Nezir Myrtaj: Albin Kurti, simboli i lirisë së mohuar të popullit të Kosovës

Albin Kurti vazhdon të jetojë e të veprojë nën masat e arrestit shtëpiak. Statusit të tij prej të arrestuari të tillë nuk mund t’i dihet fundi. Dhe kjo ndodh pikërisht për shkak të faktit se fundi nuk mund të parashikohet as për statusin politik të Kosovës, i cili është shkaku i arrestit shtëpiak të Albin Kurtit. Mungesa e lirisë së tij është pasojë e mungesës së lirisë së Kosovës. 

Në kohën kur shtypi dhe mediat elektronike ua tronditën iluzionet shumë shqiptarëve në Kosovë, me fjalët e gjermanit Ishinger, i cili edhe drejtpërdrejt kishte bërë të qartë se koncepti i pavarësisë së Kosovës as që do të ishte temë e rendit të ditës gjatë garës për matjen e forcave që fuqitë e mëdha do të bënin rreth statusit të saj politik, në negociatat e paspaketës së Ahtisarit dhe kur në Londër, një grup i çoroditur makiavelistësh nga Kosova po priste ta dorëzonte pak ditë më vonë një traktat turpi të përuljes, faljes e nënshtrimit para Serbisë agresore, e cila me dhëmbët e saj të kobrës po spërkat gjithnjë e më helmueshëm në drejtim të Kosovës, në Prishtinë u qit para gjyqit inkuizitor të UNMIK-ut, artikuluesi i aspiratës shekullore të brezave tanë vetëmohues për liri dhe mëvetësi kombëtare, këmbëngulësi i pakompromis në parimin universal të vetëvendosjes së kombeve, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti. Mbase kjo përputhshmëri ngjarjesh do të mund të ishte edhe e rastit, mirëpo, mozaiku që përbëjnë ato është shprehje besnike e realitetit në të cilin sot ndodhet e mbërthyer liria e Kosovës. Gjykimi i Albin Kurtit, prangosja, burgosja, ngulfatja dhe heshtja e tij mizore, në të vërtetë janë goditje kriminale mbi lirinë e Kosovës, të ndërmarra nga Serbia dhe aleatët e saj, bashkë me UNMIK-un dhe pjellën e këtij ciklopi, Grupin Negociator, që është sublimim i institucioneve surrogate të Kosovës. 
Procesi gjyqësor, që më 19 shtator u organizua kundër Albin Kurtit, në realitet nuk ishte një akt juridik në zbatim të ligjit, por një veprim absolutisht politik, antiligjor dhe i mbështetur mbi fakte të sajuara e të konstruktuara për motive antidemokratike e antihumane, të cilat shkojnë përtej penalizimit, urrejtjes dhe demonizimit të vetë Albinit, madje edhe të Lëvizjes Vetëvendosje!. Si i tillë, ky proces kishte në përmbajtjen e tij qëllimin themelor për të sanksionuar dhe mohuar të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të vendosur për fatin e vet përmes zbatimit të parimit të vetëvendosjes politike me referendum popullor. Si rrjedhim i këtij qëllimi, ky proces ngërthen në përmbajtjen e tij, po ashtu edhe mohimin e luftës së pastër çlirimtare që populli shqiptar i Kosovës dhe i trojeve të tjera etnike zhvilloi kundër kolonizatorit të egër serb, në fund të shekullit që shkoi, duke konfirmuar katërcipërisht synimet e qarqeve regresive e antidemokratike të përfaqësuara në UNMIK dhe OKB për t’i bërë shërbim hegjemonizmit serb për ripushtimin e Kosovës. 
