Mr. Kadri Rexha: AH, SHQYPNI, MOS THUEJ MBAROVA (Pjesa e parë)

(Çast me disa këngë të epikës së Rilindjes kombëtare të interpretuara nga rapsodi i kombit Dervish Shaqa)    


                                


Pas shuarjes me gjak të veprimtarisë dhe të luftës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit populli shqiptar, jo që nuk u dorëzua, por vazhdoi rezistencën aty ku ajo ishte ndërprerë. Lidhja, me veprimtarinë e saj të gjithanshme, tashmë e kishte ngritur në nivel të lakmueshëm vedijësimin, vetëbesimin dhe krenarinë kombëtare. Kryengritësit po e mbanin barutin thatë dhe po përgatitëshin për kryengritjet e ardhshme të një niveli më të gjërë dhe më të lartë. Atdhetarët e palodhshëm e shtuan aktivitetin propagandistik në shumë drejtime. Imperativi i kohës kërkonte bashkimin e popullit pa dallim feje dhe krahine, shuarjen e ngatërresave, faljen e gjaqeve si dhe intensifikimin e veprimtarisë diplomatike në arenën ndërkombëtare. Moto e kohës u bë porosia e madhe e Vaso Pashë Shkodranit: F e j a  e  sh q i p t a r i t 


ë sh t ë  sh q i p t a r i a. Moralisht populli po e merrte vetën. Kënga epike flakë për flakë po i përjetësonte betejat, heronjtë dhe aktet e tyre të larta. Këngëtari popullor me shembull konkret dëshmonte se ai që bie duke luftuar për atdhe nuk vdes, por fiton përjetësinë. Në këtë atmosferë të madhe të Rilindjes Kombëtare populli shqiptar po punonte dhe po ecte përpara me synime të qarta drejt shkëputjes nga Turqia, nga e sëmura e Bosforit, po marshonte me aspirata legjitime drejt Pavarësisë së Shqipërisë.


      Në këtë drejtim as Porta e lartë nuk flinte. Të “shtatë krajlat”, Evropa, Turqinë e kishin mbështetur për muri me kërcënim të qartë: ”a po e shtron, a lëshoma mue”, siç e thotë një këngë e këtij cikli. Ndaj, Turqia po përgatitej që me tërë forcën t’i sulej Shqipërisë me qëllim që çështjen shqiptare ta hiqte nga rendi i ditës. Ekspedita të shumta turke marshuan me zjarr e hekur drejt Shqipërisë. Ekspedita të shumta dogjën e poqën veriun e Shqipërisë e në mënyrë të veçantë Kosovën, djepin e kryengritjeve dhe të luftërave masive shqiptare për liri dhe bashkim kombëtar. Në krye të ushtrisë turke Perandoria vazhdimisht emëroi udhëheqësit më të rryer, më të sprovuar dhe më gjakatar, si Shemsi Pashën, Xhavit Pashën, Turgut Pashën… Luftë në Kaçanik. Luftë në Carralevë. Luftë në Karadak e luftë në Dukagjin. Luftë në Shkup e luftë në Shkodër. Luftë në Boletin e luftë në Himarë. E tërë Shqipëria në kryengritje e në luftë. E tërë Shqipëria  në tym e në flakë. Dhe, më në fund, dhe, më në fund, pas pesëqind vjet luftërash të përgjakshme, pas pesëqind vjet qëndrese të pareshtur të shqiptarëve, në vitin 1912, Perandoria Turke ra dhe u tërhoq zvarrë nga trojet tona, duke lënë prapa një popull të përgjakur, një popull të rënë ekonomikisht, por një popull të fortë në shpirt dhe të fortë në aspiratat e lirisë dhe të bashkimit të kombit dhe të trojeve shqiptare.


      Mbi luftën mbinjerëzore të popullit tonë që e çoi gjysmën e Shqipërisë deri te pavarësia me dokumente të kohës flet historia. Ndërkaq, gjëmën, klithmën, entuziazmin, dashurinë, vullnetin, optimizmin, shpresën dhe shpirtin e pamposhtur të  kombit të atyre viteve të mëdha i gjejmë vetëm në këngën e popullit, në prodhimin e tij spontan, ashtu të thjeshtë, ashtu njerëzor dhe tejet të natyrshëm. Nga kjo prodhimtari artistike e shpirtit të kombit rapsodi Dervish Shaqa për repertorin e vet zgjodhi një numër të konsideruar këngësh, nga të cilat po veçojmë këto: “Bini djem, se mbaroi Juniku”, “S’i  kondisim këtij hyrrjeti”,  “Për vend tonë jem tue luftue”, “Asllan Pasha mbledh vergjinë”,”Na u nis lufta në Kaçanik”, “Në Kaçanik deri n’Boletin”, “Ah, Shqypni mos thuej mbarova”, etj.


 


Na u nis lufta në Junik


 


Me këngën “Bini djem, se mbaroj Juniku” rapsodi Dervish Shaqa evokon rezistencën dhe luftën e Junikut të vitit 1904. Atë vit thuaja të gjitha viset e Shqipërisë veriore i kishte përfshirë flaka e kryengritjeve. Ndonëse kryengritjet e atij viti ende nuk kishin një qendër të vetme udhëheqëse, megjithatë ato i bashkonte objektivi i përbashkët: lufta kundër robërisë turke, lirimi i të burgosurve, kundërshtimi i ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në aplikimin e reformave të reja, si dhe kërkesa për formimin e një Shqipërie autonome nëpërmjet të bashkimit të vilajeteve të Kosovës, të Manastirit, të Shkodrës dhe të Janinës. Në fillim të vitit 1904 qendër e kryengritjes u bë Gjakova, por flakët e saj u zgjeruan në Rekë, në Lumë e deri në Pejë. Rreth 6000 kryengritës të udhëhequr nga Sulejman Batusha sulmojë garnizonin turk dhe marshojnë drejt qytetit. Kryengritësit u ndihmuan nga popullata e Dukagjinit dhe më gjerë(1).  Në rastin konkret kënga epike historike pasqyron artistikisht kryengritjen dhe luftën e Junikut, në të cilën këngëtari popullor e angazhon drejtpërsëdrejti edhe vetë Sulltanin. Analiza e mëtejme e këngës është e tepërt. Ajo me mjeshtërinë e artit flet vetë:


 


                                                  Po pëvet Sulltan Hamiti


                                                  Zo çka ka qi s’po bjen dielli


                                                  Ti Sulltan koke habitë


                                                  Dielli a ra sytë nuk po t’bajnë dritë


                                                  Na u ka nisë lufta n’Junik


                                                  Sylejmani t’madhe briti


                                                  Bini djem, se maroj Juniki


                                                  Kush e nisi luftën ma i pari


                                                  Avdyl Shala, Nezir Hajdari


                                                  Ramë Neziri, Beq Hasani


                                                  Hasan Tahiri, Haxhi Bajrami


                                                  Kush o kanë sokol drangoni


                                                  Met shehit para taborit


                                                  Kush e hoq prej Rogopeqi


                                                  Shaq Avdija Kajtaz Ahmeti


                                                  Iki Pasha koka hip në Sukë


                                                  Koka mbet pa ujë pa bukë


                                                  Pa shejshane pa barut


 


Për të shuar kryengritjen, vetëm në Gjakovë, u dërguan 10 batalione të komanduara nga Shemsi Pasha, i njohur për represalie kundër shqiptarëve, të cilat, në shenjë hakmarrje, bënë kërdi duke plaçkitur dhe duke djegur fshatrat e Dukagjinit.


Kënga “S’i kondisim këtij hyrrjeti”  u bënë jehonë ngjarjeve historike që rrodhën pas riorganizimit të Turqisë dhe shpalljes së Kushtetutës nga Turqit e rinj. Kushtetuta, në fillim, premtoj lëshime dhe të drejta më të mëdha për të gjitha kombet e Perandorisë, premtime këto që qenë afatshkurta dhe që tërheqja e tyre nxiti revolta hala më të madha sidomos në Shqipëri. Dihet se ligjet për më shumë të drejta sidomos në lëmin e kulturës populli ynë i shfrytëzoi me një mençuri të madhe. Aktiviteti i atdhetarëve shqiptarë u manifestua me hapjen e klubeve patriotike, me hapjen e shkollave, me nxjerrjen e gazetave, me unifikimin e alfabetit, e kështu me radhë. Mirëpo klima e këtyre lëshimeve nuk zgjati shumë dhe Turqit e rinj me veprimet e tyre brutale i tejkaluan para ardhësit. Për sjelljet dhe veprimet e tyre Isa Boletini shprehej: “Çka len prej mace, han mi”. Mashtrimit dhe egërsisë së Turqve të ri populli ynë iu përgjigj me revolta të organizuara dhe me kryengritje të njëpasnjëshme. Për një organizim të këtillë dhe për një reagim violent të Stambollit dëshmon edhe prologu i këngës:


 


                                                  Idriz Beka, Halil Mehmeti


                                                  Kanë lidhë besën nërmje veti


                                                  S’i konisim këti hyrjeti


                                                  Tel Stambolli në Pejë ka çue


                                                  Pashabegut i ka kallxue


                                                  Shpejt asqerin me i shtërngue


                                                  Se n’Beleg për me i çue


                                                  Halil Mehmetin me rrethue…


 


Kënga është e gjatë dhe plot aksion, organizime nga të dyja palët kundërshtare, rrethim, mbrojtje, sulm e kundërsulm, ndihma vullnetare nga fshatrat për rreth… Poenta e këngës lidhur me sulmin e Haki Bgut me tri tabore mbi kryengritësit shqiptar në fshatin Beleg të Deçanit jepet përmes përgjigjes dhe vendosmërisë së kryengritësve: “S’i kondisim këtij hyrrjeti”. Ky është argument i mjaftueshëm që e arsyeton ndërmarrjen spektakulare të rrethimit dhe sulmit të ushtrisë turke mbi fshatarët kryengritës. Kënga popullore rezultatin e fitores e sheh në bashkimin dhe në besën e lidhur të kryengritësve:


 


                                                  Besë të madhe kishin pas n’mes veti


                                                  U tha kush, a e kanë ba prej veti


                                                  Jem shqiptar qysh prej fetit


                                                  S’i kondisim këti hyrijeti


                                                  Për këtë luftë si e bamë ksi shteki.


 


Për vend tonë jem tue luftue


 


Ngjarjeve historike të kësaj kohe u bëjnë jehonë edhe këngët e shkëlqyeshme “Për vend tonë jem tue luftue” dhe “Asllan Pasha mbledh vergjinë”, të kënduara mjeshtërisht nga Dervish Shaqa. Ngjarja e këngës së parë zhvillohet në fshatrat e Rekës. Mytesarifi, zyrtar i lartë turk, prefekti i Pejës, me suitën e tij del në vizitë zyrtare në fshatrat e Rekës. Qëllimi i vizitës është nënshtrimi i fshatrave kryengritëse si dhe kërcënimi kundër krerëve kryengritës. Me të shkelë në Rekë i kërcet pushka. Është koha kur Turqisë në tërë Shqipërinë po i digjej toka nën këmbë. Kishin kaluar kohërat kur pashallarët dilnin në vizitë fshatrave dhe krahinave për t’ua shtrënguar hala më shumë prangat e robërisë. I tmerruar nga ngjarja e papritur Pasha ndalet në fshatin Vranoc, në odë të Sylë Rexhës. Qon e i mbledh të parët e Rekës dhe i qorton për pabesinë që iu bë me rastin e vizitës së tij si dhe për pushkët e drejtuara kundër Sulltanit, Turqisë. Paria, përmes fjalës së Kadri Currit, përgjigjet shkurt:


 


                                                  Na shqiptarë jemi qillue


                                                  Për vend tonë jem tue luftue


 


Në përgjigjen e parisë ka vetëdijesim kombëtar, ka revolucionarizëm, ka guxim dhe ka vendosmëri. Pashai, i vetëdijshëm se sahatit të tij allaturka po i ikën koha, del dhe niset andej prej nga kishte ardhur. Por, për fatin e tij të keq, me të hyrë në fshatin Behoc, e presin pushkët tjera:


 


                                                  Te Behoci pushka i krisi


                                                  E rrxoi kali e desh e mbyti


                                                  E rrxoi kali e mbet te vorri


 


Për zyrtarët e lartë situata bëhet shumë serioze. Mytesarifi e kupton se pushtetit të tij mbi fshatrat e Rekës dhe më gjerë po i afrohet fundi. E kupton se fjala e autoriteti i tij e kanë humbur peshën që e ka pasur. Ndaj fillon dhe i zbutë fjalët. Nga pozita e pushtetarit kërcënues kthehet e kërkon mëshirë nga Paria:


 


                                                  Ndore tande Mehmet Gjoni


                                                  Ndore tande n’mujsh me m’pshtue


                                                  Gjallë në Pejë s’po muj me shkue


                                                  Krejt ushtrinë ma kanë farue


 


Urrejtja kundër pushtuesit e ka bërë të vetën. Vegjëlia është e pa kompromis. Organizimi i luftëtarëve të lirisë del në shesh. Pushkëve të fshatrave të parë u bashkohen edhe pushkët e fshatrave të tjera të Rekës:


 


                                                  Paska vetë mytesarifi


                                                  Ç’janë kto pushkë prej Kodradiqi


                                                  Krejt ushtrinë ma kërdisi…


 


Në këtë situatë tragjike për miqtë e paftuar të Rekës gradacionin e rrjedhës së ngjarjes e shpejton e trimi Isuf Musa:


 


                                                  Del Isufi midis livadhit


                                                  Po i bërtet Xhafer Tajarit


                                                  Ç’dreqi t’pruni n’Lugë t’Baranit


                                                  N’Lugë t’Baranit ç’dreqi t’ka prue


                                                  Pse s’ rrin n’Pejë me sundue


                                                  Del në rrethe me tregtue


                                                  Kraht me i pasë me fluturue


                                                  T’gjallë në Pejë s’të lshoj me shkue


 


Myteserifi dhe suita e tij harrojnë misionin për çka kanë dalë në Rekë. Tashti qëllimi i vetëm i tyre është shpëtimi i kokës si dhe kthimi gjallë në Pejë. I ka mbetur vetëm edhe një rrugë, premtimi i shumave të mëdha të myhematit, pasurisë:


 


                                                  Xhafrer Begu i vllai i Hakisë


                                                  Po i çon fjalë Hazir Alisë


                                                  N’mujsh mem pshtue prej komitës


                                                  Prej komitës n’mujsh me m’pshtue


                                                  Myhemat shumë kam me t’çue


                                                 


 


                                          


      Ngjarja e këngës “Asllan Pasha mbledh vergjinë” zhvillohet në fshatin Isniq të Deçanit. Asllan Pasha, sundimtar i lartë turk nga Peja, i shoqëruar me pesë bajraktarë, shkon në Isniq për të mbledhur vergjinë, tatimin. Vetëkuptohet se për fshatarët tatimet ishin të rënda dhe të papërballueshme. Tatime mblidhte qeveria turke. Tatime mblidhnin bejlerët. Tatim paguhej për shtëpi, tatim paguhej për tokë, tatim paguhej për bagëti, për djerrina, për kullota, për mal… Procesi mbledhjes së tatimeve shpesh herë përfundonte me konflikte spontane në mes të fshatarëve dhe tagrambledhësve, por ndodhte që procesi i mbledhjes së tatimeve pritej edhe me rezistencë të organizuar. Për një organizim të tillë rrëfen edhe kënga. Asllan Pasha me bajraktarët hyn në fshatin Isniq. Dhe, ndërmarrja e një pashai në rolin e tagrambledhësit nuk ishte proces i thjeshtë. Në fshat nuk po hynin tagrambledhësit e rëndomtë, as përfaqësuesit e bejlerëve. Në Isniq kishte urdhëruar vetë Pashai i rrethuar me bajraktarë. Pra, vetë lartmadhëria. Pushteti. Në raste të këtilla organizoheshin pritje të nivelit të lartë. Përkulje deri në tokë. Pije dhe ushqim. Dajre dhe festë… Por, kësaj radhe, Isniqi organizon një festë tjetër, një pritje të merituar për rangun e armikut gjakpirës :


 


 


                                                  Kanë krisë pushkët përskej ziti


                                                  Bajraktartë i ka mblu timi


                                                  Kanë krisë tjerat prej çardaki


                                                  Bajraktartë i ka mblu gjaki


                                                  I ka mblu gjaki i kanë gri tanë


                                                  Asllan Pashën rob p’e nxanë…


                                                


 


Në vazhdim kënga popullore pikturon një portet tjetër të Pashait. Krekosja dhe forca e pushtetit në personin e tij kanë rënë. Nuk është më pashai që vranë e kthjellë. Para pezmit, mllefit dhe urrejtjes së fshatarëve ai ndjehet i vogël, i mjerë dhe i pafuqishëm. Tashti është në gjendje t’i dëgjojë me durim ankimet, qortimet dhe akuzat e fshatarëve të zemëruar deri në kulm. Në një moment provon të zbutë zemërimin e fshatarëve duke e paraqitur ndërmarrjen e tij zyrtare si një vizitë miqësore dashamirëse:


 


                                                  Ndore t’juve, more Shalë


                                                  Se s’jam ardhë vergjinë me marrë


                                                  Për ziaret n’kët anë jam dalë…


 


 


Por, një gënjeshtër aq e kulluar e bën situatën dramatike dhe shpërthyese. Kënga me  plasticitet të hollë jep figurën e papërmbajtur të Tahir Dervishit. Me pak fjalë kënga  jep kundërshtitë, mllefin dhe urrejtjen shekullore të fshatarit kundër pushtetit të huaj:


 


                                                  Të madhe briti Tahir Dërvishi


                                                  Asllan Pashës për gjyks ja ngjiti


                                                  Pshtymë e jargë në ftyrë ja çiti


                                                  Pshtymë e jargë në ftyrë ja pshteti


                                                  Mos me m’ardhë Pashë keq prej veti


                                                  Tana trutë celinë t’i treti…   


 


Mbyllja e këngës është shumë e logjikshme. Epiteteve Asllan Pasha, Asllan gusha (grykës, tërpian) kënga popullore ua vë përballë antitezën: “Shtat sahat iu dok Lëbusha”, një rrugë që kalohet për pak minuta. Kthimi i tij në Pejë është i mjerë, kthim i një komandanti që ka pësuar disfatë katastrofale. Qytetarët paraprakisht të njoftuar për pësimin e tij në Isniq, të gëzuar për ndodhinë, si zakonisht i dalin përpara për ta pritur dhe për t’i uruar mirëseardhjen. Asllan Pasha, i turpëruar dhe i dëshpëruar, pritjes madhështore të pejanëve i përgjigjet me këto fjalë:


 


                                                  Sot nuk muj selam m’u dhanë


                                                  Kesh n’Isniq edhe rob jam nxanë


                                                  S’e kanë lanë kurgja pa m’thanë


                                                  Bajraktartë m’i kanë gri të tanë…


 


      Këngët “Për vend tonë jem tue luftue” dhe “Asllan Pasha mbledh vergjinë” janë drama të vërteta. Ndonëse në to pasqyrohen ngjarje lokale, përmes plasticitetit të artit këngëtari arrinë ta sintetizojë për bukuri situatën e kohës, gjendjen revolucionare dhe rezistencën e popullit që sa vinte e shtohej. Këto këngë Dervish Shaqa i përdori si armë kundër pushtetit aktual. Gjendja e fshatarësisë edhe në Kosovë aktuale barazohej me atë të kohës së Turqisë. Armik Turqia, armik Serbia. Me epilogun e këngëve Dervish Shaqa, dëgjuesve të tij, ua tregonte rrugën e lirisë.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …