Elife Podvorica

Mr. Elife Podvorica: Pse u dashka që shqiptarëve t’ iu kushtojë liria më shtrenjtë se të tjerëve?

Monolog…

….Sa keq! Më doli një psherëtimë me vrull derisa po ecja me hapa të shpejtë rrugës gjarpërore malit të Lugmirit! Nja dy vite më parë, këtu ishte e mbuluar gjithçka me kurorat e drunjve të lartë që e bënin aq flladitës ajrin, edhe po të ishte vapë përcëlluese verore! Por, shumica e drunjve nuk janë më! I kanë prerë njerëzit! Secili në mënyrën e vet: dikush me sëpatë e dikush me sharrë! Dhe po qe se vazhdon kështu, edhe pak vjet dhe këtu vërtetë do të ketë vetëm gjarpërinj në rrugët gjarpëruese! Edhe ata të brengosur për arsyen se u janë prishur foletë dhe nuk kanë ku të fshihen më! Por s’kemi  ç’u bëjmë atyre! Ne jemi në siklet për veten tonë! Kemi qëlluar racë që narthim shumë dhe e vetmja mënyrë e ngrohjes në shumicën e rasteve është kjo me dru! Është edhe i vetmi aktivitet fizik i shumë burrave-atyre që i presin dhe i atyre që i çajnë me sëpatë në oborret e tyre! Ndërsa, unë, nga dhimbja që ndjejë në shpirt për drunjtë e zhdukur nga familja e tyre në pyll, mundohem të ndjejë mëshirë më shumë për njerëzit duke i pyetur ata se vitin tjetër, ku do t’i presin drutë!

Veç mos t’u shkojë mendja në drunjtë e Çakorrit, për të cilët po bëhet luftë në Parlamentin e Kosovës! Sepse, në këto momente kur unë po bëj ecejaken time për shtatë palë qejfe, aty po bëhet luftë nga burrat e Kosovës që të shpëtohen 8 200 hektare toke ne kufi me fqinjët tanë shqiptaro-malazeze! Shqiptaro-, sepse menjëherë në hapat e parë që e kalon kufirin dhe del në Mal të Zi, prap janë shqiptare ato vendbanimet! Po, sikur tani, edhe para 100 vjetësh, ishte luftuar njësoj! Nga pala evropiane që t’ua marrë shqiptarëve tokat-Ulqinin me gjithë Malësinë, ndërsa nga pala shqiptare që të mbroheshin ato! Atëherë nuk kishte pasë sukses! Të shohim tash pas njëqind vjetësh, a po munden burrat tanë me sokoleshat e Parlamentit t’ia dalin dhe ta shpëtojnë vendin e tyre pa e shqyer edhe një copë nga ajo-Dardania që është pagëzuar Kosovë nga fqinjët tanë!

Kosovë a Dardani…! E vogël ka mbetë ndër vite! Duke e bërë kështu copë pak e nga pak .Tani, në emër të liberalizimit të vizave! Në shek XXI –shqiptarët duhet të ushqejnë ujqërit përreth me toka buke, për të fituar të drejtën të ecin të lirë! Eu-Eu! Kush e kish thënë që pas gjithë asaj alamet lufte që u bë për çlirimin e saj, ne do të kemi prap luftëra! Një ndër to, si me shkua në vizitë te ndonjë familjar i yni nëpër Evropë, apo si me shku rinia jonë me kry shkollime aty ku ata dojnë!

Cila na qenka frika e Evropës kësaj radhe! Pse Amerika,-Mikja jonë, po na bind se duhet t’i japim edhe 8 200 mijë hektarë për t’u shëtitur nëpër vendet evropiane lirshëm-me paret tona?!

Çfarë lufte duhet të bëjnë politikanët tanë që t’i bindin të dyja palët,-edhe Evropën, edhe Amerikën, që ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë se sërbëve që ua mundësuan ato të shtrenjta viza! Ne shqiptarët nuk jemi më të rrezikshëm se serbët! Ne 100% nuk do të shkaktojmë ndonjë luftë me askë në Ballkan e as më gjërë!

Si t’i bindim këta njërëz se ribashkimi i shqiptarëve nuk do të paraqes as më të voglin rrezik për askë! Përveç mirëqenies se tyre në trojet e veta , ata do të bëhen edhe faktor stabilizues në Ballkan!

Pse politika e BE-së nuk arriti kurrë që ta bind Serbinë për fqinjësi të mirë me shqiptarët duke bashkëpunuar me ta në mënyrë të ndërsjellë në fushat që do të ishte e nevojshme për të dy popujt? Në ekonomi, në turizëm, në zhvillimet e industrisë! Në mënyrë të ndërsjellë , por jo duke na i vjedhur e plackitur lëndët e para siç kanë bërë me minierat tona e që ende nuk dihet se ç’bëhet me to!

Pse nuk mirret Evropa me serbët që t’ua heq sindromin gjenetik që e kanë për të funksionuar mbi kurrizin e popujve të tjerë, sidomos të shqiptarëve? Pse nuk investojnë mund e edukatë , edhe bisedime pse jo-për njerëzit serbe, që ata të bëhen qenie më të sjellshme në rajon dhe mos të shkaktojnë katastrofa humanitare e dëme të pafundme materiale, siç bënë në këtyre dekadave, tek popujt fqinjë të tyre, siç ishin: shqiptaret, sllovenët, kroatët, boshnjakët e maqedonët? A u hoq një pëllëmbe toke nga Sllovenija pse ajo e para deshi të bëhej e pavarur dhe të ndahej nga federata jugosllave? Sa pëllëmbë tokë i fali Kroacia, apo Mali i Zi e Maqedonia, të cilat nga lufta e fundit dolën pa therrë në këmbë? Pse ri-bashkimi shqiptar qenka aq i rrezikshëm për vet shqiptarët dhe për rajonin?!!

Pse atëherë-Europë e Amerikë e dashur, po u kushtoka më shtrenjtë shqiptarëve se të tjerëve Liria?! Në këtë shekull teknologjie, ku gjithëçka po duket dhe po del në shesh, a nuk është koha që në këto proceset politike të rajonit, shqiptarëve t’u dilet hakut dhe të konsiderohen pak më miqë se sa janë konsideruar deri më sot!

Po edhe sikur shqiptarët të bëheshin vet dorëlëshuar për trojet e tyre dhe t’ua falnin të tjerëve , ashtu siç egërsishtë po pretendohet nga të gjitha palët “miqësore”, a thua Bota do ta kishte arritur stabilitetin e saj paqësor midis popujsh e racash?! A do të ishin ata të kenaqur pse raca shqiptare u zhduk nga faqja e dheut? Çka do të përmirësonte kjo në planetin Tokë?!

Këtë nuk mund ta supozojmë askush nga ne! Ajo që mund të konstatojmë tani për tani, është që asnjë shqiptar, i asnjë fushe, nuk është dakord për të marr vizat dhe për t’u shëtitur pragjeve të huaja në kurriz të pragut të vet! Sepse, i mungon modeli për këtë! Hiq nga Evropa! Nga fqinjet e saj: Sllovenia , Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia! Ato patën krejt një tjetër model prej këtij që bota po kërkon nga shqiptarët! ”Sui Generis”!!…

Nuk di ku gjindet përgjigjja e pyetjes sime : Pse nuk na duan ne shqiptarëve askush-as fqinjët tanë e as të tjerët! Apo, për të na dashur duhet t’u hyjmë atyre në hater, duke u dhuruar tokat tona peshqesh??!!…

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …