Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës, Instituti i Kulturës së Hungarisë dhe Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart organizuan një veprimtari kulturore kushtuar promovimit të veprave të profesor Ahmet Qeriqit, personalitet i shquar i kulturës, arsimit dhe çështjes kombëtare shqiptare.
Tubimi u moderua në mënyrë profesionale dhe me emocione të veçanta, në gjuhën shqipe dhe gjermane, dhe në gjuhën hungareze u interpretuan vargjet e Petőfi Sándor, SZABADSÁG, SZERELEM, (LIRIA DHE DASHURIA) nga Naser Vrella, i cili i dha aktivitetit një dimension të veçantë kulturor dhe komunikues.
Programi artistik u hap nga pianistja Adelina Ushaku Hashani, e cila interpretoi himnet kombëtare të Hungarisë dhe Kosovës, duke krijuar një atmosferë solemne dhe festive.
Drejtori i Institutit të Kulturës së Hungarisë në Stuttgart, z. Dezső, pasi përshëndeti të pranishmit, u shpreh se ndihej i nderuar që një profesor nga Kosova kishte përkthyer në gjuhën shqipe vepra të autorëve hungarezë. Ai theksoi se kjo ishte një befasi shumë e këndshme dhe falënderoi familjen e profesor Ahmet Qeriqit, e cila kishte ardhur enkas nga Kosova për ta madhështuar këtë veprimtari.
Konsulli i Përgjithshëm i Hungarisë, z. Isak András, në fjalën e tij theksoi se “asnjë gjuhë nuk mund të mësohet pa dashuri për të”. Ai falënderoi profesor Ahmet Qeriqin për përkushtimin e tij në përkthimin e veprave të filozofëve dhe autorëve hungarezë në gjuhën shqipe, duke vlerësuar se ky kontribut ka afruar edhe më shumë popullin shqiptar me atë hungarez.
Drejtoresha e Radios “Kosova e Lirë”, znj. Arbana Qeriqi, me një fjalim të mbushur me emocione, foli për krijimtarinë dhe veprimtarinë e profesor Ahmet Qeriqit, si dhe për historinë e marrëdhënieve të mira ndërmjet popullit shqiptar dhe atij hungarez.
Në emër të Institutit të Kujtesës Kombëtare Shqiptare, Imer Lladrovci, ish-shef i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Stuttgart, falënderoi drejtuesit e Institutit të Kulturës së Hungarisë dhe Konsullin e Përgjithshëm për mbështetjen dhe organizimin e këtij aktiviteti. Në veçanti, ai falënderoi fëmijët e profesor Ahmet Qeriqit dhe të gjithë pjesëmarrësit që kishin ardhur për të nderuar jetën, veprën dhe kontributin e tij pikërisht në Ditën e Çlirimit të Kosovës.
Lladrovci theksoi se profesor Ahmet Qeriqi ishte frymëzim për brezin e tij, është frymëzim për brezin e sotëm dhe do të mbetet frymëzim edhe për brezat që do të vijnë, si shembull i përkushtimit ndaj dijes, kulturës dhe lirisë së popullit shqiptar.
Antigona Qeriqi, vajza e profesor Ahmet Qeriqit, falënderoi Institutin e Kulturës së Hungarisë dhe Institutin e Kujtesës Kombëtare Shqiptare për organizimin e këtij promovimi. Ajo paraqiti në mënyrë kronologjike jetën, veprimtarinë dhe krijimtarinë e babait të saj, duke zgjuar interesim dhe vëmendje të veçantë te të pranishmit.
Në pjesën artistike të programit, Delina Hajra Gashi, e shoqëruar në piano nga Adelina Ushaku Hashani, interpretoi vepra të muzikës klasike nga autorë me famë botërore, si dhe kompozime të autorëve shqiptarë, të cilat u pritën me duartrokitje të ngrohta nga publiku.
Në emër të familjes Qeriqi, Epir Qeriqi ndau dhurata simbolike për organizatorët, në shenjë mirënjohjeje për përkushtimin dhe organizimin e këtij aktiviteti.
Me këtë rast, Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart nderoi me mirënjohje znj. Arbana Qeriqi, kryeredaktore e Radios “Kosova e Lirë”, për kontributin e saj të çmuar në informimin dhe ruajtjen e vlerave kombëtare. Mirënjohja iu dorëzua nga Ylber Gega, djali i atdhetarit Hysen Gega.
Pas përfundimit të programit, të pranishmit patën mundësinë të shijonin ushqime tradicionale shqiptare të përgatitura nga familjet shqiptare, si dhe verëra e pije nga Kosova, duke e përmbyllur mbrëmjen në një atmosferë miqësore, vëllazërore dhe plot respekt për vlerat kombëtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
