Brickos

20 vjet nga masakra mizore e civilëve shqiptarë në Mejë të Gjakovës nga forcat policore e ushtarake serbe

MSc. Adem Lushaj: MEJË, VEND I KRIMIT DHE TMERRIT

Ditët e 14 dhe 27 prillit të vitit 1999 ishin ditë tëkrimit kundër njerëzimit. Gjatë këtyre ditëve qenë kryer vrasje më makabre nga kriminelët serbo-sllavë. Këtij gjenocidi nuk i kanë shpëtuar as qytetarët e Junikut dhe të Deçanit. Forcat kriminale serbe nuk kishin kursyer pleqtë, femrat as fëmijët. Viktimat nga këto dy vende janë të shumta, dhjetëra të vrarë e të zhdukur, qindra të plagosur e të torturuar. Qytetarët që kanë qenë dëshmitar të tmerrit të këtyre ditëve, kanë treguar se si forcat serbe më 14 prill 1999 kishin vrarë persona të shumtë, duke dhënë versionin se ishin vrarë nga bombardimet e NATO-s. 

Banorët e Junikut dhe të komunave të tjera, të cilët ishin të strehuar në Junik, më 27 mars 1999 ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Forcat ushtarake serbe kishin dhënë urdhër që sa më parë ta lëshonin Junikun. Një pjesë kishte marrë rrugën drejt Deçanit, kurse pjesa tjetër drejt Gjakovës. Pjesa më e madhe e këtyre banorëve kanë qenë të strehuar nëpër fshatrat e Lugut të Carragojës.

Rrëqethës është rrëfimi i Zoje Krasniqi, e cila tregon për vrasjen e burrit dhe të tre fëmijëve të saj. Ajo ndër të tjera tregon edhe për vrasjen e vjehrrës dhe dhjetëra personave të tjerë, si dhe për plagosjen e saj dhe të tre fëmijëve të tjerë.

Ditën e shtunë të 27 marsit të vitit 1999, diku rreth orës 10.00, erdhi vëllai e na tha se duhet sa më parë t’i lëshojmë shtëpitë. Kemi shkuar këmbë deri tek lagjja “Gaxherri”, aty kemi hipur në traktor të Sadri Shalës dhe kemi shkuar në fshatin Pacaj. Vëllai shkoi në fshatin Sheremetaj. Në fshatin Pacaj kemi qëndruar deri më 14 prill 1999. Serbët kishin filluar t’i djegin shtëpitë në fshatin Dobrosh. Ne, iu bashkuam banorëve që iknin, të cilët kalonin nëpër fshatin Pacaj dhe morëm rrugën për në Sheremetaj. Gjatë rrugës, në fshatin Rracaj, pamë tre policë duke djegur shtëpitë, kështu që nuk bëmë ballë të ndaleshim askund dhe vazhduam rrugën për në Gjakovë. Kur mbërritëm në Mejë u ndalëm për të kërkuar ujë për fëmijët. Aty ndodhi tragjedia jonë. Ende pa zbritur nga traktori kemi dëgjuar zhurmën e aeroplanëve që kanë gjuajtur në afërsi të vendit ku ishim ndalur. Nga shpërthimet  u vranë dhe u plagosën shumë persona. Unë u plagosa rëndë, dhe nga plagët që kam marrë në këmbë dhe kraharor kam humbur vetëdijen. Pos plagëve më janë djegur flokët dhe fytyra. Në mesin tonë kishte shumë të vrarë e të plagosur. Pasi erdha në vete e pashë burrin tim, Shkëlzenin dhe tre fëmijët, Vlorën, Sabrijen dhe Blendin të vdekur. Po ashtu pashë të vdekur edhe vjehrrën, Shkurtën, dhe shumë persona të tjerë përreth. Plagë nga këto bombardime morën edhe dy djemtë e mi, Mehmeti dhe Sundimi, si dhe vajza, Vjosa”, – ka treguar Zoja, që së bashku me dy djemtë dhe disa të plagosur të tjerë ishte dërguar për shërim në spitalin e Gjakovës. Aty kishte qëndruar deri në kohën kur kanë hyrë në Kosovë forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Viktimë e krimit të pamëshirshëm ishte bërë edhe Lendita (Sadri) Shala, e cila ka treguar për tmerrin që kishte përjetuar në ditën kur ishin granatuar në Mejë, për plagosjen e saj dhe të familjarëve. Ka përshkruar mënyrën si ishin vrarë dhe plagosur dhjetëra persona, të cilët ishin të vendosur në traktorin e babës së saj. 

Policia serbe na urdhëroi të largohemi nga fshati brenda një ore. Familja jonë, së bashku me disa familje të lagjes Hoxhaj dhe Maloku, shkuam në fshatin Pacaj. Aty qëndruam deri më 14 prill 1999. Po ashtu, edhe në këtë fshat u krijua një pasiguri, prandaj u detyruam të zhvendoseshim sërish. U nisëm fillimisht në drejtim të Gjakovës e më pas morëm rrugën për Shqipëri. Kur kemi arritur në fshatin Mejë jemi ndalur te një shtëpi për të marrë ujë dhe për të kërkuar ushqim. Pa kaluar tre-katër minuta kemi dëgjuar një shpërthim i fortë që ndodhi afër nesh, duke bërë që të vriten dhe të plagosen të gjithë çka ishim në traktor. Nga lëndimet e marra e kam humbur vetëdijen. Kur erdha në vete pashë të plagosur babanë dhe gjyshin tim, i cili nuk ia doli të mbijetonte edhe përkundër ndihmës së dhënë në spitalin e Gjakovës. Aty mbeti e vrarë gjyshja ime, Ajmone Shala, po ashtu mbeti i vrarë Shkëlzen (Mehmet) Krasniqi me tre fëmijët e tij, Vlorën, Sabrijen dhe Blendin. Të vrarë mbeten edhe Hysen (Ukë) Krasniqi, Rexhep (Adem) Tofaj, Ali (Malë) Krasniqi, Muhamet (Mehmet) Shala, Jakute (Riza) Gjota, Bukurije (Ali) Gjota, ndërsa u plagosën Safet Shala me gruan e tij, Zoja (gruaja e Shkëlzenit) me tre fëmijët, Mehmetin, Vjosën dhe Sundimin. Fatkeqësia nuk kishte përfunduar këtu, sepse pa kaluar shumë kohë kishte ndodhur shpërthimi i dytë, i cili kishte goditur një pjesë të shtëpisë ku ishim të vendosur për të marrë ndihmën e parë. Nga ky shpërthim humbën jetën dhjetëra persona, në mesin e të cilëve ishin edhe dy persona të familjes ku ishim të strehuar. Ne që kishim marrë plagë dhe i patëm mbijetuar bombardimit të dytë, arritëm të dalim nga dritaret e shtëpisë, për t’u fshehur në pyllin që ishte afër. Disa nga të plagosurit u dërguan në spitalin e Gjakovës, ndërsa ne të tjerët kemi marrë rrugën për në Shqipëri, duke kaluar kah fshati Bec”, – ka rrëfyer Lendita.

Safet (Hysen) Shala, ishte njëri ndër të plagosurit rëndë të këtij bombardimi, së bashku me gruan (Valbonën) dhe dy fëmijët (Hyseni 4-vjeçar dhe Elida 5- vjeçare). 

Ishte 14 prill 1999 kur morëm rrugën për Shqipëri. Në traktorin të cilin e vozisja unë ishim mbi tridhjetë persona. Me të mbërritur në Mejë jemi ndalur që të merrnim ujë dhe gjësende tjera. Papritmas ra një granatë në afërsi të traktorit. Aty mbeten shumë të vrarë dhe të plagosur. Unë u plagosa rëndë, deri në atë shkallë sa kam humbur vetëdijen, po ashtu u plagosen edhe gruaja me dy fëmijët, kurse nëna imë (Ajmoni) kishte mbetur e vdekur. As tash nuk e di se kush më ka dërguar në spitalin e Gjakovës, me pas e kanë sjellë edhe gruan time. Me fëmijët jemi takuar pasi kanë hyrë forcat e NATO-s, të cilët janë kthyer nga Shqipëria me kushëririn, Sadri Shala”, – ka treguar Safet Shala.

Florije (Ali) Gjota, në dëshminë e dhënë ka treguar për momentin e plagosjes së saj dhe vrasjen e nënës dhe motrës. 

Më 14 prill forcat serbe filluan ta djegin fshatin Pacaj, nuk kishim zgjedhje tjetër, pos ikjes për në Shqipëri. Me të mbërritur në Mejë, nga bombardimi i tmerrshëm e humbën jetën nëna dhe motra ime (Jakute dhe Bukurije Gjota), po ashtu të vrarë mbetën edhe Ajmane (Shaban) Shala, Rexhep (Adem) Tofaj, Shkëlzen (Mehmet) Krasniqi, Vlora (Shkëlzen) Krasniqi, Sabrije (Shkëlzen) Krasniqi 16-vjeçare, Blend (Shkëlzen) Krasniqi 14-vjeçar, Muharrem (Mehmet) Shala, Shkurte (Ali) Krasniqi, Ali (Malë) Krasniqi dhe Hysen (Ukë) Krasniqi. Po ashtu ndër të plagosurit isha unë, Rrushe (Mon) Gjota, Safet (Hysen) Shala, Valbona Shala, Elidona (Safet) Shala, Hysen (Safet) Shala, Zoje (Adem) Krasniqi, Vjosa (Shkëlzen) Krasniqi, Mehmet (Shkëlzen) Krasniqi, Sundim (Shkëlzen) Krasniqi, Sadri (Muharrem) Shala, Tabe (Sefedin) Shala, Lendita (Sadri) Shala, Selim (Sadri) Shala, etj.

Rrugës në fshatin Bishtazhin na ndaluan dhe na mbajtën 24 orë, pa ushqim e pa ujë. Pas një kohe avionët serbë kanë hedhur bomba nga të cilat u vranë mbi 70 persona. Ne ishim të sigurt se bombardimi ndodhi nga serbët, por ata arsyetoheshin duke thënë se po bombardonte NATO-ja. Për krimin e tyre i akuzonin forcat e Amerikës. 

Pas gjithë këtyre vuajtjeve të mëdha që përjetuam përsëri na kthyen në fshatin Pacaj, ku qëndruam për dy javë. Me 27 prill 1999 ndodhi krimi tjetër edhe më i madh, që përfundimisht u detyruam të shkonim në Shqipëri. Në Mejë forcat ushtarake serbe i ndalën dhe i vranë dhjetëra persona. Disa nga ata që bënin krime ishin, Mushk Jakupi me dy djemtë e tij, (Muharremi dhe Isufi) nga fshati Osek Hile”, – ka thënë Florija, e cila ende bartë në shpirt dhimbjen për nënën dhe motrën, por edhe për të gjithë të tjerët që e patën fatin e njëjtë.

Ramë (Selmon) Maloku nga Juniku, nuk kishte pranuar që kriminelët t’ia marrin djalin nga duart. Ai kishte kërcyer nga traktori dhe ishte përleshur me kriminelët serbë për ta mbrojtur djalin e tij, Artonin. Rama dhe familja e tij i kishte mbijetuar tmerrit të ndodhur në Mejë, mirëpo ai vritet bashkë me djalin dhe dy të tjerë te “Ura e Tabakëve”, në hyrje të Gjakovës.

Përparim (Mustaf) Maloku, i mbijetuari i kësaj ngjarjeje makabre, ka treguar për zhdukjen e kushëririt të tij, Ramës me djalë, si dhe të bashkëvendësve të tjerë. 

Në mbrëmjen e 14 prillit 1999, diku rreth orës 18.00, policët serb i ndaluan Ramë (Selmon) Maloku, Arton (Ramë) Maloku, Nimentullah (Dervish) Miroci, si dhe një burrë nga Pacaj. Fillimisht, serbët e urdhëruan Artonin të zbriste nga traktori, të cilin pasi kishte zbritur nga traktori e rrahën mizorisht. Rama, duke parë gjendjen e djalit ka reaguar dhe pastaj e torturojnë edhe atë sikurse djalin e tij. Pos Ramës dhe Artonit, serbët e ndaluan edhe Nimentullah Mirocin dhe personin nga Pacaj, kurse ne të tjerëve na urdhëruan që ta vazhdojmë rrugën për nga ishim nisur. Trupat e tyre janë gjetur pasi që jemi kthyer nga Shqipëria, në varrezat e Brekocit të Gjakovë”, -ka thënë Përparimi.

Dervish (Jahë) Miroci, ka rrëfyer për kohën e ndalimit dhe për zhdukjen e të birit, Nimentullahut. Derisa po largoheshim për në Shqipëri, te vendi i quajtur ”Ura e Tabakëve”, serbët e armatosur e ndalën karvanin. Aty djalit tim ia morën letërnjoftimin dhe më pas e urdhëruan që të zbriste nga traktori. Pos djalit tim morën edhe persona të tjerë, si: Ramë (Selmon) Maloku me djalin e tij (Artonin) dhe një burrë nga Pacaj. Ne të tjerëve na urdhëruan që të vazhdojmë rrugën për në Shqipëri. Pas kthimit nga Shqipëria e gjeta djalin dhe të tjerët të vrarë dhe të varrosur në varrezat e reja afër Brekocit. Djalin tim e njoha nga rrobat. Me 24 gusht 1999 i rivarrosëm në Junik”.

Krimin serb të kryer në Mejë dhe Bishtazhin të Gjakovës, e kishin përjetuar shumë familje që ia kishin mësye Shqipërisë. Dëshmitarët e shumtë, e që njëherit ishin edhe viktima të këtij krimi, tregojnë për tmerrin që kishin përjetuar gjatë udhëtimit, deri me arritjen e tyre në Shqipëri.

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: Ndërhyrja në Maqedoni të Veriut, e pamoralshme dhe politikisht e dëmshme

Kurrë nuk ka qenë një situatë më dyfytyrëshe sa i përket të kaluarës së lavdishme …