Nait Hasani rrëfen tmerrin e Masakrës së Dubravës – Njerëzit binin njëri mbi tjetrin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, një nga të mbijetuarit e Masakrës në Burgun e Dubravës, ka rrëfyer momentet dramatike dhe të dhimbshme që ka përjetuar gjatë luftës në Kosovë. Hasani kujtoi se rreth 600 të burgosur ishin nën sulm të vazhdueshëm me armë zjarri, duke e përshkruar situatën si një nga përjetimet më të rënda të jetës së tij. “A ka më rëndë se kur i sheh njerëzit duke rënë njëri pas tjetrit, të mbuluar nga gjaku dhe tymi? Kur i vdekuri e mbulon të gjallin?”, rrëfeu ai, duke përshkruar skena tronditëse nga burgu i Dubravës. Shumë të plagosur mbeteshin pa trajtim mjekësor dhe humbnin jetën në mungesë të ndihmës, ndërsa të mbijetuarit përballeshin me tmerrin dhe pasigurinë për çdo moment. Ai ndau edhe rrëfimin prekës për bashkëvuajtësin Ferit Tafallari, i cili i kishte kërkuar që, nëse dikush mbijeton, t’i njoftojë familjen se kishte vdekur. Hasani theksoi se përveç dhimbjes fizike, më e rëndë ishte barra psikologjike për t’u dhënë shpresë të tjerëve në një situatë ku shpresa pothuajse nuk ekzistonte. Rrëfimi i tij rikthen në vëmendje një nga episodet më të rënda të luftës në Kosovë, duke nënvizuar nevojën për kujtesë dhe drejtësi për viktimat e krimeve të luftës.

Kontrolloni gjithashtu

Sqarim nga Radio Kosova e Lirë

Drejtoria e Radios Kosova e Lirë njofton opinionin publik se nuk është dhe nuk ka …