Musa Xhafer Hajrizi (20.8.1975 - 6.10.2000)

Mentor Hajrizi: Letër në varr TIM VËLLAI, MUSA XH. HAJRIZI

(E premtja u bë e zezë, por ti je heroi ynë i vërtetë!)

Toka, e, po edhe pluhuri i saj, u gjakos. Të riut herët i erdhi mortja (25). S’e la as edhe një çast të frymonte lirshëm e as të jetonte si ne, ia përpiu jetën si dheu që përpin gjakun e derdhur. Vendi u bë një zezelinë e keqe. E premtja s’ishte aspak më e premte. Ajo u shndërrua në mynxyrë, “e premte e zezë”. Si kurrë ndonjëherë më parë, e solli edhe zinë. E pllakosi zia ngado. Shiu binte dhe përsëritej pandërprerë. Cicërimat e zogjve s’dëgjoheshin se s’dëgjoheshin. Ata kishin marrë një lajm të kobshëm tanimë. Lotët rrëke secilit i shkonin për të dhe rrëke u derdh gjaku i tij. Dita kishte nisur krejt ndryshe. Nuk ishte aspak e zakonshme. Ishte ngrysur e tëra. Gëzimi as që shihej në fytyrat tona më. Dielli s’bënte fare dritë, se drita u asgjësua; u zhduk e s’e pa dot njeri. Një zemër nëne dhe një shpirt babai u zhurit. U bënë shkrumb për djalin që lirisë ia dha jetën dhe që jeta t’u japë fëmijëve të tij dritë, sepse udhëkryqet dhe ecejaket e jetës s’donte të lejonte që t’i çonte ata në një greminë të pafundme. Mjaft u errësua dita. E zezë u bë e ç’u bë se. E kaluar dhembjemadhe, e premtja e 6 tetorit. Krenaria e popullit tim, ti je e përherë do të jesh, o vëllai im! Ti edhe pse na le uratën dikur, të kujtojmë me mall dhe s’do të harrojmë kurrë. Ti s’je veç heroi im, je hero i të gjithëve: i dheut, i popullit, i familjes, i shokëve dhe veçan i tri shkronjave të arta të UÇK-së. Ti je dëshmor i lirisë. Nga lindja deri në vdekje, përgjithmonë me ty! Mos u mërzit ti, kjo s’është letra e fundit. Shpejt do të takohemi përsëri… Unë do të të shkruaj prapë ty më 6 tetor, në “të premten e zezë”. Mirupafshim nesër nga ora 13:00, te varri yt dhe i shokëve dëshmorë!

Stroc, më 5 tetor 2018 Yt vëlla. Mentor Hajrizi

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …