Ndue Dedaj: Kur vret në kufi polici grek i BE-së

Për shqiptarin, kufiri, fatal dhe i përgjakur, i pamëshirshëm dhe tragjik, nuk ka qenë vetëm ai i shtetit të tij, në një të shkuar jo të largët. Teksa je duke shkruar disa radhë të një recense kushtuar romanit “Kufiri” të shkrimtarit Preç Zogaj (njëherësh politikan që merret me komisionin parlamentar të punëve të jashtme), vepër artistike që i referohet asaj kohe, nuk mund të mos tronditesh thellë nga lajmi më i fundit: Një emigrant shqiptar, nga një fshat i Peshkopisë, është vrarë nga një e shtënë arme e një polici grek në kufi. 
Mendimi i trishtë i shqiptarit, qoftë dhe pas një rasti të tillë “sporadik”, nuk mund të mos shkojë larg. Çfarë ka ndodhur e ndodh kështu me kufijtë e tij? Ç‘mallkim pati rënë mbi të, që Fuqitë e Mëdha ia copëtuan kufijtë njëherë e një kohë, e që ende ai, nuk është gjithkund zot në kufijtë e tij? Që diktaturat i kthyen në “flakë e barut” ato kreshtat kufitare, po që as demokracitë nuk kanë mbaruar punë me kufijtë e shqiptarëve dhe për shqiptarët, duke prodhuar sërish viktima e dëshmorë ndër ta? A pati rënë më të vërtetë më 1989-in ai “Muri i Berlinit”, kudo ku ranë regjimet komuniste të Lindjes, apo diku ai “mur” mbeti i parrëzuar, tinëzar dhe vrasës…? 
Autoritetet greke premtuan se atij polici do t‘i jepet një dënim shembullor, por edhe nëse kjo ngjet, a do të jetë dënimi i tij, i një polici, zgjidhja finale e një problemi që nuk ka gjetur e nuk po gjen zgjidhje, jo vetëm në kufirin grek, por dhe tjetërkund në këtë rajon. Qytetari shqiptar, i ballafaquar shpesh me situata të tilla kritike, dëshpëruese, nuk ka si të mos mendojë se në kufi nuk vritkan vetëm diktaturat, por dhe demokracitë. Edhe uniforma shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kursyekan dorën vrasëse për hiçgjë. 
Si mundet që një patrullë e policisë kufitare të bëjë dhe ekzekutorin? 
Mbi cilën të drejtë ndërkombëtare? 
Kjo është një tragjedi e disafishtë, sepse vritet një njeri, një i pafajshëm, një punëtor emigrant, lehtësisht i lexueshëm si i tillë, në një vend ku ndodhen gjysmë milioni si ai. Vritet si të thuash për “procedurë”, për dokumente të munguara, për pamundësi të funksionimit normal të një rregulli ndërshtetëror (ndërkufitar) për lejekalimet, qofshin ato dhe të rastit apo të paligjshme. Vritet një njeri që mund të verifikohej, këshillohej, e shumta të gjobitej dhe të kthehej mbrapsht. Vritet, sepse dinjiteti i tij si emigrant nuk ka kurrfarë çmimi apo vlerësimi, jeta e tij nuk është e garantuar as sa ajo e një të mbylluri në qeli me dënim të përjetshëm. 
Ai emigrant, që nuk rron më, nuk ishte një terrorist, nuk kishte asnjë plan për të vrarë Kryeministrin e Greqisë. Për të vendosur ndonjë bombë në Parlamentin grek. 
Për të kryer ndonjë atentat mbi civilë apo ushtarakë. Nuk ishte i shpallur “non grata”. Nuk punonte për “llogari” të asnjë të keqeje mbi këtë tokë. Një dorë para të fituara me mundim për familjen e tij të varfër në këtë dimër, do të ishte gjithë “misioni” i tij, tanimë i pamundur. 
Ashtu siç nuk ka pasur asnjë qëllim të keq ndaj shtetit grek ai sportdashësi shqiptar, që u vra barbarisht në të dalë të stadiumit, në një kafene të Athinës, vetëm sepse guxoi në vendin ku rronte dhe punonte, të duartrokiste ekipin shqiptar që kishte fituar ndeshjen e futbollit përballë ekipit grek. Emigranti dibran, baba i pesë fëmijëve, u vra nga urrejtja e vendit fqinj, përderisa nuk është e largët koha kur kemi dëgjuar videot me këngë ultranacionaliste të ushtarëve grekë, që donin t‘u pinin gjakun “armiqve” imagjinarë, domethënë shqiptarëve. Ashtu e mësonin ata artin ushtarak prej komandantëve të tyre! Apo përderisa në policinë greke janë bërë veprime të paligjshme me të ndaluarit emigrantë, rrahje të dhunshme dhe depersonalizim i tyre. Është ende e freskët ngjarja e fundit, ku dy emigrantë, një grek dhe një shqiptar, ishin vënë të qëllonin me grushte njëri-tjetrin brenda mureve të policisë greke. “Shaka” të tilla nuk thonë gjë tjetër, veçse racizmin shtetëror grek ndaj shqiptarëve të pambrojtur, në vendin me “yllin” e ndritur të BE-së. 
Memoria ballkanike është e ngarkuar me ngjarje të tilla si ajo e vrasjes së emigrantit dibran, që do të thotë se nuk përbëjnë me episode të shkëputura, por një dukuri të rrezikshme në kohë moderne. Kufiri vret me gjakftohtësi. Kufiri nuk të fal. Kufiri të vret sidomos po qe se je shqiptar. Sepse psikoza policore (jo vetëm në Greqi) është e ngarkuar me agresivitet, urrejtje, qysh nga kohë të hershme e deri vonë, kur megafoni i çartur i atij priftit shovinist shfrynte urrejtjen mbi shqiptarët. Asnjë test logjik, politik, juridik nuk të bind në pafajësinë apo “drejtësinë” e atij policit që qëlloi mbi shqiptarin në kufi. Asnjë vetëavokati nuk e çliron vetë shtetin e atij polici nga përgjegjësia e rastit. Nuk ishte një veprim i një njeriu anormal, që nuk dinte se ç‘bënte, por e një ushtaraku me uniformë. Është përgjegjësi dhe e vetë Bashkimit Evropian, që nuk ndihet kur një ushtarak i një shteti, pjesëtar i tij, ndëshkon një emigrant të pafajshëm duke i marrë jetën, atë të drejtë që nuk e ka më asnjë gjykatë evropiane. Ekzekutim pa ligj, pa gjyq, në mes të pyllit. Si në Mesjetë. 

