Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz organizuar nga Ministria e Diasporës, u mbajt manifestimi tradicional “Dita e Diasporës”, në të cilin mori pjesë një numër i madh i bashkatdhetarëve dhe përfaqësues të komunave e deputetë të Kuvendit të Kosovës. Ky manifestim filloi me homazhe te varrezat e familjes Jashari, me moton “Një lule për Jasharët”. Pas homazheve, ministri i Diasporës, Valon Murati, tha se edhe këtë vit jemi në Prekaz, për të nderuar sakrificën e familjes Jashari, sakrificë që shënoi një prej momenteve më kulminante të përpjekjeve të popullit shqiptar për liri. Manifestimi përfundoi me fjalën e Murat Jasharit, përfaqësues i familjes Jashari, i cili, pasi i falënderoi të pranishmit për praninë e tyre në këtë manifestim, veçanërisht orkestrën “Spartiti per Scutare”, theksoi se është emocion i veçantë kur dëgjon një grup muzikor italian, në krye me Bardh Jakovën, duke kënduar shqip.
