Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës kanë vazhduar edhe sot aksionin simbolik para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke e zgjeruar kësaj radhe mbështetjen me përfaqësues të institucioneve lokale, asamblistë dhe aktivistë politikë nga Skenderaj e Istogu. Protesta po zhvillohet në kohën kur vendi vazhdon të përballet me ngërçin politik dhe vonesat në konstituimin e Kuvendit, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan nga mazhoranca që të marrë përgjegjësinë dhe të mundësojë funksionalizimin e institucioneve. Nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, tha se përfaqësuesit lokalë janë bashkuar me deputetët për të mbrojtur, siç u shpreh ai, rendin kushtetues dhe demokracinë në vend. Ai kërkoi nga mazhoranca që të reflektojë dhe të përmbushë përgjegjësinë që, sipas tij, ia kanë dhënë qytetarët përmes votës. Nura theksoi se institucionet e Kosovës janë ndërtuar mbi sakrificën e qytetarëve dhe të dëshmorëve të vendit dhe se mbrojtja e tyre, sipas tij, duhet të tejkalojë bindjet partiake. Edhe kryetari i Degës së PDK-së në Burim, Ali Nimanaj, ngriti shqetësimin për pasojat që po shkakton ngërçi institucional, veçanërisht në nivelin lokal. Ai tha se komunat po përballen me vështirësi financiare dhe se projektet kapitale të planifikuara rrezikojnë të mbeten pa u realizuar. Nimanaj përmendi edhe problemet e fermerëve të Istogut, të cilët, sipas tij, ende nuk janë kompensuar për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e viteve të kaluara dhe nga fatkeqësitë e fundit natyrore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
