Një letër e vitit 2012, e siguruar nga Demokracia.com, rikthen në vëmendje qëndrimin e ashpër që Lëvizja Vetëvendosje kishte mbajtur ndaj ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në kohën kur kompania e saj ishte në garë për privatizimin e një pjese të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Në dokumentin e publikuar, Albright akuzohej se po bëhej pjesë e një procesi të korruptuar privatizimi dhe se investimi i saj nuk kishte mbështetjen e qytetarëve dhe punëtorëve të PTK-së. Në letër, Vetëvendosje pretendonte se privatizimi i ndërmarrjes publike po bëhej në bashkëpunim me Qeverinë e atëhershme të drejtuar nga Hashim Thaçi, të cilën e akuzonte për korrupsion, nepotizëm dhe shpërdorim. Pjesa më e debatueshme e kësaj letre lidhet me paralajmërimin se qytetarë dhe familjarë të aktivistëve do të organizoheshin për t’u përballur me Albrightin në rast se ajo do të vazhdonte të mbështeste procesin e privatizimit të PTK-së. Sa i përket procesit të privatizimit të PTK-së, kompania “Albright Capital Management LLC” ishte njëra ndër tetë kompanitë e interesuara për blerjen e 75 për qind të aksioneve të ndërmarrjes. Publikimi i kësaj letre rihap debatin mbi evolucionin e diskursit politik në Kosovë dhe raportin e partive me aleatët ndërkombëtarë, sidomos kur qëndrimet e dikurshme bien ndesh me narrativat e sotme politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
