komandosve të tij – “të rënë në krye të detyrës”. Nuk u durua dhe me duar të veta preku të djathtën e Tahir e të Nebih Mehës, të cilat për të gjallë nuk arriti t’ua përlyente as t’ua thyente.

Dha urdhër: Të bëhet varrimi nën rrethim policor, me pjesëma­rrje të kufizuar dhe nxitoi për Beograd, për të hartuar Kumtesën e Sek­re­tariatit Federativ të Punëve të Brendshme, të cilën do ta botojnë, më 15 maj 1981, të gjitha gazetat ditore të Jugosllavisë: “Më 13 maj të këtij viti në fshatin Prekaz i Ulët, komuna e Serbicës, KSA e Kosovës, organet e punëve të brendshme zbuluan Tahir Mehajn, i cili para një viti shtiu kundër organeve të sigurimit publik të KSA të Kosovës dhe që atëherë gjendej në arrati. Ky kriminel, për të cilin në vitin 1980 u shpall urdhërarrestimi, ngriti barrikadë në shtëpinë e vet bashkë me Nebih Mehajn dhe mbante peng dy gra e pesë fëmijë. Pas thirrjes që të dorëzohen, hapën zjarr kundër organeve të sigurimit” – thuhej në fillim të Kumtesës.

Vërtet, kumtesa ishte hartua me kalkulime: Operacioni të trego­hej si ndërmarrje humanitare, për të shpëtuar “dy gra dhe pesë fëmijë të mbajtura peng nga kriminelët”; të minimizoheshin humbjet maksi­ma­lisht – në 4 të vrarë dhe në 3 të plagosur; rënia dhe plagosja e mili­cë­ve, kom­besh e kombësish të ndryshme të tregohej si vazhdim i LNÇJ-së dhe revo­lu­cionit socialist jugosllav: “Në këtë ngjarje tragjike ka edhe simbolikë, që është shprehje e vëllazërimit e bashkimit dhe e bashkëjetesës sonë, që u krijua në luftë e revolucion, me gjakun e bijve e të bijave të të gjitha kombeve e të kombësive tona. Shokët që humbën jetën, janë nga anë të ndryshme të Jugosllavisë dhe të kombeve të ndryshme”.

Ne varrimin e Tahir e Nebih Mehës, më 15 maj 1981, midis rreth 70 bashkëfshatarëve e miqve ishte Shaban Jashari me djemtë: Hamzën dhe Ademin. Këto legjenda të kombit shqiptar u betuan, pub­li­­kisht, para kufomës së Tahir Mehës: “Luftën që nise ti do ta vazhdo­jmë ne deri në pikën e fundit të gjakut!” Spiunët që përgjonin xhematin nga brenda, aty për aty, lancuan dezinformatën, për t’i njollosur Jasha­rajt: “ Këta janë provokatorë, dora vetë e UDB-ës…!”

E vërteta ishte e hidhur për okupatorin, por e hershme për vetë­dijen politike të masave të gjëra të popullit. Jasharajt legjendarë, si edhe Mehajt legjendarë, qëndronin me kohë në të njëjtat valë me objektivat politike e çlirimtare të tokave shqiptare të Amës Shqipëri. Agjencia Gaze­tare e Shqipërisë, pra Tirana zyrtare, më 17 maj 1981, e mori në mbrojtje Tahir Mehajn dhe Luftën e tij e quajti mbrojtje të domosdoshme të nderit, të dinjitetit në vatrën stërgjyshore. Sulmin e njësive të “milicisë ndësh­ku­ese serbe (…) kundër një familjeje shqip­ta­re dhe vrasjen e dy anëtarëve të saj” në vatrën e lindjes, Tirana e kuali­fi­­koi dhe e ndërkombëtarizoi si terro­ri­zëm shtetëror të Jugosllavisë kun­dër qenies shqiptare të Drenicës e të Ko­sovës. Dhe, vërtet, koha, kjo vërtetuese e gjërave, tregoi: Adem Ja­shari, i mbështetur fuqimisht në Mëmën Shqipëri, pushkën e Tahir Mehës, me sakrificë pa çmim, e bëri Top dhe prelud të Revolucionit Gjithësh­qiptar Nacionalçlirimtar në rrjedhë.

