Pas miratimit të deklaratës së Kuvendit të Kosovës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, ka reaguar Nasim Haradinaj, i cili ka kërkuar nga institucionet që deklaratat politike të shoqërohen me veprime konkrete. Duke folur në “Kosova Live”, Haradinaj tha se dokumenti i miratuar nga Kuvendi nuk ka vlerë, nëse pas tij nuk ndërmerren hapa konkretë institucionalë. Sipas tij, miratimi i deklaratës nuk duhet të shërbejë si zëvendësim për veprimet që, siç u shpreh, kërkohen në këtë situatë. “Deklarata, nëse pas kësaj s’ka veprim konkret, është kurgjo hiq”, deklaroi Haradinaj. Ai kritikoi njëkohësisht pozitën dhe opozitën, duke shprehur dyshimin se përmes deklaratave mund të fitohet vetëm kohë, pa u ndërmarrë hapa të mëtejshëm. “Pallavra për me marre e me fitu kohe. Këtu me len me mendu se ka seriozitet as pozita e as opozita”, tha ai. Haradinaj paralajmëroi se qytetarët, sipas tij, nuk do të qëndrojnë më pasivë nëse institucionet vazhdojnë të kufizohen vetëm në deklarata. “Kjo masë e njerëzve s’ka me nejt mo duar kryq”, u shpreh ai. Në këtë drejtim, ai kërkoi që institucionet të kalojnë menjëherë nga deklaratat në veprime. “Mos të bojnë fare deklarata, veç le të hyjnë direkt në veprim”, tha Haradinaj. Ai foli edhe për përdorimin politik të çështjes së ish-krerëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së, duke kërkuar që tragjedia e njerëzve që ndodhen në Hagë të mos përdoret për interesa politike apo për ngritje dhe marrje të pozitave.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