Më 19 shtator, në fakt përmes trupit, figurës dhe idesë së Albin Kurtit, antidrejtësia e UNMIK-ut, e mbështetur dhe e duartrokitur edhe nga tërë soji e sorrollopi i vendit, i cili duke i bërë shërbim serbit përmes UNMIK-ut dhe 1244-shit, tentoi ta vë në bankën e zezë aspiratën shekullore të shqiptarëve për t’u shkëputur një herë e përgjithmonë nga thundra serbe, pra të ardhmen e lirë të tyre. 
Simbolika e procesit të turpshëm dhe gjithsesi të dështuar pseudogjyqësor kundër Albinit kishte disa kuptime. Përveç synimit për të bërë të pakontestueshëm inkriminimin e Lëvizjes Vetëvendosje! e bashkë me të edhe të protestës së dinjitetshme të 10 Shkurtit, ky veprim u ndërmor për të fshehur terrorin dhe gjurmët e krimit që policët e UNMIK-ut dhe urdhërdhënësit e tyre bashkë me denoncuesit institucionalë vendorë, ushtruan kundër protestuesve të 10 Shkurtit, me ç’rast u vranë dy prej tyre, u plagosen mbi 80 dhe u arrestuan shumë protestues të tjerë e veprimtarë të Lëvizjes Vetëvendosje!, në mesin e të cilëve edhe kreu i saj Albin Kurti. 
Ndërsa, simbolika politike e këtij procesi, gjithsesi u bë për promovimin e dy ngjarjeve të rëndësishme që kanë për qëllim stërkeqjen dhe degradimin e mëtejmë të çështjes së Kosovës, siç ishte fillimi i procesit të ri të negociatave rikolonizuese me Serbinë dhe vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, me të cilat do të rifuqizohej politika e kastave të krimit, të korrupsionit, të servilizmit e të përuljes, që me temena do të hanë kulaçin që po i gatuhet Kosovës. 
Sado përfidë dhe njëkohësisht të egër, përfaqësuesit e akuzës kundër tribunit Albin Kurti, si dhe trupi gjykues, u detyruan ta ndërpresin me vendim pezullimi gjykimin kundër tij, për të ridëshmuar karakterin aziatik të tyre, duke ia vazhduar arrestin shtëpiak. Tashmë janë bërë shumë muaj prej që ai po mbahet në kushtet e këtij arresti absurd e denigrues. Absurd e denigrues jo për vetë Albinin, por për atë pjesë luftarake e atdhetare të popullit shqiptar; për gjithë ata që luftuan për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb dhe që njëkohësisht i mbetën besnikë formulës së betimit të UÇK-së dhe idealeve të simbolit të komandantit të kësaj ushtrie, Adem Jashari; 
Absurd e denigrues për të gjithë ata që kanë gatishmërinë dhe vendosmërinë për të mbrojtur edhe me sakrifica të reja frytet tashmë të rrezikuara të luftës çlirimtare e për të mos pranuar kurrë më hyrjen nën zgjedhën serbe, e cila po përgatitet me procesin e negociatave me ndihmën edhe të bastardëve të Kosovës; 
Absurd e denigrues për gjithë Kosovën dhe kombin shqiptar, sepse arresti shtëpiak i Albin Kurtit nuk pasqyron vetëm fatin e tij individual, por fatin e të ardhmes së Kosovës dhe fatin e të drejtës së mohuar të popullit shqiptar për të jetuar i lirë; 
Absurd e denigrues edhe për tërë sistemin e drejtësisë ndërkombëtare, e cila po dëshmon se mund të durojë e tolerojë ende nëpërkëmbje të tilla të të drejtave të kombeve të vogla e të pafuqishme, si dhe dënime e ndëshkime të tilla të tipit mesjetar. 