Heroi i kombit, Tahir Meha me rezistencën dhe me luftën mbi­he­roike e theu, njëherë e përgjithmonë, mitin e pathyeshmërisë së ma­ki­nerisë pushtuese serbo-jugosllave në tokat shqiptare, të mbjellë me dhunë gjenocidiale të pandërprerë prej pushimit të pushkës së Ibrahim Lutfiut, dëshmor i Lëvizjes për Lirimin dhe Bashkimin e Tokave Shqi­p­tare, më 15 janar 1951. Tahir Meha i tregoi rinisë shqip­tare dhe popu­llit se Lufta e armatosur, jo demonstratat me duarthatë, është rru­ga e Li­risë. Se albanofobia sllave e kupton vetëm gjuhën e pushkës.

Lufta e Tahir Mehës do të bëhet ushqim shpirtëror për të burgo­surit e “Pranverës Shqiptare ’81” për të përballuar dhunën çnjerë­zore në kazamatet e Jugosllavisë. Kjo luftë ktheu besimin në masat e gjera, se populli lindë, rritë, e ka në gjirin e vetë Burra të Dheut për t’u përbe mbi kokën e tyre, si mbi perëndinë, ndaj edhe rapsodi saktësoi: “Tahir Meha në t’dytin kat,/ Po lifton me Beligrad”.

Vërtet, e ardhmja vërtetoi se Pushka e Tahir Mehës i hapi shteg Lirisë së Kosovës e të kombit shqiptar. Përcaktimi për vdekje heroike i Rexhep Malës e i Nuhi Berishës, më 1984, i Fahri Fazliut e i Afrim Zhitisë, më 1989, ishte frymëzim i prekshëm i heroizmit të Tahir Mehës. Dhe, vendosmëria e Besim Latifit (1968) dhe e Skënder Manollit (1957) të Pollatës së Llapit, për të kthyer shtëpitë në fortifikatë kundër milicisë speciale të Jugosllavisë, më 13 shtator 1990, pa marrë parasysh çmimin, ishte vetëpërcaktim për sakrificë tahirmehote.

Së fundi, përcaktimi i Tahir e Nebih Mehës dhe i Besim Latifit e Skënder Manollit, për sakrificë pa çmim për dinjitet shqiptari dhe rënia heroike e tyre, ishte përvojë e përjetuar e Adem e Hamëz Jasharit, legjenda mbi legjendat njerëzore të UÇK-së. Ushtar i orëve të para të Adem Jasharit, vetë siluetë e Tahirit, ishte i vëllai, pesë vjet më i madh, i dënuar politik i Lagjes së veprimtarëve të “Pranverës Shqip­tare ’81”, dëshmori Beqir Nebih Meha, i rënë heroikisht, më 25 mars 1999, në krye të njësitit të UÇK-së.

Dhe, sa më shumë që po na sprovon koha, në Kosovë dhe rreth e rrotull në tokat shqiptare, në këtë fill të Lirisë sonë të nëpërkëmbur ndërkombëtarisht për interesa të pushtuesve historik të vendeve shqiptare, aq më i madh po rritet Tahir Meha, aq më frymëzuese po bëhet Pushka e Tij habertare – për bashkimin dhe për Lirinë e kombit shqiptar.

Këshilli Organizues për Shënimin e 20-vjetorit “Pranvera Shqiptare ’81”, në Njëzetvjetorin e rënies së Tahir e Nebih Mehajt, pranë rrënojave të Kullës, vendosi pllakën përkujtimore me mesazh historik: Shqiponja dykrenore.

 

Kontrolloni gjithashtu

Hilë Lushaku: Pandeli Cale, (1879- 1923) korçari që dha gjithçka për Shqipërinë

Hilë Lushaku: Pandeli Cale, (1879- 1923) korçari që dha gjithçka për Shqipërinë

Atdhetati i mirënjohur, nënshkruesi i Aktit të Pavarëçsisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, Pandeli ...