Branko Manojllovski

Në Gostivar u përurua libri: “Reka e Epërme dhe fshati Kiçinicë”, i autorit Branko Manojllovski

Në ambientet e Këshillit të Komunës së Gostivarit më 11 shtator u promovua libri “Reka e Epërme dhe fshati Kiçinicë” i autorit Branko Manojllovski.

Në cilësinë e nikoqirit, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta vlerësoi lartë librin dhe kontributin e dhënë nga Branko Manojllovski në drejtim të vetëdijesimit të banorëve të Rekës së Epërme për origjinën e tyre shqiptare. “Ishte dëshirë shpirtërore e mixhës Branko që të botonte dorëshkrimet e veta mbi Rekën e Epërme dhe fshatin Kiçinicë. Pasi është banor i Gostivarit, ia plotësuam dëshirën që promovimin e librit ta fillojë nga këtu. Rekasit kanë dhënë kontribut të madh nga koha e Rilindjes Kombëtare në të mirën e shoqërisë shqiptare. I pari nga rilindasit kombëtar nga Reka është Josif Bageri që la pas vetës dorëshkrime në gjuhën shqipe, dhe i dyti është axha Branko i cili gjeneratave të ardhshme ua len një dokument të rëndësishëm për historinë e Rekës së Epërme”, i shpreh kryetari Nevzat Bejta, i cili me këtë rast falënderoi Shoqatën Kulturore të Rekës së Epërme për angazhimin e treguar në organizimin e promovimit të librit.

I pranishëm në këtë eveniment ishte edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili para të pranishmëve mbajti një fjalim rasti. “Vendbanimi nga vijë unë tradicionalisht miqësi ka pasur me Rekën e Epërme. Që në moshë të vogël jam rritur me njohuri mbi Rekën. Zajazi ka marrë pjesë në dasmat e Rekës dhe pa lodrat e Zajazit nuk janë bë dasmat. Me familjen e axhës Branko njihemi që para 80 vitesh. Ku u njoha xha Brankon. Vendoset përmendorja e Josif Bagerit, kryetari i Komunës ma dha listën me donatorët, në mesin e tyre e lexova edhe Branko Manojllovskin. E thirra Nevzat Bejtën dhe e pyeta se kush është ky. Ka gati 10 vite kjo punë. Nevzati mu përgjigj që e njihte dhe bashkë me Izet Mexhitin e kishin vizituar në Çikago të Amerikës. Xha Branko është njëri prej kontribuuesve më të mëdhenj për ta thënë të vërtetën mbi shqiptarët e krishterë në Maqedoni. Ato janë vëllezërit tanë të një gjaku. Gjaku nuk bëhet ujë dhe gjaku nuk pihet”, tha mes të tjerash Ahmeti.

Recensuesja e librit, Arjeta Kadriu deklaroi që libri “Reka e Epërme dhe fshati Kiçinicë”, i autorit Branko Manojllovski paraqet një libër të karakterit biografik dhe përshkrues, dhe se autori shërbehet me kujtesën e tij mbi zhvillimet në periudha të ndryshme në krahinën e Rekës së Epërme.  “Fillimisht autori përqendrohet në përshkrimin e historikut te vendlindjes se tij, fshati Kiçinicë, me pas përshkruan hollësishëm vendlindjen e tij fshatin Kiçinicë, duke u përqendruar në veshjen, traditat e dasmave, të varrimeve dhe vlen të theksohet se libri vë në pah se gjuha që gjithnjë njihte dhe fliste Reka e Epërme, ishte vetëm gjuha shqipe. “Rekasit e epërm kuvendonin shyp, vajtonin shyp, ondronin shyp, kindonjin shyp”. E vetmja gjuhë që ato kanë folur që nga ekzistimi e deri më sot ishte edhe është Gjuha shqipe”, tha Kadriu.

Redaktori i librit, Driton Zenku mes tjerash theksoi që axha Branko porosinë që e dha para plotë 5 vitesh, deshti që ta shkruaj dhe fjala e tij të ngelet si një dokument.

“Rëndësia e librit është jashtëzakonisht e madhe nga fakti që pasqyron dhe jep fakte të pakontestueshme mbi të kaluarën e Rekës së Epërme. Ky libër sot në të ardhmen do të bëhet objekt studimi për historianët, gjuhëtarët, etnologët dhe hulumtuesit shkencorë të sferave të ndryshme. Libri nuk përmban citime dhe fusnota, por si libër besoj dhe shpresoj do të citohet nga literatura e ardhshme shkencore, sepse, paraqet një histori reale që hedhë dritë mbi shumë mistere të kohës që përfshinë të kaluarën dhe të tashmen e Rekës së Epërme”, shtoi Zenku.

Të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi për pjesëmarrje, autori i librit Branko Manojllovski.

“Këtu gjendet edhe nipi imë Branisllav Sinadinovski me gruan e tij, Gordanën. Këtu janë edhe anëtarë të tjerë të familjes sime. Janë kunata ime dhe mbesa. Me fjalë tjera plasi akulli dhe tash ato janë me mua, sepse e kuptuan se e them të vërtetën. Kryetari Ali Ahmeti dhe kryetari Nevzat Bejta janë dy fletët e mi, dhe kur i shoh ato unë fluturoi si shqiponja dhe kaloi Korabin me vrap. Me nder qofshi”, u shpreh autori Branko Manojllovski.

Kryetari i Shoqatës Kulturore “Reka e Epërme”, Xhelil Rufati pasi përshëndeti të pranishmit, shprehu respekti për Branko Manojllovski i cili mori guximin të realizon një vepër e cila mund të quhet një monografi e vogël për Rekën dhe fshatin Kiçinicë.

“Axha Branko e theu akullin për të shkruar një vepër e cila neve na pasurin fondin e librave të cilat janë shkruar për Rekën e Epërme”, shtoi Rufati.

Të pranishëm në këtë eveniment ishin edhe zëvendëskryeministrat Festim Halili dhe Arbër Ademi, ministrat Shiret Elezi, Driton Kuçi, Valdet Xhaferi, Pishtar Lutfiu dhe Bashkim Ameti, zëvendësministra të kabinetit qeveritar, deputetë, drejtues institucionesh, si dhe shumë mysafirë të ardhur nga qytete të ndryshme të Maqedonisë.

Promovimi i librit i cili është në tre gjuhë (shqip, maqedonisht dhe anglisht), u përmbyll me një koktej rasti në oborrin e Komunës së Gostivarit. (Tetova Sot)

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …