Në Polac është vënë gurthemeli i fabrikës për përpunimin e mishit Weng Fat Poultry

Në Polac të Skenderajt është vënë gurthemeli i Fabrikës për përpunimin e mishit, investim ky gjermano-holandez. Në një ceremoni të organizuar më këtë rast kanë marrë pjesë Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli, Nënkryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura, ministrat Memli Krasniqi e Blerand Stavileci, investitorët nga Gjermania dhe Holanda, deputetë të Parlamentit të Kosovës, këshilltarë komunalë, përfaqësues të Odes Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe asaj të Kosovës, si dhe përfaqësues të bizneseve dhe qytetarë.

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura, në ceremoninë e rastit ka theksuar përkrahjen që e kanë dhe do ta kenë investitorët e huaj nga Komuna e Skenderajt. Ai i ka ftuar edhe investitorët tjerë të interesuar që të ndjekin shembullin e investitorëve që tashmë po fillojnë në Skenderaj.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, në fjalën e tij ka falënderuar investitorët që po nisin investimet në Skenderaj, duke i siguruar ata se po investojnë në vendin më të mirë. Ai po ashtu ka lavdëruar punën e Komunës së Skenderajt, Kryetarit Lushtaku dhe Nënkryetarit Nura në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës.

Investitorët nga Gjermania dhe Holanda kanë theksuar gatishmërinë që kanë gjetur në Komunën e Skenderajt, për t’i ndihmuar në nisjen e biznesit të tyre. Ata kanë lavdëruar institucionet lokale për lehtësim të procedurave në përkrahje të nisjes së veprimtarisë. Po ashtu ata kanë premtuar se ky është vetëm fillimi i investimeve të cilat në të ardhmen do të zgjerohen.

Në këtë ngjarje kanë folur edhe Ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi dhe përfaqësuesi i Odes Ekonomike Gjermano-Kosovare Albert Matoshi.

Para kësaj ceremonie, Komuna e Skenderajt dhe Weng Fat Poultry kanë nënshkruar marrëveshjen për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për këtë kompani.

Ky investim nga jashtë që po realizohet në Skenderaj do të punësoj fillimisht 60 punëtorë. Komuna e Skenderajt më qëllim të përkrahjes së investimeve të huaja kompanisë Weng Fat Poultry i ka dhënë në shfrytëzim afatgjatë tokën për ushtrim të veprimtarisë, ndërsa ka marrë vendim edhe për lirimin nga taksa e ndërtimit të objektit. Në këtë aspekt Komuna e Skenderaj në tri vitet e fundit ka hequr edhe taksat komunale për biznese.

Kontrolloni gjithashtu

Fshati Skifteraj i komunës së Vitisë përkujton përvjetorin e ofensivës serbe

Me rastin e përvjetorit të rënies së dëshmorëve dhe viktimave të luftës, të banorëve të …