Mehmet Hajrizi

Mehmet Hajrizi: Zemra e Sulejman Krasniqit digjej për Kosovën

(Fjala e Mehmet Hajrizit në Akademinë Përkujtimore për shkrimtarin dhe veprimtarin, Sylejman Krasniqi)

E dashur familje Krasniqi

Të nderuar pjesëmarrës

Zonja dhe zotërinj

Fillimisht dua të falënderoj organizatorët e kësaj veprimtarie përkujtimore që më ftuan dhe më dhanë mundësinë e nderin të dalë para jush për të shprehur respektin e thellë për njërin nga personalitetet më të shquara të letërsisë shqiptare dhe veprimtarin e çështjes së Kosovës, vëllain dhe mikun tim të shtrenjtë, Sulejman Krasniqi.

Duke përshëndetur këtë Akademi, e cila po mbahet në shënim të  përvjetorit të 79-të të  lindjes dhe pesë- vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit tonë të madh, uroj që veprimtari të tilla të organizohen, jo vetëm në Tiranë, ku Sulo ynë i dashur kaloi pjesën më të madhe të jetës dhe ku shkroi gjithë atë pasuri e vlerë  të çmuar letrare, por edhe në Prishtinë e në të gjitha qendrat shqiptare, kudo të jenë, sepse ai nuk i përket vetëm Shqipërisë, as vetëm Kosovës, por mbarë kombit shqiptar.

Në vetëm një jetë njeriu, Sulejman Krasniqi arriti të jetë veprimtar i lirisë dhe pedagog, eseist dhe publicist i shquar, poet e dramaturg, novelist e romansier i shkëlqyer, duke botuar mbi njëzet vepra dhe duke lënë të tjera në dorëshkrim. Ai është përfaqësues dhe mbrojtës i vlerave historike shqiptare, por edhe një nga kultivuesit më të zellshëm të tyre, është rilindësi i kohës sonë.

Krijimtaria artistike voluminoze dhe në shumë gjini e Sulejman Krasniqit do të jetojë gjatë, sepse mbahet në tri kolona të fuqishme bazike: Nivelin e lartë artistik e estetik që ka, mesazhin kombëtar që përçon dhe fuqinë edukuese e frymëzuese që mban në vete për vepra të mëdha e fisnike.

Sulejman Krasniqi është quajtur me të drejtë Balzaku i shqiptarëve, por ai paraqet për shqiptarët më shumë së Balzaku për francezët. Veprat monumentale të Sulejman Krasniqit për figura historike të popullit shqiptar, si Mic Sokoli, Bajram Curri, Shotë Galica, Oso Kuka etj., në fshehtësi siguroheshin dhe qarkullonin dorë më dorë ndër veprimtarët e Lëvizjes sonë  Kombëtare, si literaturë formuese, edukuese, frymëzuese dhe mobilizuese, duke e bërë autorin luftëtar të shquar të penës për çështjen shqiptare.

Me idealin e lartë e karakterin vullkanik, me energjitë e pashtershme e vullnetin e hekurt, me veprimtarinë e pareshtur e me trashëgiminë e pasur që na ka lënë, Sulejman Krasniqi zë vend nderi në historinë shqiptare në përgjithësi dhe në historinë e letërsisë sonë moderne, në veçanti.

Trashëgimia letrare e Sulejman Krasniqit, do të duhej ribotuar, andej e këtej kufirit, në një komplet librash, nën përkujdesjen institucionale.