Pezullimi i procesit gjyqësor kundër simbolit të djalërisë së pjekur e të kalitur në rrebeshet më të egra të luftës për liri brenda dhjetëvjeçarit të fudit, Albin Kurti, si dhe rivazhdimi i mbajtjes së tij në arrest shtëpiak, shkaktoi reagime të ligjshme e të sinqerta të shumë zërave, brenda dhe jashtë kombit tonë. Këto reagime denoncuan politikën kriminale të gjithë atyre që përmes shuarjes së zërit të protestës së Lëvizjes Vetëvendosje!, si artikuluesja e vetme e kundërshtimit të një rreziku gjithnjë në rritje që po e kanos të ardhmen e Kosovës, si dhe përmes martirizimit të predikuesit të rrugës së shpëtimit nga ky rrezik, drejtuesit të kësaj lëvizjeje, duan ta legjitimojnë rikthimin e Kosovës nën robërinë e re serbe. 
Ndërkohë kundër këtij veprimi pati edhe disa reagime hipokrite të partive politike e të eksponentëve të tyre, si përpjekje për ta ndarë personin e atdhetarit të vendosur Albin Kurti, nga idetë dhe pikëpamjet e tij të pastra e të kristalizuara, që godasin me fuqi shpate dhe përvëlojnë me zjarr rrufeje hipokrizinë e gjithë atyre që po luajnë me fatet e Kosovës dhe të kësaj pjese fatkeqe të kombit tonë. 
Heshtja mortore lidhur me rivazhdimin pa afat të caktuar të arrestit shtëpiak kundër Albin Kurtit i përshkoi dhe vazhdon t’i përshkojë veçanërisht institucionet e përkohshme të Kosovës dhe bandën negociatore. 
Në realitet, kjo heshtje dëshmon vetvetiu për mbështetjen dhe miratimin e këtij veprimi drakonik të urdhërdhënësve të tyre, nga kjo bandë dhe nga këto institucione. Për më tepër, ajo dëshmon edhe faktin tjetër se pjesë e këtij veprimi janë edhe ata vetë, si denoncuesit kryesorë ndaj kundërshtarëve të procesit antiliri me të cilin identifikohen. Këta denoncues po vazhdojnë të përjetojnë kënaqësitë e skllavërisë së tyre, duke ua mohuar lirinë gjithë kundërshtarëve të vet, personifikim i të cilëve është Albin Kurti. Duke vepruar në këtë mënyrë, në të vërtetë ata po përpiqen që lumturinë e tyre të mjerë ta ndërtojnë mbi mjerimin dhe fatkeqësinë e Kosovës, e cila po zvarritet e rropatet pas së ardhmes së saj në duart e pengmarrësve mikst vendorë e ndërkombëtarë. 

Ironia bëhet edhe më e madhe kur dihet se në kuadrin e institucioneve të përkohshme, ekziston edhe një e ashtuquajtur ministri e drejtësisë, e cila në mënyrë qyqare përligji dhe vazhdon ta përligjë veprimin antiligjor të UNMIK-ut kundër veprimtarit Albin Kurti, i cili veprim paraqet shkeljen flagrante dhe përdhosjen e të drejtave individuale e kolektive të shqiptarëve në Kosovë. 
Qëndrimi i kësaj ministrie është dëshmia më e mirë për rolin që kanë institucionet e Kosovës, jo në shërbim të Kosovës e të qytetarëve të saj, por kundër tyre e në shërbim të qarqeve shumëngjyrëshe të UNMIK-ut. Si e tillë, kjo e ashtuquajtur Ministri e Drejtësisë e Kosovës, e cila ekziston jo për të zbatuar drejtësinë, por për të përligjur shkeljen e saj, madje në emër të votës së qytetarëve, nuk i duhet Kosovës. Emri i saj duhet të harrohet që të ruhet pastërtia e fjalës drejtësi. 

Albin Kurti vazhdon të jetë nën arrest shtëpiak. Ai vazhdon ta kundrojë Kosovën e tulatur e të rraskapitur dhe të preokupohet me fatin e saj, vetëm nga brenda katër mureve të shtëpisë së tij. Te dera e kësaj shtëpie bëjnë punën e cerberit pjesëtarët e SHPK-së. Ata shikojnë dhe përcjellin secilin që hyn e del dhe secilin që del e hyn te Albini. Ata kanë urdhër të mos lejojnë që vetëm Albini të mos hyjë e dalë nga dera e shtëpisë së tij! 
Sa anakroni! 
Sa turp! 
Sa poshtërsi! 
Ky fakt ka domethënien e një çoroditjeje dhe shfrenimi të kobshëm, i cili do të bëhet edhe më agresiv e më i dukshëm që nga 25 tetori, kur partitë dhe partizat politike fillojnë delirin e tyre parazgjedhor. 
Që nga kjo datë, popullata e varfër, e uritur dhe e mbytur në terr do të përjetojë disa javë rresht torturat dhe dhunën psikologjike që këto parti e partiza, me krerët e tyre delenxhi do të ushtrojnë në garën e ethshme për mashtrim, për lajkë e për gënjeshtër. 
Këto ditë qytetarët e Kosovës do të shohin e dëgjojnë tek premtojnë ta bëjnë Kosovën shtet e të pavarur, ata që po bisedojnë me krerët serbë për lidhjet e ardhshme speciale ndërmjet Kosovës e Serbisë; 
Këta qytetarë do të shohin e dëgjojnë prej atyre të cilët i kemi parë të gjithë duke shkelur frytet e luftës çlirimtare e duke mohuar sakrificat sublime të mijëra dëshmorëve të kombit, tek përbetohen se do ta çojnë në vend amanetin e atyre që u flijuan për të ardhmen e Kosovës; 
Këta qytetarë do të shohin e dëgjojnë tek premtojnë prosperitet ekonomik e shoqëror, zhvillim e mirëqenie, ata që e vodhën dhe e rropën këtë vend e këtë popull, duke i varfëruar ata skajshmërisht; 
Këta qytetarë do të shohin e do të dëgjojnë tek çirren se do ta bëjnë Kosovën sovrane në përputhje me vullnetin politik të popullit të saj, ata që me fanatizëm u angazhuan e po angazhohen për “kompromiset e dhembshme” në kurriz të së ardhmes së Kosovës; 
Këta qytetarë do të shohin e dëgjojnë tek garantojnë se do ta pavarësojnë Kosovën sipas parimit të vetëvendosjes, ata që e luftuan këtë parim deri në mohim, duke e denoncuar, përndjekur, shantazhuar dhe më në fund gjakosur bartësen e angazhimit mbi bazën e këtij parimi, Lëvizjen Vetëvendosje! 
Dhe në fund, këta qytetarë do të shohin e dëgjojnë me neveri tek flasin për sundim ligji, për liri shprehjeje e liri politike, ata që e futën në burg, i organizuan gjyq dhe po e mbajnë në arrest shtëpiak, Albin Kurtin, vetëm që të mos pengohen në rrugën e tyre të tradhtisë ndaj Kosovës. 
Indiferenca para këtyre fakteve nuk mund të jetë më pak sesa papërgjegjësi për të ardhmen e Kosovës dhe brezave të saj. Prandaj, atyre që dëshmuan me vepër, në tetë vitet e kaluara, se janë e keqja e Kosovës dhe atyre që e dëshmuan karakterin mashtrues, grabitës, shfrytëzues e denoncues, duhet dhënë përgjigjen e merituar edhe këto ditë kur ata po përpiqen që me zhurmë e demagogji të ruajnë e forcojnë pozitat e tyre, përmes votës së qytetarëve. Kjo votë në asnjë mënyrë nuk duhet djegur për qëllime të tilla dhe në funksion të improvizimit të zgjedhjeve të cilat do të rilegjitimojnë institucione servise të papërgjegjshme e të korruptuara, plotësisht të padenja për Kosovën. 
Kjo votë duhet konsumuar jo për këto lloj zgjedhjesh, por për qëllimin madhor të referendumit popullor, i cili do të përcaktojë pozitën politike të Kosovës në bazë të parimit ndërkombëtar të vetëvendosjes politike të kombeve.

Kontrolloni gjithashtu

Nën patronatin e kryeministrit Haradinaj sot bëhet rivarrimi i heroit, Ilir Konushevci dhe dëshmorit, Hazir Malaj

Më 9 maj të vitit 1998, kanë rënë Komandanti i Logjistikës së UÇK-së, Ilir Konushevci dhe mjeku i luftës, Hazir Mala

Më 9 maj të vitit 1998, në një pritë të organizuar nga trafikantët e armëve, …