MKRS e UNDP të gatshme për bashkëpunim në projekte të rinisë dhe të trashëgimisë kulturore

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti në një takim Përfaqësuesen e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP-së) në Kosovë, Maria Suokko, me të cilën bisedoi për politikat dhe programin që MKRS-ja ka për rininë dhe çështjet që kanë të bëjnë me fushën e trashëgimisë kulturore. Ministrja Dumoshi e ka njoftuar përfaqësuesen e UNDP-së, Suokko, për planet dhe synimet që pritet të realizohen nga ana e MKRS-së në këto fusha të cilat UNDP-ja ka interes të veçantë. Ministrja është shprehur se do të angazhohet maksimalisht që rinia e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë të takohen e shkëmbejnë idetë inovative që kanë për avancimin e interesave të tyre, sidomos në edukimin dhe integrimin sa më të madh social të tyre. MKRS-ja do të investojë në krijimin e mëtejmë të hapësirave dhe infrastrukturës së nevojshme që të rinjtë në Kosovë të kenë ku të organizojnë dhe realizojnë aktivitetet e ngjarjet e tyre. Gjithashtu, ministrja e ka informuar për përfaqësuesen Suokko për planet që ka për fushën e trashëgimisë, në plotësimin dhe avancimin e legjislacionit që e rregullon këtë fushë. Ajo tha se MKRS-ja është e interesuar të bashkëpunojë me UNDP-në për zhvillimin e projekteve të cilat mundësojnë mbrojtje më të madhe të monumenteve, objekteve dhe hapësirave të trashëgimisë kulturore. Ministrja e ka falënderuar përfaqësuesen e UNDP-së për mbështetjen e deritashme që kanë dhënë për fushat që i mbulon MKRS-ja duke e mirëpritur gatishmërinë e UNDP-së që të bashkëpunojë edhe në të ardhmen për projektet në fushën e rinisë dhe të trashëgimisë kulturore. Ndërsa, përfaqësuesja e UNDP-së, Maria Suokko, e uroi ministren për marrjen e detyrës dhe e falënderoi për gatishmërinë e ofruar për fuqizimin dhe përkrahjen e rinisë, duke i dëshiruar mbarëvajtje për punën dhe planet që ka për synim t’i realizojë dhe ofroi mbështetjen në këto fusha. Po ashtu, Suokko, theksoi organizata që përfaqëson është e interesuar që fusha e trashëgimisë kulturore në Kosovë të avancohet konform standardeve ndërkombëtare, duke mundësuar identifikimi i objekteve dhe lokaliteteve të reja arkeologjike dhe konservimin e restaurimin e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti reagon ashpër ndaj ndaljeve të shpeshta të energjisë elektrike dhe furnizimit jo stabil

Pas pranimit të shqetësimeve të shumta nga qytetarët rreth furnizimit jo të rregullt me energji …