Agron Rrahmani

Në 18-vjetorin e rënies përkujtohet dëshmori i kombit, Agron Rrahmani

Në 18-vjetorin e  rënies  së dëshmorit të kombit, Agron Rrahmani, sot në orën 12.00 në Ballofc të Besianës  do të përkujtohet  nga familjarët, bashkëveprimtarët, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të tjerë nga Llapi dhe vise të tjera të Kosovës . Agron Rrahmani  18 vite më parë  u vra nga forcat serbe në një bazë në Prishtinë, në lagjen e Muhaxhirëve, më 12 maj të vitit 1998. Në nderim të jetës dhe veprës heroike të dëshmorit të kombit, Agron Rrahmani, në këtë përvjetor do të mbahen homazhe tek vendi i rënies në Prishtinë dhe te varri i dëshmorit në vendlindjen e tij në Ballofc të Besianës, si dhe do të evokohen kujtime për jetën dhe veprën e lavdishme të  tij. Agroni ishte pjesëtarë i gueriles së UÇK-së që vepronte në Llap, Prishtinë e gjetiu. Duke i vlerësuar aftësitë e tij organizative dhe interesimin e tij në fushën ushtarake, Agroni u emërua komandant i njësitit gueril, “Rexhep Mala”, njësitit të parë në kryeqytet, të formuar nga Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

Përveç kësaj, ai u ngarkua me detyrë që ta realizojë edhe qendrën stërvitore dhe t`i përgatitë liridashësit për t’u përballur me sukses nëpër betejat që i prisnin. Nga kjo qendër e stërvitjes hynë e dolën qindra luftëtarë, të cilët më pas ata u dalluan nëpër beteja në luftën tonë çlirimtare. Kjo qendër pas rënies heroike të tij, do të merr emrin “Agron Rrahmani”, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e madh që dha komandanti.  Ai u vra në dyluftim me forcat e okupatorit serb të cilët kishte kohë që i kishin rënë në gjurmë veprimtarisë atdhetare të tij dhe e përcillnin në çdo hap. Edhe pse Agroni ishte i vetëdijshëm për këtë për asnjë çast nuk e ndali veprimtarinë e tij atdhetare deri në ditën e rënies heroike të tij. Po ashtu pak ditë më parë bashkëveprimtari i tij Bahri Fazliu ra heroikisht në tre kufirin Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi. Agroni me shokë, me jetën e tyre na hapën rrugën për të ecur më lehtë tani ne drejt bashkimit kombëtar. Andaj ne duhet të korrim dhe mbledhim djersën e veprës së tyre, në mënyrë që ta nderojmë me punën tonë gjakun e dëshmorëve.(M.K.)

Kontrolloni gjithashtu

Specialja lehtëson masat për një vizitor të HashimThaçit, kufizimet mbeten për 10 të tjerë

Në gjykatën speciale në Hagë, është marrë vendim që vetëm njërit prej 11 personave t’i …