Murad Muhamed Ali (1.3.1969 - 5.5.1999)

Murad Muhamed Ali (1.3.1969 – 5.5.1999)

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e mirëfilltë çlirimtare, misioni i së cilës ishte dekolonizimi i Kosovës dhe largimi prej saj i kolonizatorit serb. Duke qenë çlirimtare dhe me karakter thellësisht human, ajo preku ndërgjegjen e pastër të mbarë botës liridashëse. Kushtrimi universal i lirisë trokiti edhe në ndërgjegjen internacionaliste të të riut nga Algjeria, Murad Muhamed Ali. Ai iu përgjigj me devotshmëri këtij kushtrimi, duke u radhitur në radhët e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës për t’u bërë pjesë e gurë themelit të lirisë së Kosovës, sikurse edhe italiani Francesko Gjuzepe Bider, francezi Pejard Arnaud Pierr e internacionalistë të tjerë të të katër anëve të globit.
Është fakt për keqardhje pse populli shqiptar nuk ka sa duhet informacione për këtë dëshmor lirie dhe për familjen e tij, për prindërit, vëllezërit e motrat e Muradit, të cilët do të meritonin mirënjohje e nderim sikurse familja, prindërit, vëllezërit dhe motrat e çdo dëshmori të lirisë së Kosovës.

Internacionalisti Murad Ali ishte me prejardhje nga Algjeria. Pa dyshim, historia e luftës antikolonialiste e këtij vendi afrikan e kishte kultivuar te ai ndjenjën e fuqishme për të çmuar vlerën e lirisë së popujve, prandaj në këtë ndjenjë do të ketë pasur rrënjët edhe gatishmëria e tij për t’u flijuar për lirinë e një vendi të vogël, por me vuajtje të mëdha, siç ishte Kosova.
Dëshmori Murad Ali kishte qenë ushtar profesionist në radhët e formacioneve legjionare të Francës, sikurse edhe dëshmori Bekim Berisha-Abeja dhe të rinj të tjerë shqiptarë. Kyçja e tij në radhët e UÇK-së, në pranverë të vitit 1999, në kulmin e zjarrit të luftës çlirimtare të saj, pa dyshim kishte inkurajuar luftëtarët shqiptarë, duke shtuar te ata bindjen në fitoren e pashmangshme. Ndjenja se nuk ishin vetëm dhe duke pasur përkrah luftëtarë internacionalistë të gjuhëve dhe ngjyrave të ndryshme, siç ishte Murad Ali, për këta luftëtarë kishte domethënie të veçantë.
Fillimi i prillit të vitit 1999, në kufirin e robërisë në mes tokave shqiptare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë së vitit 1912, u përshkua me intensitet të madh luftimesh. Ishte koha kur gurët e zi të këtij kufiri numëronin ditët para çastit kur do të shkuleshin e të rrokulliseshin drejt parahistorisë së dhembshme të Kosovës. Ky çast arriti më 9 prill në Kosharen legjendare, por lufta vazhdoi edhe më tutje me të njëjtën ashpërsi dhe shembja e kufirit kërkonte më shumë sakrifica dhe gjak çlirimtarësh, në mesin e të cilëve edhe të Murad Muhamed Aliut. Ai ra në altarin e lirisë së Kosovës, më 5 maj 1999 te Rrasa e Koshares.
Flakët e luftës nuk lejuan që bashkëluftëtarët ta tërheqin trupin e Muradit nga vendi i rënies. Më 12 qershor 1999, pasi kolonizatori serb ishte mposhtur duke marrë ndëshkimin historik, trupi i Muradit u varros me nderimin e merituar të bashkëluftëtarëve, në Varrezat e Dëshmorëve në Koshare.
Shembulli i dëshmorit Murad Muhamed Ali do të mbetet shembull i ndritur i internacionalizmit dhe i flijimit për idenë universale të lirisë. Flijimi i tij do të jetë vulë e pashlyeshme e pastërtisë dhe e karakterit internacionalist e human të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …