Nebih Rexhepi

Nebih Rexhepi: Radio Kosova e Lirë, lule 20 vjeçare, me rrënjë të përjetshme

Pas Nëntorit, që konsiderohet muaji më historik gjithëkombëtarë, edhe Janari i rri karshi me vlera historike. Kësaj radhe do veçuar një datë me vlera historike 4 Janarin e vitit 1999. Kjo datë duhet të hyjë në enciklopedi  si paralajmërim i Lirisë së Kosovës. Ashtu ndodhi, me këtë datë në Kosovë u dëgjua në Radio një zë i ëmbël me erë të Lirisë: Ju flet Kosova e Lirë, ju flet Kosova e Lirë… Këto fjalë nuk kam për t’i harruar kurrë e për jetë. Me të drejtë thuhet fjala e mirë plagë shëron, “Ju flet Kosova e Lirë” në acarin e Janarit filloi t’i ngrohë Zemrat dhe të shëroj plagë. Në atë kohë kur nuk dihej se çfarë sillte e nesërmja, Radio Kosova e Lirë  ditë e për ditë hynte në çdo shtëpi për t’ua përhapur lajmin e Lirisë.

Për t’i përshkruar ato kohë të vështira veprimi, të Radios Kosova e lirë, është një ndjenjë mjaft e thellë shpirtërore. Shpeshherë them se vetëm ai staf i pa lodhshëm ka mundur t’ipërballojë ato kohë të vështira. Sepse të punosh në ato kushte lufte përballë atyre granatimeve si nga toka ashtu edhe nga ajri, vërtet është një heroizëm që jo gjithkush mund ta bëjë.  Atë staf të Radios Kosova e Lirë nuk e ndalën as acari, as granatimet nga ajri e toka, as granatime mediatike pacifiste e çka jo tjetër. Lirisht mund të konkludojmë se Radio Kosova e Lirë është Institucion Heroik i llojit të vet.

Çdo përvjetor është i rëndësishëm, por 20 vjetori Radios Kosova e Lirë e ka atë specifikën e vet. Me rastin e këtij përvjetori madhështor, me një kënaqësi të veçantë vendosa që edhe unë  të jem një pikë uji në detin e hapur mediatik sikur është Radio Kosova e Lirë. Më 3 Janar në orën 6 të mëngjesit kisha fluturimin me aeroplan, nga aeroporti i Londrës për në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës. Nuk mbaj mend kur kisha  fluturim më të gëzuar se sa ky. Kur u ula, disa pasagjer më njihnin më përshëndetnin kurse unë vetëm ua ktheje me një përshëndetje të rëndomtë, sepse e tërë vëmendja ime ishte përqëndruar te 4 Janari në Prishtinë.

Një herë më shkoi mendja, kur isha nxënës i shkollës së mesme ish profesori im i nderuar i Gjuhës Shqipe Sheqir Zejneli na udhëzonte që t’i përcjellim filmat nga Shqipëria dhe ti analizojmë tematikën dhe idenë e atyre filmave. Nuk më kujtohet se çfarë kisha folur me një shok timin ulur në një bankë, kur pa pritmas profesori im i nderuar Sheqir Zejneli mu drejtua me fjalët: Ti Nebih Rexhepi, ku e ke vëmendjen? Kjo pyetje aq më erdhi e ëmbël, por ishte vështirë si ti përgjigjem, ia dhashë përgjigjen: Profesor isha duke e pyetur këtë shokun tim, se kush e luante rolin  Murat Shtagës te “Njeriu me Top”. Ai më dha fjalë të mira. Po ashtu edhe gjatë fluturimit disa shokë në aeroplan mezi i njoha, sepse e tërë vëmendja ime ishte te 4 Janari 2019 në Prishtinë.

4 Janari i vitit 2019 erdhi, për mua një ndjenjë e veçantë sepse për herë të parë pas lufte kisha kënaqësinë që fizikisht me trup dhe shpirt të jem prezent në një përvjetor, nuk kam fjalë për ta përshkruar.

Ishte ora 12 pa një çerek, isha tek sheshi Zahir Pajaziti e mora drejtimin për te Salla e Kuqe të pallatit të rinisë. Me të marrë atë rrugë, vërehej një nxitim i shumë njerëzve që kishim të njëjtin qëllim. Krijohej bindja se të gjitha rrugët të shpien drejtë asaj salle. Kur arrita në sallë unë dhe të tjerët hasëm në një mik-pritje çfarë vetëm ata dinë ta bëjnë. Pas urimeve fillestare, i tërë stafi i Radios Kosova e Lirë, kishin përgatitur nga një dhuratë me librin: RADIO KOSOVA E LIRË   ZËRI I LIRISË   (4.1.1999-4.1.2019) si dhe kalendarin e kësaj Redaksie. Pjesëmarrësit aq ishin të shumtë sa u desh të silleshin karrige shtesë, unë personalisht nuk e parashikoja një numë aq të madh.  E posaçme ishte kur i shihja shumë njerëz me paterica, të cilët nga lufta kishin pësuar por as kjo nuk i pengonte që të jenë të pranishëm . Në këtë manifestim ishin të pranishëm: Akademikë, profesorë, deputetë, ish luftëtar të drejt-për drejtë të UÇK-së, mërgimtarë në mesin e tyre edhe unë. Ishte kënaqësi të shohësh atë staf të para dhe pas lufte. Liria është mbretëresha e fitoreve, kurse lulet janë mbretëreshë e bimëve. Stafi i Radios Kosova e Lirë dukej si një Lule që nuk vyshkët asnjë herë, kurse ata të pranishëm si gjethe lulesh të freskëta, Radio Kosova e Lirë është një Lule me rrënjë të përjetshme.

Kontrolloni gjithashtu

Agim Musliu dhe Gurakuç Kuçi: SKENARËT PAS BANJSKËS DHE LUFTA HIBRIDE RUSO-SERBE NË KOSOVË

Në përvjetorin e sulmit në Banjskë, qëllimet e këtij akti të dhunshëm rifreskohen me një …