Milaim Isa Krasniqi (25.3.1967 – 12.5.1998)

Milaim Isa Krasniqi (25.3.1967 – 12.5.1998)

Dita e 26 Prillit të vitit 1998 ishte dita më e madhe e datës më e rëndësishme, jo vetëm për Drenocin e Zatriqit, për Rahavecin, për Rrafshin e Anadrinit e për tërë Kosovën, por u bë ‘’Ditë e Madhe’’ edhe ëër historinë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë datë historike për Anadrinin, zë të thehet miti mbi pathyeshmërinë e forcës politike, policore, ushtarake e të spiunazhit serb të instaluar në Kosovë, prandaj kjo mbetet dite kur në Anadrinin e profesor Ukshin Hotit, hapi flatrat Ushtria Çlirimtare e Kosovës, stuhi e Adem Jasharit, zjarr e flakë e Luan Haradinajt; histori kur Drenocit të Mensurit, të Bedrushit, të Fehimit, të Tafilit, të Jusufit dhe të Eshrafedinit (të gjithë dëshmorë të kombit) i shtohen banorë të rinj, sepse mu rrëzë Zatriqit legjendar, zënë të frymojnë lirshëm valvulat e rezistencës së armatosur kombëtare me pushkë e me uniformë, të marshojnë djelmoshat me shqiponjë e me tri shkronja të arta nën komandën ‘’Para Marsho!’’. Dhe pikërisht, këta banorë të rinj të Drenocit morën përgjegjësinë për të bërë kthesa të mëdha historike e për ta hequr qafet turpin e robërisë shekullore të stimuluar me amulinë politike të dekadës së fundit.

Dita e 26 Prillit u bë sa e madhe, aq e rëndësishme, sepse Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Drenoc të Anadrinit vendosi Shtabin Operativ Rajonal për Rrafshin e Anadrinit dhe kështu doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës në tërë Anadrininë. Kjo dalje dhe lëvizjet e patrullave të Ushtrisë Çlirimtare nëpër fshatrat përreth Drenocit e deri në Rrasat e Rahavecit u bënë sinjale u bënë sinjale se forcat serbe do të përballen me një kundërshtar shumë serioz në rrugë, në fusha, në male, në fshatra dhe qytete, u bënë sinjale për kalimin e rrufeshëm prej linjave të gueriles së Anadrinit në zjarrin frontal, se do të zhvillohen betejat e hapura në fronte e në thellësi siç ishte Beteja e Bardhatinit e zhvilluar më 12 maj të vitit 1998 kur ranë dy dëshmorë të parë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit: Milaim Krasniqi dhe Emli Binak Morina, por forcat serbe thehen me turp e me teknikë të paralizuar në Lugjet e Verdha të Bardhatinit.

Milaim Isa Krasniqi është i lindur në fshatin Pastasel të Anadrinit, komuna e Rahavecit, më 25 mars të vitit 1967. Prindërit, Isai dhe Shemsia, bijë e Morinëve të Drinasit, sot nënë e dëshmorit, kishin tetë fëmijë, 4 djem e 4 vajza, e Milaimi i tyre i dashur, ishte djalë i parë. Shkollën fillore, dëshmori Milaim Krasniqi e mbaroi në vendlindje, gjimnazin në Rahavec, ndërsa Shkollën e Lartë të Hotelierisë e përfundoi në Sarajevë. Qysh në moshën rinore, për shkak të kushteve të vështira ekonomike, si shumë të rinjtë anadrinas, që nuk e përthekoheshin me të ardhurat nga vreshtaria, detyrohet ta marrë rrugën e kurbetit. Vendoset me punën në rrethinën e Gracit të Austrisë. Në këtë qytet Milaim Krasniqi, tashmë i pjekur për të bërë jetën e mërgimtarit i bjen të udhëtojë për në Zagreb, Rijekë e Opati prandaj edhe arrin t’i sajojë lidhjet e para me Fehmi e Xhevë Lladrofcin, me Xhelal Hajdën-Tonin, me Gëzim Hamzën – Piktorin dhe me Bekim Berishën – Abenë. Merr pjesë aktive në organizimin e shumë protestave dhe të formave të tjera për manifestimin e revoltës kundër gjendjes në Kosovë. Në vitin 1990 Milaimi është në Krushë të Madhe, prandaj së basjku me djelmoshat të cilëve u priu prof. Ukshin Hoti, më 27 janar niset për në Rahavec ku mbaheshin Demonstratat e Janarit dhe zhvilloheshin përgatitjet që ‘’Flaka e Janarit’’ të ndizet edhe në Rrafshin e Anadrinit. Në këto demonstrata ku bien dëshmorët e parë të Anadrinit, Milaimit i vëhet në ndjekje policia e Rahavecit, prandaj detyrohet për t’u larguar. Strehohet në Shqipëri dhe herë pas here kthehet në vendlindje, por lëviz ilegalisht dhe me një kujdes të veçantë. Pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 Nëntor të vitit 1997, në Llaushë Milaimi gjendet në Drenicë dhe forcon kontaktet me veprimtarët drenicarë në fshatrat: Likoc, Açarevë, Prekaz, Llaushë e Llapushnik, ndërsa më 26 prill të vitit 1998 gjendet në Drenoc të Zatriqit së bashku me Fehmiun dhe Xhevë Lladrofcin. Me Mensur Zyberajn, Bedrush e Fehim Gashin dhe me Osman Zyberajn inkuadrohet në veprimtarinë e formacionit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që përgatitej për të vepruar në fshatrat e Rrafshit të Anadrinit. Bashkëluftëtarëve, me t’u rënë në sy përvoja e madhe organizative dhe operative e Milaimit, e dërgojnë si instruktor në stërvitoren e Zatriqit e më vonë emërohet kryeinstruktor për stërvitjen e luftëtarëve të lirisë në fshatrat: Rudinë, Polluzhë e në Kramavik. Pothuajse nuk ka aksion gueril në Rrafshin e Anadrinit e që mund të mendohej pa planifikimin apo pa pjesëmarrjen e drejtëpërdrejtë të Milaim Krasniqit. Shkëlqeu në shpërthimin e pritës te Ura e Piranës, në aksin rrugor Prizren-Gjakovë më 24 prill.