 Zonja dhe zotërinj

Për veprimtarinë e tij atdhetare, regjimi pushtues serb e jugosllav e kishte dënuar me burgim Sulejman Krasniqin e ri dhe e përndoqi derisa e detyroi t’ia kthente shpinën Kosovës së tij të shtrenjtë dhe të kalonte më 1958 në atdheun mëmë, në Shqipëri. Ashtu si  Sulejmanin, regjimi vazhdoi t’i ndiqte edhe librat e tij, si në kohë inkuzicioni, duke dënuar me burgim këdo që i mbante dhe i lexonte. Në Lëvizjen Kombëtare i mbanim veprat e Sulejmanit bashkë me literaturën tjetër klandestine, për të mos rënë në duar të armikut. Shkrimtarin Sulejman Krasniqi, nëpërmjet të këtyre veprave e kisha njohur që në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, por vetëm më 1992 m’u dha rasti të takohesha për së afërmi me të në Tiranë. Në vjeshtë të atij viti ndodhesha këtu për një javë bashkë me vëllain tim, Zeqirin. Sulejmani dhe e shoqja e tij Mira, na ftuan bujarisht në darkë në apartamentin e tyre. Të them të vërtetën, nuk di pse, por prisja ta takoja shkrimtarin e madh, më hijerëndë, më fjalëpakë e indiferent dhe me qëndrim në të madh, siç themi ne në Kosovë për fodullëkun, por u befasova për mirë me modestinë e tij, shpirtin e çiltër  e mikpritësin që të bën të lirë në konak, me dashurinë vëllazërore e respektin mbase të tepruar dhe me zemrën e hapur të tij e të Mirës. Në sytë e mi, Sulejman Krasniqi dukej shumë më i madh nga sa e kisha menduar. Biseduam gjatë dhe përmallshëm atë mbrëmje, por u takuam sërish edhe dy-tri herë për të vazhduar aty ku e kishim lënë. Shkrimtari ynë më linte përshtypjen sikur ishim njohur dhe takuar prej kohësh, prandaj po çmalleshim si vëllezërit e degdisur. Temë bosht e bisedave të pafund ishte Kosova dhe çështja e saj e pazgjidhur. Ai pyeste me kureshtje të pazakonshme për Kosovën dhe zhvillimet e rënda që po kalonte në kohë robërie, nën regjimin e Milosheviqit famëkeq. Meqë Zeqiri ishte ish i burgosur politik i viteve gjashtëdhjetë në burgun e Goli Otokut në Jugosllavi, Sulejmani interesohej në hollësi për jetën dhe vuajtjet në atë burg…

Zemra e Sulejman Krasniqit digjej për Kosovën, këtë krahinë shqiptare të martirizuar në shekuj. Duke qenë i lektisur për të dhe për Hoçën e tij të lashtë, siç e quante, një ditë më tha: „More Mehmet, si thua ti, a do të mund të vij ndonjëherë i lirë në Kosovën time, e të çmallem, duke u ngazëllyer e pastaj le të vdes!“. „Po vëllai im”, i thashë, “Kosova me këtë shpresë dhe me bindje po përpiqet ta afrojë atë ditë.“

Në funksion të spastrimit etnik të Kosovës, regjimi pushtues serb në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar i kishte intensifikuar ndjekjet, sidomos të të rinjve shqiptarë për t’i zbuar nga trojet e veta. Beogradi me ironi dhe cinizëm thoshte atëherë, se nga gjithë mallrat, Serbia eksportonte më shumë… shqiptarë. Shumë prej tyre arratiseshin fillimisht në Shqipëri, prej ku vazhdonin rrugën e mërgimit në Perëndim. Sulejmani, shumë nga ata, i priste dhe i strehonte në apartamentin e tij modest. Dy prej tyre po përgatiteshin nga familja e Sulos të udhëtonin drejt Evropës. I shqetësuar për këtë braktisje masive të Kosovës, Sulejmani përpiqej t’i kthente sërish nga kishin ardhur këta të rinj.  Ai më porositi t’u flisja edhe unë për t’i bindur të ktheheshin. Ashtu bëra dhe m’u bë sikur u bindën, por nuk i pashë më. Shumë nga këta të rinj do ta kujtojnë me respekt Sulejmanin me zemër të madhe që kujdesej për ta si për bijtë e vet.

Vetëm shtatë vjet më vonë, një të shtunë të bukur të korrikut të vitit 1999, Sulejmani me zemër të zhuritur, kthehet në Kosovën e lirë, me lotët çurg për faqe. Pas dyzet e një vitesh po e shihte përsëri vendlindjen e tij. “Shkalla më e lartë e gëzimit quhet ngazëllim dhe hare”, do të thoshte me shpirt djaloshar Sulejmani i prekur thellë në ndjenjat e tij prej artisti. Në vitin 1994 Sulejmanit të paepur, korpulent e plot shëndet, sëmundja ia goditi fizikun, por edhe shpirtin, duke e lënë gjysmë të paralizuar. Që nga atëherë, Sulejmani u bë më emotiv, por lotët kësaj radhe do t’i rridhnin edhe sikur të ishte div, siç e quante veten, sepse ishin lot gëzimi e çmalljeje të birit për nënën që e kishte lindur dhe e kishte bërë të vuante aq shumë për të. Personazheve të veprave të veta Sulejmani nuk u lejonte lot, por sikur i mblodhi për vete që t’i derdhte në pleqëri.

Sulejman Krasniqi ishte dhe mbetet i madh, jo vetëm në letrat shqipe, por edhe si njeri, si patriot e si vëlla, si mik e si familjar.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Sulejman Krasniqin!

Faleminderit.

Tiranë, 10 dhjetor 2016

Kontrolloni gjithashtu

Vaxhid Sejdiu: Arbëreshët kjo “rrënjë e fortë”...

Vaxhid Sejdiu: Arbëreshët kjo “rrënjë e fortë”…

“Me rastin e 90 vjetorit të lindjes së At Antonio Belushit, njërit nga rilindësit më …