Është tronditëse dhe e pashpjegueshme për këtë stad zhvillimi, që urrejtja të jetë e instaluar në segmente ushtarake dhe policore të shtetit. Për shumëçka, por dhe për atë që ende qytetarët ndikohen nga psikologjitë dhe sjelljet e shteteve të tyre. Pasi po atë ditë, të enjten e javës së kaluar, kur u vra Ilmiu (emigranti) në kufi, u vra dhe një tjetër shqiptar në Kretë, edhe ai nga një shtetas grek, kësaj here pa uniformë. Në këtë rrafsh tingëllon si shumë e largët, si shumë cinike ajo puna e lëvizjes së lirë të shtetasve të bashkësisë evropiane, cep më cep kësaj perandorie të demokracisë, kur ende kjo lëvizje është e paragjykuar dhe e ndëshkuar mes vetë fqinjëve. Nuk dimë që ndonjëherë shteti grek të jetë penalizuar nga organizmat ndërkombëtarë, evropiane, për këso vrasjesh të shqiptarëve. Nuk dimë që forumet e të drejtave të njeriut të kenë lëshuar ndonjë mesazh, protestim a promemorie. Përkundrazi, shpeshherë ka qenë vetë opinioni qytetar grek i emancipuar që ka reaguar publikisht ndaj krimeve të tilla, që ka protestuar dhe në rrugët e Athinës, por kjo nuk e ka bërë, megjithatë, policin grek ta ndalë dorën vrasëse në kufi. Që më në fund, kufiri, në një shoqëri moderne, të këtë një tjetër kuptim e status nga kufiri ndarës, përçarës dhe i përgjakshëm i kohës së Luftës së Ftohtë. 

Të bën përshtypje dhe reagimi shpesh i mefshtë i strukturave tona shtetërore, atyre diplomatike apo të punëve të brendshme. Nuk zgjidhet kjo dramë e përsëritshme me fjalë të “kujdesshme”, për të mos prishur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, interesat strategjike etj. Nga një urrejtje e fshehtë, duket se burojnë të gjitha dhe ato radhët e gjata të emigrantëve shqiptarë në Kapshticë apo Kakavijë, grisja e pasaportave të emigrantëve shqiptarë nga policia greke, shtrëngimi për ndërrimin e emrave vetjakë dhe konvertimi i tyre në emra “grekë” etj. Së fundi, nuk do të ishte normale që organizmat ndërkombëtarë të mos shohin përtej rastit, por në gjëmën “rast pas rasti”, që në njëfarë mënyre do të thotë se Ballkani ende vazhdon të jetë i ngujuar në kufi, në kufijtë e tij ndërshtetërorë, kur vetëm para pak ditësh u vranë 6 shqiptarë në kufirin Kosovë – Maqedoni. (S‘)është e habitshme se si gjatë ndjekjes së një njeriu për tre vjet me radhë, vriten vetëm shqiptarë, siç shkruante një analist. Ndoshta ka lidhje, ndoshta nuk ka, mes vrasjes së emigrantit shqiptar me këto vrasjet e tjera në kufi a buzë kufijve, në këtë rajon, ama nuk është e rastit që vrasjet më së shumti ngjasin në kufi dhe ata që vriten janë shqiptarë!… Këto sigurisht që nuk janë punët e qytetarëve të thjeshtë, as shqiptarë, as grekë dhe as maqedonas, por të politikës dhe diplomacisë, që retorikat për liritë dhe të drejtat e njeriut e kanë të fisme, kurse terrenin praktik të zbatimit të këtyre lirive dhe të drejtave, gjithnjë të rrezikuar. Si të jetë vend i BE-së, si të mos jetë…

Kontrolloni gjithashtu

Më 16 maj 1999, në rrethana ende të pa ndriçuara është zhdukur nga forcat serbe, veprimtari kombëtar, Ukshin Hoti

Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti ka lindur më 17 Qershor të …