Karakterizohej si temperament dhe tejet dinamik. Në çdo hap ofensiv apo defansiv, Milaimi gjente vetën. Ishte shumë kooperativ. I kuptonte shokët dhe i donte shumë sepse ishte i formuar në frymën solidarësisë mërgimtare.

Më 12  maj të vitit 1998 Milaim Krasniqi, pas shumë aksioneve dhe betejave, merr pjesë në Betejën e Bardhatinit, në fshatin Bardhatin (ish-Bërtatin), jo larg Drenocit, Pastaselit, Franajakës dhe Drinasit. Kjo është betejë e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit dhe Milaim Krasniqi i Pastaselit është dëshmori i parë i Brigadës 124 ‘’Gani Paçarizi’’ e cila zuri fill në Drenocin e Zatriqit ndërsa u zhvillua në Reti të Anadrinit.

Atë ditë, pra më 12 maj, në një betejë të përgjakshme, përveç dy dëshmorëve të rënë, Milaim Krasniqit dhe Elmi Morinës, plagoset rëndë njëri prej bartësve kryesorë të aktiviteteve organizative të rezistencës së armatosur në fshatrat e Anadrinit, Osman Zyberaj – Baca i Vogël, ndërsa me heroizëm të pashoq në në tërheqjen e të plagosurve u shqua Slajdin Mullabazi – Mici, sot dëshmor i kombit, të cilit, luftëtari më i moshuar i kësaj treve Jusuf Gashi ose Baca i Madh e pagëzon me nofkën luftarake ‘’Mici’’ dhe me këtë nofkë Selajdini edhe e merr përjetësinë së bashku me Xhelal Hajdën më 6 nëntor të vitit 1998.

Fshati Bardhatin, deri më 12 maj të vitit 1998 ishte ndër fshatrat me prozhme të pejzashit më të bukur në tërë Rrafshin e Anadrinit: i vendosur në një luginë të pjesëve veriperëndimore të Rahavecit, një vendbanim i tipit të grumbulluar, i banuar kryesisht prej fiseve Gash e Morinë, por edhe disa familje të kolonistëve aerbo-malazias. Me daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenoc, familjet dhelpërake serbe të Bardhatinit nuk manifestuan ndonjë pakënaqësi, por me skadimin e javës së parë dalin në sipërfaqe problemet e para. Drenoci për t’i lidhur me fshatrat: Drinas, Franajakë, Dejn, Malësi e Vogël e deri në Gardhisht, buzë Drinit të Bardhë e aksit rrugor Prizren-Gjakovë, te Ura e Fshejt duhet të kalojë nëpër Bardhatin, madje bri Mëhallës së Shkijve.

Patrullat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shfrytëzuar udhën rurale prej Drenocit nëpër Krisne e Bardhatin, hasin në pritën e kurthuar prej serbëve lokalë dhe policëve të Rahavecit e cila pretendonte që t’i qepej Drenocit nga ana jugore (Kroni i Demirit e Lugu i Demirit) dhe kështu ta shpartallojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në këtë fshat. Mirëpo,luftëtarët e lirisë, me në krye Milaim Krasniqin, të vendosur për ta shpërthyer korridorin logjistik që Drenocin e lidhte me Drinasin, sistemohet nëpër Shpatin e Krisneve dhe pas thyerjes së pritës hapet fronti në pjesët kah Bregu i Drinit. Në këtë betejë Ushtria Çlirimtare e Kosovës theu mitin se Serbia është e pathyeshme nga se Milaim Krasniqi e Elmi Morina së bashku me petritat e Adem Jasharit arritën për ta thyer hordhinë policore e paramilitare serbe e cila kishte armatosur dhe serbët lokalë. Lufta e Milaim Krasniqit u bë themel për ndërtimin e Shtabit Operativ Rajonal të Anadrinit, ndërsa shembulli i Milaimit u bë sinonim për të gjithë luftëtarët e lirisë të cilët sapo ishin vendosur në fshatin – kazermë Drenoc të Zatriqit.

Rënia e Milaim Krasniqit, së bashku me Elmi Morinën, ishte një humbje e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo në varrimin që iu bë në fshatin e lindjes, pjesëtarët e Ushtrisë edhe një herëu betuan se do ta ndjekin rrugën e dëshmorit të parë, do ta ndjekin shembulin e Tij prandaj edhe dhembja e pikëllimi u shndërruan në krenari e i dhanë forcë edhe më të madhe bërthamës së parë të UÇK-së në Rrafshin e Anadrinit.

Sot, trupi i pajetë i dëshmorit Milaim Krasniqit pushon në Kopshtin e Dëshmorëve të fshatit Rudinë (ish-Pastasel), ndërsa lapidari gjendet në Lugjet e Verdha të Bardhatinit, buzë rrugës e cila flet për Rrugëtimet kah Liria, kah shtetësia dhe kah bashkimi i të gjithë shqiptarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Rifat Xhafer Goxhufi (7.3.1969 - 3.5.1999)

Rifat Xhafer Goxhufi (7.3.1969 – 3.5.1999)

Rifat Goxhufi, i biri i Xhaferrit dhe i Nailes, ka lindur në fshatin Koliq, Komuna …