Ministria e Infrastrukturës prezantoi projektin e Autostradës së tretë në Kosovë, Prishtinë – Gjilan - Konҫul, R 7.1

Ministria e Infrastrukturës prezantoi projektin e Autostradës së tretë në Kosovë, Prishtinë – Gjilan – Konҫul, R 7.1

Sot, Ministria e Infrastrukturës prezantoi projektin e Autostradës së tretë në Kosovë, Prishtinë – Gjilan  – Konçul, R 7.1. Lidhur me rëndësinë e kësaj autostrade, Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, theksoi: “Është kënqësi për mua që të ju drejtohem në këtë takim të rëndësishëm në të cilin po shpalosim disa nga projektet më vitale për ekonominë e Kosovës, me theks në komunën e Gjilanit dhe tërë Anamoravën. Më duhet të theksoj se ky takim konfirmon seriozitetin e Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe lidhmërisë së të gjitha qyteteve dhe vendbanimeve të kësaj ane me tërë Kosovën. Listën e projekteve të mëdha për vendin tonë po e përmbyllim me autostradën Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë në gjatësi prej 50 kilometra, që është edhe arsyeja kryesore e këtij takimi të sotshëm. Tanimë ne kemi dorëzuar në BERZH projektin preliminar si dhe draftin fillestar të Vlerësimit të Ndikimit Shoqëror dhe Mjedisor dhe presim përgjigje pozitive nga ata. Në ndërkohë ne po shqyrtojmë edhe mundësinë e fillimit të financimit të segmentit të parë të ketij projekti gjegjësisht segmentin Prishtinë – Gjilan përmes buxhetit të Republikës së Kosovës, gjë që do të reflektohet në buxhetin për vitin 2017”.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, shprehu falënderimin për Ministrinë e Infrastukturës, përkatësisht ministrin, Lutfi Zharku, për përkrahjen e madhe në investimet infrastrukturore në këto anë. Autostrada e cila u prezantua sot ka një gjatësi 47.1 kilometra, e cila përbëhet prej shtatë segmenteve. Gjerësia e kësaj autostrade do të jetë 32 metra. Në kuadër të këtij projekti do të jenë katër ura. Kjo autostradë do të lidhë koridorin 6, 7 dhe 10. Pjesëmarrës në këtë prezantim ishin kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetari i komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, kryetari i komunës së Kllokotit Sreqko Spasiq, kryetari i komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq dhe kryetari i komunës së Novobërdës, Svetislav Ivanoviq.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …