Mero Baze

Mero Baze: Kah i mori 13 milionë euro kapteri ushtark në pension, Xhafer Isufi, vjehrri i Lulzim Bashës?

Vjehrrit të Lulzim Bashës i takojnë 13 milionë euro për pallatin e prishur. Ndoshta vlera është rritur pak nga Gjykata e Strasburgut, por në mos 13 milionë, 11 milionë ai pallat vlen. Ishte mbi det, në një pozicion fantastik, edhe pse shkatërronte gjithë shëtitoren buzë detit të Vlorës dhe të ofronte komoditetin ta kishe shtëpinë në zemër të një zone turistike.

Kështu që nuk ia vlen të bëjmë debat për drejtësinë e vendimit të Gjykatës së Strasburgut.

Ai pallat afërsisht aq vlen. Është një pasuri konkrete, e prishur nga qeveria për interes publik.

Problemi i atij pallati është tjetërkund, dhe po shmanget qëllimisht nga debati publik. Investitori i atij pallati është Xhafer Isufi, vjehrri i Lulzim Bashës. Xhafer Isufi është një burrë i mirë nga Labëria, ka qenë ushtarak, me profesion teknik ndërlidhës, dhe është liruar nga ushtria në vitet ‘90. Ka punuar një kohë si shef sigurie i kompanisë VEFA, pasi merrte vesh nga radiot, dhe gruaja e tij ishte mbesë e Vehbi Alimuçaj.

Më pas është marrë me punë të vogla për të mbijetuar. Në vitin 2004 ka paraqitur kandidaturën për t’u bërë anëtar i KKRT (sot AMA), në emër të Partisë Socialiste, por nuk fitoi përballë Halil Lalaj. Si gjithë ish- ushtarakët, vjen nga një familje e majtë, me tendenca ekstreme. Xhaxhain e tij e pati arrestuar Sali Berisha si kryetar të një partie komuniste në ilegalitet në vitin 1996. Nuk ka qenë i pasur deri në vitin 2005, kur dhëndri i tij u kthye nga emigracioni dhe u bë ministër.

Në vitin 2009 ai regjistron papritur një shoqëri ndërtimi dhe më 2010 merr leje për të ndërtuar këtë kompleks turistik në Vlorë.

Tani që Vettingu për gjyqtarë, prokurorë e policë ka nisur, tani që po u kërkohet të deklarojnë me çfarë parash kanë blerë mobiljet, kostumet, me çfarë kanë shkolluar fëmijët etj, kryetari formal i opozitës së Shqipërisë ia ka detyrim popullit shqiptar, sidomos atij opozitar, të thotë me çfarë parash, fare papritur, vjehrri i tij nisi një investim, vlera e të cilit në finale shkoi 13 milionë euro. Kjo është shumë serioze. Është sa gjithë buxheti i reformës në drejtësi.

Është provë faktike që vjehrri i tij, nga një  kapter i papunë, u gdhi investitor prej miliona eurosh. I vetmi ndryshim në jetën e tij familjare, ishte se dhëndri i tij u kthye nga emigracioni dhe u bë ministër. Investimi ka nisur një vit pasi Lulzim Basha u akuzua për shpërdorim të 220 milionë eurove në “Rrugën e Kombit”.

Tani nëse në këtë vend do të ketë ndonjëherë drejtësi apo hetim të pasurisë së politikanëve, ky është rasti më përfaqësues, ku duhet të shfletohet çdo faturë, çdo transaksion dhe çdo pagesë që ka prodhuar një pasuri 13 milionë euro për vjehrrin e një politikani të akuzuar për korrupsion.

Lulzim Basha nuk ka lënë gjë pa thënë për kundërshtarët e vet, nuk ka lënë fantazi pa shfrenuar se si ata vjedhin apo pasurohen, dhe mirë ka bërë, nëse e ka bërë për interes publik. Por tani është në një telash të madh. Përpara se qeveria shqiptare t’ia rimbursojë ato 13 milionë euro për vjehrrin e tij, është e domosdoshme që ai vetë i pari të bëjë Vettingun e parave të vjehrrit. Të provojë që vjehrri i tij e ka pasur së paku milionëshin e parë të investimit në atë kompleks turistik nga i cili po përfiton 13 milionë euro nga qeveria shqiptare. Po i lë mënjanë zaptimin e tokës, ndërtimin në det dhe gjithë harbutllëqet e tjera në emër të pushtetit. Po e quaj dhe unë si Edi Rama ndërtim të ligjshëm, edhe pse kam luftuar qysh në themelet e atij pallati, për t’u prishur.

Por paratë duan doemos transparencë. Duan transparencë pasi i zoti real i parave, po përpiqet t’u shfaqet shqiptarëve si kalorës i luftës kundër kriminalizimit të politikës. Rast më flagrant se ky unë nuk di. Nëse ai vërtetë do t’i gëzojë ato para, ai duhet të bëjë vetë i pari Vettingun e pasurimit të vjehrrit, siç po e bëjnë gjyqtarë, prokurorë, policë e kushdo tjetër me pozita publike. Nëse nuk e bën ai, duhet ta bëjë Prokuroria. Gjyqin e ka të fituar, paratë aty janë, mund t’i marrë kur të dojë. Por duhet të provojë se janë të tijat, e jo paratë që ua ka marrë nga xhepat shqiptarëve, duke vjedhur si ministër!

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …