Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka paralajmëruar se aksioni opozitar mund të zgjerohet në protesta më të mëdha nëse vazhdon bllokada institucionale në vend. Ai tha se prania e sotme para objektit të Qeverisë është vetëm një formë simbolike e kundërshtimit, ndërsa paralajmëroi se në ditët në vijim qytetarët mund të mobilizohen në numër më të madh. “Mos të konsiderojnë durimin tonë, mos ta ngatërrojnë atë si frikë”, deklaroi Lushtaku, duke theksuar se opozita, sipas tij, nuk do të qëndrojë indiferente ndaj asaj që e konsideron cenim të Kushtetutës dhe bllokim të funksionimit të shtetit. Ai tha se mbrojtja e institucioneve dhe rendit kushtetues është përgjegjësi e të gjithë atyre që kanë kontribuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Lushtaku e lidhi situatën aktuale politike edhe me sakrificën e qytetarëve dhe luftëtarëve për çlirimin e Kosovës, duke argumentuar se institucionet e shtetit duhet të funksionojnë në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve. Sipas tij, në një Republikë parlamentare qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogaridhënie dhe të kërkojnë nga përfaqësuesit politikë që të marrin përgjegjësitë e tyre. Ndërkohë, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të rikthehet në Kuvend dhe të mundësojë vazhdimin e procesit të konstituimit të institucioneve. Ajo tha se Kosova po përballet me probleme të shumta politike, ekonomike dhe sociale, të cilat, sipas saj, nuk mund të zgjidhen jashtë institucioneve. “Albin Kurti, mos bëj hajgare me besimin e qytetarëve”, tha Bytyqi, duke kërkuar nga mazhoranca që të krijojë institucionet dhe të marrë përgjegjësitë që i janë dhënë përmes votës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
